Paralajmërohet anulimi për blerjen e autobusëve të rinj, në qarkullim kthehen autobusët e vjetër

    “Autobusët e viteve 90-ta, të cilët llogariteshin si ndotësit kryesor mund të kthehen përsëri në qarkullim në rrugët e kryeqytetit për shkak të rritjes së çmimit të metanit, por edhe për shkak të mungesës së vullnetit të autoriteteve për të subvencionuar që transportuesit të vozisin autobusë me lëndë djegëse ekologjike siç është metani”.

    Transportuesit privat thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga Qyteti i Shkupit dhe Qeveria për subvencione për metanin.

    Por thonë se nëse përgjigja është negative, atëherë autobusët ekologjik do të rrinë të parkuar, ndërsa do të qarkullojnë autobusët që ishin planifikuar për tu hedhur.

    “Tre autobus i kam blerë me metan, tani nuk kemi llogari të punojmë sepse është shtrenjtuar metani. E tani jemi detyruar patjetër ti kthejmë autobusët e vjetër. Autobusët e ri që i kemi blerë duhet ti parkojmë dhe dëmtohen nëse nuk voziten… ka shpenzime plus, së paku 3000 euro për autobus që ti rregullojmë e ti nxjerrim përsëri … Kemi marrë edhe kredi për të blerë autobusë të rinj, tani edhe kreditë nuk mund ti paguajmë”, tha Harun Imeri, transportues.

    Transportuesit privatë thonë se do të duhet të anulojnë edhe blerjet e autobusëve të rinj me metan. Madje shtojnë se vetëm në vendin tonë nuk ka masa kundër rritjes së çmimit të kësaj lënde djegëse.

    “Planifikonim të blinim rreth 15 deri në 20 autobusë. Tani jemi të detyruar ta anulojmë këtë aktivitet derisa nuk krijohen kushte më të mira. Në këto momente nuk është punë e mençur që të merren kredi për t’u blerë autobusë të cilët nuk mund të përdoren për shkak të çmimit të lartë të lëndës djegëse”, thonë nga Mak-ekspres Trans.

    “Në shtetet e tjera nuk ka ndryshime të çmimeve, me siguri kjo si rezultat i intervenimeve të qeverive ose të institucioneve përkatëse që e kontrollojnë këtë dhe ende kanë çmime të ulëta. Si shembull dje e kontrolluam çmimin në Serbi dhe ishte rreth 45-50 denarë”, thotë Lenin Jovanovski nga “Slloboda Prevoz”.

    Transportuesit privat thonë se institucionet tona duhet të interesohen se si vendet tjera e menaxhojnë situatën. Në tre muajt e fundit çmimi i metanit në vendin tonë ka qenë rreth 45 denarë për 1 kilogram. Ndërsa tani një kilogram kushton 110 denarë, për shkak edhe të rritjes në bursën botërore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shtyhet fillimi i gjykimit për profesorin që rrahu me boks hekuri nxënësin

    Lajmi i rradhës

    Poroshenko nuk shqetësohet nëse do të arrestohet pas kthimit në Ukrainë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë