VMRO-DPMNE akuzon se LSDM po fshihet pas BDI-së kur flitet për ndryshimin e modelit zgjedhor

    Foto: Nistori

    Opozitarja VMRO-DPMNE akuzon se LSDM po fshihet pas BDI-së kur bëhet fjalë për ndryshimin e modelit zgjedhor, për ta bërë me një njësi zgjedhore.

    “LSDM edhe pse në programin e saj premtoi një njësi zgjedhore, tash shohim se përmes pazarit koalicionues me BDI-në po provojnë që ta shesin tregimin “polic i mirë, polic i keq”, gjegjësisht se ata janë për një njësi zgjedhore, përderisa BDI është ajo që është kundër”, tha Dajanço Efrimov, VMRO-DPMNE.

    Aleanca për Shqiptarët kërkon që të bëhen 8 njësi zgjedhore. Thonë se modeli me 6 njësi zgjedhore është diskriminues për zonat me shumicë shqiptare,në krahasim me njësitë ku ka më shumë maqedonas.

    “Në qoftë se insistohet që ky ndryshim të sillet pa konsensus të partive më të mëdha politike atëherë do të thyhet një parim dhe thyerja e parimit implikon edhe probleme tjera dhe mosmarrëveshje tjera në zhvillimet politike në shtet”, tha Halil Snopçe, deputet i ASh-së.

    Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, që është nga radhët e BDI-së, mbrëmë në Televizionin Publik, u shpreh se çdo ndryshim i sistemit zgjedhor doemos të jetë me konsensus.

    “Për çdo ndryshim të sistemit zgjedhor duhet të ketë konsensus. Nuk duhet të ketë mbivotim dhe askujt nuk do t’i hynte në punë nëse shkohet me parimin e mbivotimit dhe kushtëzimit. Nëse nuk është kjo, do të jetë kjo, kjo do të ishte ultimatum dhe mendoj se Kuvendi nuk duhet të punojë nën ultimatum”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

    Kryeparlamentari Xhaferi pyeti se pse vetë partitë politike nuk dalin dhe të matet secili kush sa ka mbështetje. Por sipas tij, nuk është problemi në gjashtë njësitë zgjedhore, po te mbështetja.  BDI kërkon të mbeten 6 njësi zgjedhore.

    Modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore e kanë propozuar partitë më të vogla parlamentare që janë pjesë e maxhorancës. Në janar me këtë propozim edhe e kushtëzuan mbështetjen për Qeverinë e re Kovaçevski. Mbështetje në deklaratat e tyre kësaj ideje i kanë dhënë dy partitë më të mëdha, LSDM dhe VMRO-DPMNE. /tv21/

    Lajmi Paraprak

    ASh nuk e mbështetë propozimin për një njësi zgjedhore i cili është në procedurë parlamentare

    Lajmi i rradhës

    Paralajmërojnë protesta nga administrata nëse nuk u rritet paga

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë