Pagat në sektorin publik, sindikalistët në Maqedoni presin ofertë të re

    Sindikalistët nuk pajtohen me Metodologjinë e propozuar nga Qeveria dhe thjeshtë kërkojnë paga më të larta se oferta e ekzekutivit. Pra,punonjësit në sektorin publik nuk dëshirojnë të punojnë për të ardhura mesatare nën mesataren e shtetit , përderisa funksionarët kanë fituar paga të larta për 78 për qind.

    “Nuk jemi të kënaqur me atë që është propozuar dhe presim ofertë më të mirë nga qeveria. Ne njëherësh kërkojmë përllogaritje të njëjtë të pagës së punëtorëve me atë të funksionarëve ku paga mesatare do të shumëzohet me koeficientin e ndërlikueshëmerisë”, thotë Trpe Deanovski, kryetar i Sindikatës së Administratës dhe Gjyqësorit.

    Për më tepër shton se nuk është e hijshme që në këtë periudhë të një inflacioni kaq të madhe që po ndodh në dy vitet e fundit të përcjellë edhe me tronditje të çmimeve të kemi një rritje kaq të madhe vetëm të pagave të funksionarëve të emëruar dhe zgjedhur.

    Sindikalistët thënë ndryshe, insistojnë që edhe pagat e punonjësve në sektorin publik të përllogariten në bazë të pagës mesatare bruto ngjashëm me atë të funksionarëve dhe jo në bazë të pagës minimale bruto. Kundërshtime ka edhe për propozimin që pas nënshkrimit të marrëveshjes që rritja e parë e pagave të jetë nga muaji mars i vitit të ardhshëm, ndërsa rritja më e madhe e pagave të mos paguhet menjëherë dhe tani, por për një periudhë prej pesë vitesh apo deri në vitin 2028. Pra sindikatat refuzojnë ofertën e qeverisë , që për të ta është e papranueshme për një rritje shkalle në 4.5 vitet e ardhshme, me rritja vjetore prej 2000 denarë të pagave.

    Nga Sindikata e Administratës dhe Gjyqësorit thonë se pagën mesatare në Maqedoninë e Veriut prej 34 mijë denarë e marrin vetëm dy për qind të të punësuarve në administratë dhe zyrtarëve në gjyqësor. Të gjithë të tjerët janë nën pagën mesatare. Analizat e tyre tregojnë se një pagë mesatare ose pak më e lartë merr vetëm një këshilltar shtetëror, ndërsa nivelet e tjera si shefat e departamenteve, këshilltarët dhe bashkëpunëtorët janë shumë më afër pagës minimale sesa mesatares.

    “Ne kemi propozuar që pagat tona të lidhen me pagën mesatare dhe të ndjekin rritjen e pagës mesatare. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që pagat për të ndjekin rritjen e inflacionit. Dhe kjo nuk është bërë në vendin tonë prej vitesh. Kemi vendosur një pagë minimale në vitin 2012 dhe inflacioni nga viti 2012 e deri më tani nuk është rritur me 14 për qind , por me 60 për qind. Përderisa pagat në sektorin publik asnjëherë nuk e pasuan inflacionin në Maqedoni“, thonë nga Sindikata e Administratës dhe Gjyqësorit.

    Sipas të dhënave të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë , më shumë se 96 për qind e të punësuarve në administratën dhe gjyqësorin marrin pagë nën mesataren, e cila është rreth 570 euro. Përfaqësues të qeverisë këmbëngulin se nuk do të ketë rritje pagash për sektorë të ndryshëm , por vetëm zgjidhje që nënkupton përfshirjen e rritjes së pagave për tërë sektorin publik. Ministri i Financave, Fatmir Besimi thotë se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme që do të sigurojë rritje të pagave të të punësuarve në sektorin publik, paraqet zgjidhja sistematike e miratuar dhe e definuar së bashku me sindikatat.

    “Në kuadër të Këshillit Ekonomik dhe Social, po diskutojmë në mënyrë intensive me sindikatat për të gjetur zgjidhje me të cilën do të vendoset metodologjia dhe do të prezantohet zgjidhja sistematike, me të cilën do të mbrohen të punësuarit në sektorin publik dhe standardi i tyre, sa i përket inflacionit. Bëhet fjalë për harmonizimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, që do të bëhet e vlefshme për të gjithë të punësuar në sektorin publik. “, thekson Besimi.

    Sipas tij, pagat e të punësuarve në sektorin publik do të rriten edhe gjatë këtij viti, ndërsa kjo rritje do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes zgjidhjes sistematike, që do të përcaktohet së bashku me sindikatat. Në ndërkohë, tashmë po paguhen pagat me 78 për qind më të larta të zyrtarëve. Sipas përllogaritjeve financiare për rritjen e të ardhurave të 1060 funksionarëve do të nevojiten më shumë se 15 milionë euro në vit. Nga ana tjetër për pagat në sektorin publik në vitin e kaluar janë harxhuar afër 540 milion euro në vit.

    Ndryshe, një numër i madh qytetarësh besojnë se pagat dhe pensionet e ulëta janë problemi më i madh me të cilin po përballet aktualisht vendi, tregon sondazhi i fundit i Institutit Kombëtar Demokratik (NDI). Anketa e publikuar më 6 qershor tregon se mbi 27 për qind e qytetarëve konsiderojnë se standardi i jetesës është problemi kryesor në vend. Për 22.9 të të anketuarve, problemi më i madh është krimi dhe korrupsioni, ndërsa për 13.3 për qind problemi është rritja e çmimeve dhe inflacioni. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Plani për ndryshimet kushtetuese: SY MË SY ME SECILIN DEPUTET!

    Lajmi i rradhës

    Certifikatat nga libri i amzës me përkatësinë etnike hyjnë në fuqi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë