Johnson: Pushtimi i Ukrainës do të ishte gabim strategjik dhe me pasoja domethënëse nga Rusia

    Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka paralajmëruar presidentin rus, Vladimir Putin, se çdo “veprim destabilizues” nga Rusia kundër Ukrainës do të ishte “gabim strategjik” me “pasoja domethënëse”, tha një zëdhënës i tij.

    Gjatë një bisede telefonike me Putinin më 13 dhjetor, Johnson ka “theksuar” se Britania është e përkushtuar “për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha zëdhënësi i tij, duke shtuar se kryeministri ka “shprehur shqetësimin e thellë të Mbretërisë së Bashkuar lidhur me grumbullimin e forcave ruse në kufirin e Ukrainës dhe ka ripërsëritur rëndësinë e shtensionimit të situatës përmes kanaleve diplomatike dhe për identifikimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.

    Komentet e Johnsonit janë të ngjashme edhe me shqetësimet e shprehura nga ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara, lidhur me grumbullimin e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën. Ministrat e G7-ës kanë bërë thirrje për zgjidhje të tensioneve përmes formave diplomatike.

    Mediat ruse kanë cituar Kremlinin të ketë thënë se Putini dhe Johnsoni janë pajtuar për të vazhduar bisedimet përmes kanaleve të ndryshme.

    Biseda ndërmjet Johnsonit dhe Putinit vjen në kohën e rritjes së tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës. Zyrtarët në Kiev kanë shprehur shqetësimin për një pushtim të mundshëm rus.

    Rusia, që aneksoi paligjshëm Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe mbështet separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën.

    Në javët e fundit, Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella.

    Uashingtoni ka thënë se beson se Rusia mund të jetë duke planifikuar për të përdorur “provokimet” e pretenduara nga Ukraina, për të justifikuar një agresion ushtarak.

    Më 26 nëntor, Ukraina e akuzoi Rusinë se qëndron prapa një plani për grusht-shtet ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, akuzë të cilën Kremlini e ka mohuar./REL/

    Lajmi Paraprak

    Pacientët vërshojnë poliklinikat! Grip, Covid-19 ose ftohje?

    Lajmi i rradhës

    A do të lëvizë më shpejt Bashkimi Europian?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë