Paralajmërojnë protesta nga administrata nëse nuk u rritet paga

    Kërkohet rritje graduale e pagave të të punësuarve në administratë, gjegjësisht rritje poenëve në 100 denarë. Në qoftë se Qeveria nuk e pranon këtë, Konfederata e Sindikatave të Lira paralajmëron grevë të përgjithshme. Theksojnë se ndihen të revoltuar për shkak të qasjes injoruese të pushtetit, sepse, edhe përkundër të gjitha kërkesave të dërguara deri te organet kompetente në Qeveri, mbi të gjitha deri te kryeministri Kovaçevski, nuk kanë marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë temë. Nga Konfederata akuzojnë Qeverinë se me rritjen e pagës minimale po bëhen manipulime me opinionin publik përmes paralajmërimeve për të ardhura më të larta.

    “Pjesa e degës së sindikatave dhe KSL-së morën vendim që së pari të dalim në rrugë. Në rrugë do të jemi më 30 mars në orën 15:30 para Kuvendit ku do ta shprehim pakënaqësinë tonë. Anëtarësia është e revoltuar. Ne ishim mjaft korrektë, ndoshta këtë duhej ta bënim edhe më herët, por dhamë shans për një dialog social. Është evidente se ata nuk e kuptojnë dialogun social. Për shkak se ata mbesin të shurdhër, ne dalim në rrugë, e pastaj besoj se do të ndërmarrim edhe masa më radikale“, tha Bllagoja Ralpovski, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira.

    Nga Qeveria thonë se kjo çështje është duke u shqyrtuar në Këshillin Social-Ekonomik dhe shtojnë se në seancën e djeshme qeveritare është definuar teksti i propozim-ligjit për ndryshim të Ligjit për Nëpunës Administrativë

    “Qëllimi bazë i propozim-ligji i cili u miratua dje është që të arrihet barazi mes të punësuarve në sektorin privat dhe publik me të ardhurat më të ulëta përmes vendosjes së vlerës së njëjtë të pagës ligjore minimale, harmonizimit gradual të pagave të tjera të nëpunësve administrativë në të gjitha nivelet, si dhe sigurimit të vazhdimësisë së ndryshimeve të rrogave në administratë në raport me rrogën minimale në nivel kombëtar si synim afatgjatë“, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.

    Dje edhe Sindikata e Punëtorëve në Administratë, Organeve të Gjyqësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH), e paraprakisht edhe SASHK-u paralajmëruan se do të organizojnë protestë nëse nuk bëhet harmonizimi i rrogave me rritjen e pagës minimale. /tv21/

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE akuzon se LSDM po fshihet pas BDI-së kur flitet për ndryshimin e modelit zgjedhor

    Lajmi i rradhës

    Nedellkov demanton: Qeveria nuk propozoi asnjë përqindje për pagat në arsim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë