Osmani: Qëllimi i Serbisë është destabilizimi i rajonit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se nuk do të lejojë që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të shndërrohet në dialog për statusin, territorin, funksionalitetin e brendshëm e për rendin kushtetues të Kosovës.

    Osmani, në fjalimin e saj vjetor më 17 dhjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se dialogu mund të përfundojë vetëm me njohje reciproke.

    Sipas saj, Kosova do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në këtë proces, ndonëse Serbia nuk e ka të njëjtën qasje.

    “Për fat të keq, nuk e shohim këtë gatishmëri te Serbia. Qëllimet e Serbisë mbesin të njëjta sado që strategjitë mund t’u ndryshojnë. Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës dhe këtë nuk e fsheh as në retorikë, as në veprime. Duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon, Serbia ka qëllim të destabilizojë shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën duke përdorur logjikën e shekullit të kaluar”, theksoi Osmani.

    Ajo përjashtoi mundësinë e ndarjes së territorit të Kosovës duke marrë për shembull situatën në Bosnje e Hercegovinë.

    “Idetë që kishin për synim ndarjen në vija etnike, nuk do të përsëriten më. Statusi i Kosovës është i përcaktuar nëpërmjet vullnetit të popullit të saj dhe shpalljes së pavarësisë”, tha Osmani.

    Ajo akuzoi Serbinë për mosrespektimin e shumicës së marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe për mbajtje peng të mijëra qytetarëve kosovarë shkaku i mos-hapjes së varrezave masive. Në Kosovë ende nuk dihet për fatin e më shumë se 1600 personave të pagjetur.

    “Serbia duhet të heqë dorë nga tendencat destabilizuese në veri dhe nga politikat agresive ndaj fqinjëve të saj”, deklaroi mes tjerash Osmani.

    Presidentja Osmani tha se rajoni ka nevojë për intensifikim të vëmendjes amerikane dhe evropiane për të “neutralizuar ndikimin rus”. Osmani, megjithatë, shtoi se Kosova nuk do të lejojë ndikimin rus, duke rikujtuar dëbimin e dy diplomatëve rusë nga vendi, të cilët ishin vlerësuar si rrezik për sigurinë kombëtare.

    Osmani, po ashtu, deklaroi se “Kosova mbetet projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshmi i politikës së jashtme amerikane”.

    Derisa foli rreth miqësisë së ngushtë që Kosova ka me SHBA-në, Osmani po ashtu falënderoi presidentin amerikan, Jon Biden, i cili ishte angazhuar që në kohën e pandemisë Kosova të furnizohej me vaksina kundër koronavirusit.

    Sipas Osmanit, viti ishte shumë sfidues për shëndetin publik dhe ekonominë derisa shprehu nderime për të gjithë ata që vdiqën nga sëmundja.

    Osmani përmendi edhe mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke thënë se pengesat në këtë proces po u shkaktojnë vështirësi qytetarëve, por edhe po zbehin besueshmërinë në Bashkimin Europian.

    Megjithatë, sipas Osmanit, rruga e vetme e Kosovës është ajo e integrimit euroatlantik, sepse për vendin nuk ka rrugë tjetër.

    Fjalimi i presidentes Osmani është bojkotuar nga partitë opozitare./REL/

    Lajmi Paraprak

    “Ballkani i Hapur” javën e ardhshme bënë bashkë Zaevin, Vuçiqin dhe Ramën

    Lajmi i rradhës

    Ryshfet për lindje në Bosnje dhe Hercegovinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë