Papunësia bie lehtë, por gratë në RMV mbeten jashtë tregut

    Foto Ilustruese

    Tregu i punës në Maqedoninë e Veriut e ka mbyllur vitin 2025 me një rënie të lehtë të papunësisë dhe me një rritje të punësimit, por struktura gjinore dhe pjesëmarrja e ulët e grave vazhdojnë të mbeten sfidat kryesore. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), në tremujorin e katërt të vitit 2025 popullsia aktive ka arritur në 800.911 persona. Prej tyre, 709.523 janë të punësuar, ndërsa 91.388 rezultojnë të papunë. Shkalla e aktivitetit është 52.8 për qind, shkalla e punësimit 46.8 për qind, ndërsa ajo e papunësisë 11.4 për qind, shkruan gazeta KOHA.

    Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, numri i të papunëve është zvogëluar për 0.4 për qind, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia është 3.6 për qind. Paralelisht, numri i të punësuarve është rritur për 0.6 për qind, një sinjal i lehtë pozitiv për dinamikën e tregut të punës, megjithëse jo me ritëm të mjaftueshëm për të ndryshuar ndjeshëm strukturën ekzistuese.

    Megjithatë, prapa këtyre përqindjeve që në pamje të parë duken stabile, fshihet një pabarazi e theksuar gjinore. Nga numri i përgjithshëm i të papunëve, 57.9 për qind janë meshkuj dhe 42.1 për qind femra. Por dallimi bëhet më i dukshëm te pjesëmarrja në tregun e punës, ku shkalla e aktivitetit për meshkujt nga 15 deri 89 vjeç është 62.1 për qind, ndërsa për gratë vetëm 43.8 për qind. Shkalla e punësimit për meshkujt është 55.0 për qind, ndërsa për gratë 38.8 për qind. Diferenca prej mbi 16 pikë përqindjeje dëshmon se problemi nuk është vetëm papunësia, por edhe mosaktivizimi i grave në tregun e punës, qoftë për arsye strukturore, sociale apo mungesë mundësish konkrete.

    Ndërkaq, të rinjtë vazhdojnë të mbeten grupi më i brishtë. Shkalla e papunësisë në grupmoshën 15–29 vjeç arrin në 23.4 për qind, gati dyfish më e lartë se mesatarja kombëtare. Për të rinjtë meshkuj kjo normë është 22.5 për qind, ndërsa për femrat e reja 24.9 për qind, çka tregon se sfidat e tranzicionit nga arsimi në punë mbeten të theksuara.

    Një zhvillim pozitiv vërehet në rënien e punësimit joformal. Në tremujorin e katërt, 90.293 persona janë të punësuar në mënyrë joformale, që paraqet një ulje prej 10.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

    Pothuajse gjysma e tyre, 45.9 për qind, janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit, ndërsa 16.9 për qind në ndërtimtari, dy sektorë tradicionalisht me nivel më të lartë informaliteti dhe siguri më të ulët në punë. Ndër të tjera, nëse shihen shifrat në tërësi, nga 1.517.695 persona të moshës mbi 15 vjeç, rreth 716.784 konsiderohen joaktivë, pra jashtë tregut të punës. Edhe këtu, gratë dominojnë me 434.116 persona joaktivë, kundrejt 282.668 meshkujve, një tregues tjetër i hendekut strukturor në pjesëmarrje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Pak interesim për sigurimin e shtëpive / Pasuritë e patundshme, pa mbrojtje

    Lajmi i rradhës

    TikTok kthehet në Shqipëri pas ndalimit të vendosur nga qeveria

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë