Pacientët vërshojnë poliklinikat! Grip, Covid-19 ose ftohje?

    Korridori i poliklinikës së Çairit është i stërmbushur me pacientë.  Fëmijë e të rritur po presin radhën për tu kontrolluar në mjek. Në prag të nisjes së stinës së dimrit numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në mjek është rritur. Të njëjtit janë me simptoma të kollitjes, temperaturë, molisje dhimbje të trupit e kështu më radhë shpjegon për TV21 mjeku Sedat Lumani. E këto simptoma janë të përbashkëta për gripin dhe Covid-19, thotë Lumani, duke shtuar se pacientët më shumë mund të jenë të ftohur për shkak uljes së temperaturave, ngaqë siç thotë gripi sezonal ende nuk ka nisur.

     “Në krahasim me vitin e kaluar kemi një rritje të dukshme të fluksit të pacientëve me këto simptoma, por këtë vit mund të lidhet me ndryshimet klimatike, sepse u ftoh koha përpara kohe. Ndoshta nuk është para kohe, por krahasuar me shumë vite që i kemi për bazë me një temperaturë jotipike dimërore, këtë vit po troket dimri me hapat e veta, kemi temperatura bukur të ulëta, me të reshura dhe e tëra kjo përcillet te mirëqenia shëndetësore te pacientët“, tha Sedat Lumani, mjek.

    Gjithsesi mjeku Lumani kujton qytetarët se Covid-19 është ende prezent. Nëse kanë ndonjë nga simptomat e lartpërmendura, qytetarët duhet të testohen, por jo me teste të shpejta, sepse siç thotë, nuk janë të saktë.

    “Mund të jetë edhe virusi sezonal i cili është pak më herët, por ndoshta edhe ka filluar. Në përgjithësi janë simptoma të njëjta, pothuajse të njëjta, por kemi edhe klinikë të përbashkët te të gjitha: skuqje, ënjtje të fytit, të bajameve, te dikush përcillet me dhimbje të veshëve, dhimbje të kokës… Në ato raste mund të ketë edhe infeksione bakteriale”, pohoi Sedat Lumani, mjek.

    Sipas raportit të fundit të Institutit për Shëndet publik, deri tani nga gripi sezonal janë prekur 509 qytetarë, dy-tre herë më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Më shumë të prekur janë nga moshat 15-64, ndërsa më së shumti raste ka në Dibër. Qytetarët nuk duhet anashkaluar vaksinimin kundër gripit sezonal edhe nëse janë vaksinuar kundër Covid-19 thonë mjekët. Ata porosisin që të mbahet distancë dhe t’i iket grumbullimeve, qytetarët të përkujdesen për higjienën personale dhe kolektive, si dhe dalje në ambient të hapur, rekomandojnë mjekët.

    Lajmi Paraprak

    Javëve të ardhshme pritet të ketë ndryshime të kuadrit në LSDM

    Lajmi i rradhës

    Johnson: Pushtimi i Ukrainës do të ishte gabim strategjik dhe me pasoja domethënëse nga Rusia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë