Osmani për kontestin me Bullgarinë: Duhet ta presim qeverinë politike, do të vazhdojmë me negociatat

    Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani shprehet i zhgënjyer që edhe pas zgjedhjeve të dyta, Bullgaria nuk arriti të formojë Qeveri, e me këtë edhe institucione politike të cilat do t’i vazhdonin negociatat.

    “Për fat të keq lajmet që vijnë nga Bullgaria nuk janë inkurajuese në pjesën e formimit të institucioneve për shkak se, siç theksoj shpesh, dukshëm kjo u tregua si faktor i rëndësishëm në gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e dallimeve që janë arsyeja për këtë bllokadë joparimore të perspektivës sonë evropiane. Ne ishim në pritje se në këtë përpjekje të dytë do të ketë institucione që të mundemi të komunikojmë në atë pjesë politike dhe të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Osmani.

    Edhe përkundër zhvillimeve të këtilla, Osmani ende është optimist dhe thotë se mund të ketë rezultat pozitiv në Samitin e BE-së që do të mbahet më 6 tetor.

    “Gjendja në Bullgari është deri në atë nivel që vendimi të mos sillet pa u formuar institucionet. Megjithatë ne vazhdojmë, do të vazhdojmë të komunikojmë siç kemi komunikuar ditët e mëparshme në nivel të ekspertëve me MPJ dhe me Qeverinë teknike atje, duke u bindur se nuk duhet që rajoni dhe perspektiva evropiane të jenë peng i dinamikave të brendshme politike në cilindo vend anëtarë”, shtoi Osmani.

    Pasi që partia “Ka popull të tillë” e Sllavi Trifunovit hoqi dorë nga formimi i Qeverisë, partia e dytë që duhet të marrë mandatin është ajo e Bojko Borisovit, nga ku paralajmëruan se edhe ata do ta kthejnë mandatin.

    “Nëse vjen radha jonë që ta marrim mandatin, do t’ia propozojmë grupit parlamentar nënkryetarin Dani Mitov dhe do ta prezantojmë para Presidentit përbërjen e kabinetit që njerëzit të mund të bëjnë krahasim mes asaj që propozojmë ne dhe të gjithë të tjerët. Dhe menjëherë do ta kthej mandatin”, tha Borisov.

    Qorrsokaku politik në Bullgari edhe më tepër e rrit pasigurinë që Maqedonia të fillojë negociatat me BE për shkak të bllokadës nga ana e Sofjes zyrtare. Paralajmërohet se së shpejti Bullgaria do të duhet për herë të tretë të organizojë zgjedhje parlamentare.

    Lajmi Paraprak

    Helikopteri i ARM-së me ujë nga Vardari e ka shuar zjarrin në Saraj

    Lajmi i rradhës

    Paga e Messit te PSG, mbi tetë mijë euro për një orë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë