“Ballkani i Hapur” javën e ardhshme bënë bashkë Zaevin, Vuçiqin dhe Ramën

    Kryeministri në largim Zoran Zaev do të kryesojë delegacionin qeveritar në Tiranë, ku në datat 20 dhe 21 dhjetor do të mbahet takim i ri në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur, ku do të marrë pjesë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe nikoqiri i tij, kryeministri shqiptar Edi Rama.

    Nga Qeveria konfirmuan për “360 gradë” se Zaev do të marrë pjesë në këtë takim në kuadër të iniciativës rajonale, pas mungesës së tij në takimet e fundit në Serbi, pas zgjedhjeve lokale në vend, ku Qeveria e Maqedonisë u përfaqësua nga zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Nikolla Dimitrov.

    Në takimin në Tiranë, ndër të tjera, pritet të nënshkruhet edhe Memorandumi për viza pune mes tre vendeve.

    Siç raporton MIA, menjëherë pas lajmit për takimin, ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje për protesta kombëtare, të cilat, siç njoftoi, janë të parat në kuadër të “revolucionit” dhe kanë dy synime kryesore: Kundër “Ballkanit të Hapur” dhe kundër vjedhjes kombëtare, pra, sipas tij, kundër përpjekjeve të Ramës dhe Vuqiçit për ndarjen e Kosovës.

    Në një emision televiziv, ai përsëriti paralajmërimin për Vuçiqin që të mos mendojë të vijë në Tiranë, pasi kundër tij do të kishte rrugë dhe sheshe të mbushura me njerëz, gjë që e tha edhe në Asamblenë Kombëtare më 11 dhjetor.

    “Më 20 dhjetor populli proteston. Po merr fund skenari armiqësor antishqiptar në “Ballkanin e Hapur”, që është zëvendësim i procesit të Berlinit me atë të Putinit. Paralajmërova se do të ketë protesta kombëtare”, tha Berisha, i cili së fundi rrëzoi kreun e Partisë së tij Demokratike të Shqipërisë pasi Shtetet e Bashkuara e shpallën atë “persona non grata”.

    Kryeministri Zaev dje është përplasur verbalisht me presidentin e Maqedonisë Stevo Pendarovski për nismën “Ballkani i hapur”. Zaev, si një nga themeluesit e “Ballkanit të Hapur”, së bashku me Vuçiqin dhe Ramën, është shprehur i befasuar me deklaratën e Pendarovskit, i cili gjatë vizitës së tij në Kosovë ka vlerësuar se kjo iniciativë është me të meta që në fillim, pasi në vend që të marrin pjesë të gjithë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, në të janë vetëm gjysma.

    Pendarovski, nga ana tjetër, kundërshtoi se që në vitin 2019 ka shprehur rezerva për “Ballkanin e Hapur”, pasi do të ishte kundër nëse kjo iniciativë ka për qëllim të restaurojë Jugosllavinë, apo është alternativë e integrimeve evropiane.

    Lajmi Paraprak

    Katër ushqimet që shkaktojnë inflamacion dhe shtim në peshë

    Lajmi i rradhës

    Osmani: Qëllimi i Serbisë është destabilizimi i rajonit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë