Paralajmërohen protesta, qytetarët nuk mund të sigurojnë dru për ngrohje

    Banorët e fshatrave të komunës së Jegunocit që ndodhen rrëzë Malit Sharr, janë në hall të madh. As në pronat e tyre e as në pronat e shtetit nuk mund të bëjnë dru për ngrohje. Kjo për shkak se në këto vendbanime është vija kufitare e Parkut Kombëtar. Këta banorë tashmë rrezikojnë të mbeten pa dru për ngrohje në prag të sezonit dimëror, sepse nuk u jepet leje për prerjen e druve. Probleme kanë edhe gjuetarët të cilëve u është ndaluar gjuetia.

    Lubomir Atanasovski banorë i fshatit Vratnicë thotë se me shpalljen e një pjese të Malit Sharr janë hapur shumë probleme.

    “Ndër vite banorët kanë bërë dru në Malin Sharr, disa në prona private, disa në prona shtetërore, kurse tani nuk mund të bëjnë. Tashmë është gjysma e Tetorit dhe njerëzit janë lënë pa dru. Me shpalljen e Malit Sharr për Park Kombëtar është bërë gabim i madh sepse kufiri është vendosur shumë poshtë deri tek shtëpitë. Apelojmë deri tek kuvendi dhe qeveria që të zhvendosen kufijtë e parkut kombëtar”, tha Lubomir Atanasovski banor i Vratnicës.

    Banorët e këtyre fshatrave kanë probleme edhe me pronat e tyre si dhe me gjuetinë. Tashmë gjuetia është ndaluar në këto zona.

    “Neve na është ndaluar edhe gjuetia, atëherë pse na kanë dhënë leje për pushkë gjuetie. Askund në botë nuk ka ndalesë të gjuetisë, kurse neve nuk na lejohet të dalim në gjueti. Mendoj se shteti duhet që të mendojë edhe njëherë për këta ndalesa që I bën dhe të na lejohet që të vazhdojmë me aktivitetet tona”, tha Fadil Sabriu nga Shoqata e Gjuetarëve Luboten.

    Ndërkaq, Baki Muharemi banor i fshatit Jazhincë, është ankuar se me përcaktimin e kufirit nga ana e Parkut kombëtar, ata edhe për punë tjera nuk mund të lëvizin. ”Ne kemi prona brenda parkut kombëtar, në rregull nuk jemi kundër parkut, por neve na ndalohet lëvizja për të kryer punët që më parë i kemi bërë.Unë në pronën time nuk mund të shkoj”, tha Muharemi.

    Protestat e banorëve i ka përkrahur edhe kryetari i komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinovski.

    “Më saktë ky është një problem që daton prej dy vitesh ndoshta edhe më shumë, pra që nga koha kur u shpall parku nacional. Vendimet e Parkut Nacional janë marrë pa koordinim dhe nuk kanë pyetur fare as qytetarët as komuna dhe as palët e prekura. Vendimi është marr duke qëndruar në zyrë pa e marr parasysh privatësinë dhe vendin se nga ku duhet të fillojë parku nacional. Andaj ka ardhur tani situata këtu. Apelojmë që ata të dalin në terren dhe ta zgjidhin problemin. Zyrat e vendit kërkon që të mund të priten dru në pronë shtetërore ashtu siç kemi vepruar me gjenerata të tëra, ndërsa parku nacional është përgjigjur negativisht pas konsultimeve me parkun nacional ata thanë se nuk mundet të lejojnë që të priten drutë në tokë shtetërore”, tha kryetar i komunës së Jegunocit Dimitar Kostadinovski.

    Banorët e fshatrave Jazhincë, Rogaçevë,Vratnicë, Orashë e Epërme, Bellovishtë, kanë paralajmëruar protesta radikale duke bllokuar rrugët nëse shteti nuk ndërmerr hapa konkrete për të lejuar këta banorë që të bëjnë dru për ngrohje. Lidhur me protestat e banorëve të komunës së Jegunocit me ndalimin për prerje të druve për ngrohje, ka folur drejtori i Ndërmarrjes Publike Parku Kombëtar Mali Sharr, Ibrahim Dehari. Ai tha se prona private nuk është e rrezikuar dhe në vend se institucionet tjera tashmë ky institucion leje dhe të njëjtat nuk i vonon. Më tej Dehari ka thënë se gjuetia është ndaluar sepse janë zhdukur shumë shtazë qoftë të egra qoftë të buta në Malin Sharr. Banorët, sipas tij, kanë kërkuar që të mos jenë në zonën e parkut kombëtar dhe tash është absurde të kërkohet zhvendosja e kufijve.

    “Askush që ka dorëzuar dokumentacion të plotë për prerje të druve në pronën e tij nuk ka pritur më shumë se dy javë. Ulja e çmimit është bërë, kushtet u janë mundësuar që shumë lehtë të marrin leje për prerjen e druve për ata që kanë prona në parkun kombëtar. Në pronë shtetërore ne nuk japim leje sepse ende nuk e kemi planin për menaxhim me pyjet”, tha drejtori i Ndërmarrjes Publike “Parku Kombëtar Mali Sharr” Ibrahim Dehari.

    Dehari tha se kufijtë e parkut kombëtar janë përcaktuar dhe për këta kufij i kanë votuar 82 deputetë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Ballkani i Hapur” | Osmani: Graviteti i Ali Ahmetit është aq i madh sa që vështirë se dikush mund të depërtojë

    Lajmi i rradhës

    83 meshkuj në mesin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë