Shtatori është afati tjetër kur pritet të ketë marrëveshje për kontestin mes Shkupit dhe Sofjes paralajmëroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Ai tha se kjo marrëveshje duhet të rezultojë me disa hapa që kryesisht ndërlidhen me kryesimin slloven, me propozimin portugez dhe me udhërrëfyesin, i cili siç premton, para shtatorit do të definohet nga pala e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Nëse ishin të pranueshme propozimet tona, të harmonizohemi për udhërrëfyesin, zgjidhja portugeze tashmë është në tavolinë, dritë jeshile, të enjten kemi marrëveshje të plotë. Njëra anë pozitive e kësaj letre që e mora dje, ku shkruan se të gjithë propozimet e dhëna janë të pranueshme për shkak se kur kërkonit që RMV t’i realizojë detyrat, kjo do të thotë se ju pajtoheni se kjo është zgjidhja. Por, gjëja negative është ajo që erdhi pasi përfundoi samiti”, deklaroi Osmani.
Opozitarja VMRO-DPMNE thotë se më shqetësuese është ajo se nga kryeministri Zaev nuk ka asnjë mohim për kërkesat e Bullgarisë.
“Ajo që mund të theksoj është se kemi parë që pala bullgare kërkon depersonalizim të plotë të identitetit, por në të njëjtën kohë ajo që na shqetëson është se nuk ka mohim as nga ana e Zaev dhe as nga të tjerët që ai ka thënë gjatë takimeve se populli bullgar dhe maqedonas janë të njëjtë ose me një gjuhë të ngjashme. Zaev thotë që do të vazhdojë të lusë në Sofje, që do të thotë se ai tani po lutet që t’ia pranojnë atë që ka folur atje”, tha Arsovski.
Ndryshe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani tha se Marrëveshja e Prespës është në rrugën e duhur të implementimit, edhe pse pranoi se gjatë pandemisë dhe me ndryshimin e përbërjes së komisionit historik-arsimor të Greqisë, është ngadalësuar ritmi i punimeve.
Ka njoftuar, se në nivel javor grupi i punës në kuadër të MPJ-së raporton për pikat që kanë përfunduar, ndërkaq ka shtuar, se dallimet që u shpërfaqën në futboll, nuk mund të minojnë partneritetin strategjik mes Shkupit dhe Athinës.