Osmani: Kryesimi i PBEJL nga RMV – nder i madh dhe mundësi afirmimi për vendin

    Nga sot, Republika e Maqedonisë së Veriut merr kryesimin me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL), i cili, që nga themelimi në vitin 1996, është forum unik që i përfshin të 13 vendet e Evropës Juglindore, mes të cilave, pjesa më e madhe janë anëtarë të NATO-s, anëtarë apo kandidatë për në BE, por edhe pjesë e OSBE-së.

    Në konferencën e sotme tematike për gazetarë, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani theksoi se marrja e kryesimit të Procesit nga Maqedonia e Veriut, paralelisht me kryesimin e OSBE-së dhe SHBA – Karta e Adriatikut (A5) paraqet nder të madh, por jo më pak përgjegjësi, ku janë të drejtuara të gjitha kapacitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    “Rajoni aktualisht po përballet me tri procese jashtëzakonisht të rëndësishme, të ndara, por të gërshetuara: Nevojën për integrim të menjëhershëm në BE, jo më vonë se në vitin 2030, pasqyrën komplekse gjeopolitike të kontinentit evropian, lidhur me agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe kontestet e pazgjidhura dypalëshe. Këto tri elemente ndikojnë drejtpërdrejt në dinamikën e lëvizjeve të përgjithshme në rajon”, tha Osmani, duke pohuar se për shkak të gjithëpërfshirjes së saj, PBEJL-ja paraqet platformë të shkëlqyer për dialog politik, ku çështjet rajonale mund të trajtohen në nivelin më të lartë, duke hapur kështu rrugën për integrim evropian dhe euroatlantik të rajonit të Evropës Juglindore.

    Osmani prezantoi sloganin e kryesimit – “Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim” dhe prioritetet e fokusuara në pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimeve euroatlantike. Në këtë aspekt, Maqedonia e Veriut tashmë e ka dëshmuar përkushtimin e saj përmes Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Marrëveshjes së Miqësisë, Marrëveshjes së Prespës, si dhe me Vendimin për zhbllokimin e rrugës sonë eurointegruese nga korriku i vitit të kaluar, theksoi ai.

    Osmani iu referua edhe prioriteteve të tjera, të cilave gjithashtu do t’u kushtohet vëmendje si: Forcimi i demokracisë, të drejtat dhe vlerat themelore, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, siguria dhe stabiliteti; respektimi i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla; ballafaqimi me sfidat e ndryshimeve klimatike, inkurajimi i gjelbërimit etj.

    Kryesimi paraqet mundësi shtesë për afirmimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ka paralajmëruar ngjarje dhe takime të shumta në nivel politik dhe të ekspertëve, koordinator i të cilave do të jetë Ministria e Punëve të Jashtme.

    Lajmi Paraprak

    Rryma me çmim të ri, nga 1 dhjetori përsëri tarifë e lirë ditore

    Lajmi i rradhës

    LSDM: VMRO-DPMNE ka bërë larje parash nëpërmjet “Shkupi 2014”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë