Osmani: Nuk e kam në plan të takohem me Vuçiqin, kërkoj nga aleatët që t’i luftojnë ndikimet hibride ruso-serbe

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po merr pjesë në Samitin e liderëve evropianë në Moldavi, tha se nuk e ka në plan që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Në një deklarim për media, Osmani deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë organizohet në Bruksel dhe i takon Bashkimit Evropian që të përcaktojë datën kur është e domosdoshme që të bëhet një takim i tillë.

    Ajo po ashtu u shpreh se shtetet aleate duhet të ndihmojnë në ndaljen e veprimeve destabilizuese të Serbisë në veri, derisa shtoi se duhet të kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel.

    “Ne si rajon e në veçanti si Kosovë jemi vazhdimisht përball sfidës së ndikimeve hibride që Rusia dhe satelitët e saj janë duke tentuar që t’i shtyjnë përpara për ta destabilizuar Evropën. Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë. Unë jam këtu për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë për t’i luftuar këto tendenca si dhe të parandalohet ndikimi i këtyre tendencave dhe propagandës. Vuçiqi është i interesuar që përmes bandave kriminale të destabilizojë vendin, s’duhet të lejohet një gjë e tillë… Prandaj, koordinimi me aleatët tanë është shumë i rëndësishëm”.

    Gjatë këtij samiti, presidentja tha se do të ketë takime me shumë liderë evropianë, teksa theksoi se është e rëndësishme të takohet me ta për t’iu shpjeguar se çka po ndodh aktualisht në veri.

    “Përveç presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, kam takime me pothuajse të gjithë liderët që marrin pjesë në këtë samit. Është me rëndësi që të kërkojmë përkrahjen e tyre për aplikimin e Kosovës në BE dhe ecjen përpara në Këshill të Evropës, por edhe të shpjegojmë në detaje se çka po ngjan në veri të Kosovës. Një numër i madh i liderëve kanë shprehur interesim për t’u takuar në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për shtensionimin e situatës. Po ashtu, do të kërkoj ndihmën e tyre që t’i luftojnë grupet kriminale në veri që po destabilizojnë vendin tonë”, shtoi Osmani.

    “Është me rëndësi që nga Serbia të kërkohet t’i ndalë veprimet destabilizuese dhe bandat e saj kriminale. Këto janë grupe që janë në listën e zezë të SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Ata po terrorizojnë edhe qytetarët serbë çdo ditë. Na duhet ndihma e aleatëve të jemi më të fokusuar në luftimin e grupeve, por urdhri ndaj tyre vjen nga Vuçiqi. Dihet mirë kush i nxit ato të përdorin dhunë në Kosovë, pra presioni duhet të jetë te Beogradi që ta ndalin dhunën… Kur ka dhunë, çdo zgjidhje përpara mund edhe të fokusohet në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit”, përfundoi ajo.

    Lajmi Paraprak

    Statistika gjermane: Maqedonia e Veriut ka shpenzime më të ulëta për jetesë në Europë

    Lajmi i rradhës

    Policia e Kosovës: Thirrjet për protesta, të dyshimta dhe qëllimkëqija

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë