AKTIVISTËT MJEDISOR: GAZIFIKIMI DO TË ULË NEVOJËN PËR SHKATËRRIMIN E MJEDISIT
Gazetare
Blerona Jakupi – Zylbehari
Ndërtimi i sistemit të gazifikimit në aksin Shkup – Tetovë – Gostivar, i cili filloi në dhjetor të vitit 201 dhe që pritej të përfundonte në dhjetor të vitit 2019, akoma nuk është përfunduar. Nga Resurset Ener gjetike të Maqedonisë thonë se paraliza që shkaktoi pandemia dhe problemet pronësoro juridike janë shkaqet kryesore të cilat i kanë ngecur punimet.
Në një deklaratë për Nistori, drejtori i Resurseve Energjetike të Maqedonisë, Bajram Rexhepi thotë se kanë ngelur rreth 16 km për të përfunduar aksin Shkup – Tetovë – Gostivar.
“Në aksin Shkup – Tetovë – Gostivar, me gjatësi 88 km, punimet kanë përfunduar në rreth 71 km, mbeten edhe 16 km, por kjo varet nga procesi i eksproprijimit të pronave. Procedurën e eksproprijimit e realizon Drejtoria për Çështje pronësoro-juridike dhe ndërtimi është krejtësisht i ndikuar nga ky proces. Gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë, shumica e seancave në këtë drejtori janë prolonguar ose anuluar, dhe në ndërkohë që vlerësimet e pronave janë me afat një vjeçar, rivlerësimi i tyre shkakton vonesa të konsiderueshme në ndërtim”, thekson
Rexhepi.
I pyetur se kur qytetarët do të mund të shfrytëzojnë gazin nëpër amvisëri, Rexhepi shprehet se kjo do të varet nga operatori i distribuimit.
“Procedura e partneritetit publiko-privat është në vijim dhe pritshmëritë janë që qeveria deri në fund të këtij viti të nënshkruajë marrëveshjen me partnerin privat për distribuim dhe të fillojë realizimi i projektit të ndërtimit të distribuimit”, deklaron Rexhepi.
Siç është paraparë, gazifikimi sekondar do të duhet të bëhet nga vet komunat. Komuna e Tetovës dhe ajo e Gostivarit thonë për Nistori se janë të gatshme të veprojnë nw përputhje me dinamikën dhe strategjinë shtetërore.
Por për aktivistin mjedisor, Arianit Xhaferi, shpërndarja e gazit natyror kërkon përvojë dhe siguri maksimale, që sipas tij, komunat nuk e ofrojnë.
“Ndërtimi i rrjetit sekondar dhe terciar i shpërndarjes së gazit natyror është një projekt që kërkon siguri maksimale prandaj është e rëndësishme që këtë dhe menaxhimin me ndërmarrjen ta bëjë ndonjë kompani e huaj që ka përvojë shumëvjeçare në këtë lëmi e të mos i lihet komunave të cilat fatkeqësisht, shpeshherë nuk janë në gjendje t’i mbulojnë as gropat në rrugë, deklaron Xhaferi për Nistori.
Nga ana tjetër, sipas Xhaferit, shfrytëzimi i gazit natyror është shumë i rëndësishëm sepse përveç se do të ulë nevojën për konsumin e energjisë elektrike do të ulë dukshëm edhe nevojën për të shkatërruar mjedisin.
“Pjesa më e madhe e amvisërive përdorin drurin për ngrohje duke shkaktuar ndotje të ajrit. Një pjesë tjetër shfrytëzojnë energjinë elektrike e cila prodhohet nga termocentralet që djegin thëngjill ku po ashtu ndotin ajrin dhe një pjesë e vogël shfrytëzojnë hidrocentralet që rrezikojnë resurset natyrore të ujit”, deklaron Xhaferi.
Ndryshe, realizimi i sistemit të gazsjellësit në Maqedoni është premtim i gati dy dekadash. /Nistori/