Në një paraqitje në emisionin “Vesti Plus” (Lajme Plus) në televizionin Kanal 5, Petrit Saraçini nga Instituti për Media dhe Analitikë IMA iu referua deklaratave të kryeministrit Mickoski lidhur me kërcënimet e pretenduara për destabilizimin e vendit.
“Këto deklarata të kryeministrit, të përsëritura disa herë, se BDI planifikon të destabilizojë vendin, janë vërtet brengosëse. Por nëse është vërtet kështu, çfarë po bëjnë institucionet për këtë?… Nga zyra e presidentes, apo jo, kanë lëshuan kumtesë se ajo nuk ka ndërmend të mbledhë Këshillin e Sigurimit, opozita akuzoi se Këshilli i Sigurimit ishte nuk është formuar fare. Çfarë po bëjnë institucionet për t’iu përgjigjur seriozisht këtyre kërcënimeve, nëse vërtet ekzistojnë ato kërcënime?… Nëse situata është kaq serioze, pse kryeministri po shkon në pushime?”, pyeti Saraçini.
Sipas Saraçinit, e gjithë kjo më shumë duket si retorikë politike për të defokusuar opinionin nga prioritetet kryesore që ia vendosi vetes Qeveria.
“Tre prioritetet e qeverisë ishin integrimi evropian, lufta kundër korrupsionit dhe ekonomia… Nuk shohim shumë gjëra në këto tre tema më të rëndësishme, që mendoj se qeveria e re i ka qëlluar shumë mirë. Por, ne nuk shohim aktivitet rreth kësaj, ne shohim aktivitet dhe zhurmë mediatike rreth marrëdhënieve ndëretnike”, theksoi Saraçini.
Ai konsideron se retorika radikale dhe nxitëse, e cila u vërejt në media dhe në opinion jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por edhe pas zgjedhjeve dhe pas formimit të qeverisë së re, ndikon negativisht në marrëdhëniet ndëretnike.
“Marrëdhëniet ndëretnike po bëhen qartazi sërish temë e nxehtë në diskursin politik dhe publik të vendit. Mendoj se është shumë e dëmshme për vendin, se marrëdhëniet ndëretnike janë shtylla bartëse e vendit tonë. Në vend duhet të kultivohen marrëdhënie të mira, të shkëlqyera, do të thoja, ndëretnike”, tha Saraçini.
Sipas tij, as elitat politike dhe as mediat nuk kontribuojnë mjaftueshëm në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike. Ai kujtoi retorikën në fushatën parazgjedhore, kur flitej sërish për rrezikimin e maqedonasve apo shqiptarëve, se kush ishte qytetar i rendit së parë apo i rendit të dytë.
“Fajtorët kryesorë janë elitat politike, para së gjithash, por edhe një pjesë e mediave, të cilat, padyshim, kanë marrëdhënie të ngushta me parti të caktuara politike, [janë ata] të cilëve u konvenon të ndezin vazhdimisht tensione ndëretnike, të mbajnë ato në qendër të vëmendjes së opinionit dhe në këtë mënyrë ta defokusojnë nga çështjet e rëndësishme për interesin publik, për qytetarët, për shoqërinë”, theksoi Saraçini gjatë paraqitjes në emisionin “Vesti Plus” në Kanal 5.