Në Komunën e Dibrës, numri i pronarëve që kanë siguruar pasuritë e patundshme mbetet shumë i ulët. Vetëm një pjesë e vogël e pronarëve të banesave dhe shtëpive kanë bërë sigurimin e duhur, edhe pse popullata zotëron pasuri të konsiderueshme. Kjo situatë është e pranishme prej dekadash. Problemi ishte i dukshëm edhe gjatë vitit 2025, kur nga mbi 100 intervenime të Njësisë së Zjarrfikësve, vetëm 2 për qind e pasurive të dëmtuara ishin të siguruara. Në raportin e punës të prezantuar në Këshillin Komunal, u theksua se kjo përqindje minimale vlen si për sektorin privat, ashtu edhe për atë shoqëror.
Komisari i Njësisë Antizjarr në Dibër, Xhetan Miftaroski tha se kjo situatë nuk është në rregull, sepse dëmet janë të mëdha dhe të dëmtuarit nuk marrin kompensim, pasi pasuritë i kanë të pasiguruara. “Kjo përsëritet prej shumë vitesh. Ne kemi tentuar të informojmë popullatën për nevojën e sigurimit të shtëpive, banesave dhe objekteve të tjera, por kjo nuk ndodh”, thotë ai. Sipas tij, vetëm gjatë vitit të kaluar, në 114 intervenime dëmi material ka arritur në 137 mijë euro. Meqë objektet kanë qenë kryesisht të pasiguruara, dëmet nuk janë kompensuar.
Interesimi për sigurimin e pasurive të patundshme, si në qytet ashtu edhe në fshatra, vazhdon të jetë shumë i ulët. Shoqatat e sigurimeve që veprojnë në Dibër informojnë se kjo gjendje është e tillë prej më shumë se tre dekadash. Eksperti për sigurime, Bleron Pilku, thekson se kushtet që ofrojnë kompanitë janë të volitshme dhe se qytetarët duhet të sigurojnë shtëpitë dhe banesat, sidomos duke pasur parasysh se Dibra është zonë seizmike.
Pas tërmetit të vitit 1967, kur Dibra pësoi dëme të mëdha materiale, pati një rritje të interesimit për sigurime, por më pas ky interes ra gradualisht. Në uljen e numrit të pronarëve që sigurojnë pasuritë ndikon standardi i ulët i jetesës, si dhe mungesa e vetëdijes për rëndësinë e sigurimeve. Kompanitë e sigurimeve shtojnë se ka një rritje të interesimit tek nxënësit nëpër shkolla, por jo për sigurimin e pasurive të patundshme. /Koha/






