Ish-shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, pretendon se nuk është e vërtetë se ka ndihmuar në pastrimin e parave për rastin “Parcelat në Vodno”.
Në mbrojtje të tij, Mijalkov sot në gjykatë tha se gjatë seancave kryesore është ndjerë si vëzhgues i gjykimit, sepse prokuroria nuk ka paraqitur asnjë dëshmi kundër tij, prandaj nuk ka marrë pjesë me pyetje në procedurë.
“Unë kurrë nuk kam dhënë udhëzime për ndonjë vepër penale, jo vetëm në këtë rast juridiko-penal, por as në ndonjë situatë tjetër”, tha Sasho Mijalkov, i akuzuar.
Mijalkov akuzohet se ka ndihmuar qëllimisht në pastrimin e parave të ish-kryeministrit të arratisur Nikolla Gruevski, i cili bleu parcela me para nga anëtarësitë e VMRO-së. I pyetur nga avokati i tij Zvonko Davidoviq, nëse e dinte se si janë fituar paratë e Gruevskit, dhe nëse ka dhënë një kompani offshore për të pastruar paratë, Mijalkov u përgjigj:
“As nuk e dija, as nuk kam mundur ta dija se ato para vijnë nga një vepër penale… Asnjëherë nuk kam pasur kontakt me arkën e partisë, as kam dëgjuar nga anëtarët e partisë, sidomos nëse mungon një sasi kaq e madhe parash, e të mos jetë vënë re”, u shpreh Mijalkov.
Mijalkov ishte përmendur gjatë dëshmisë së biznesmenit Aleksandar Ivanovski, i njohur si Alek Teranova. Sipas tij, Mijalkov ka urdhëruar që në vendin tonë të hapet një kompani simotër offshore nga Belize në pronësi të Gruevskit. Sipas aktakuzës, në kompani kanë hyrë rreth një milion e gjysmë euro. Me to, sipas aktakuzës, Gruevski ka blerë parcela në Vodno. Por, sipas deklaratës së biznesmenit Orce Kamçev, Gruevski në vitin 2015 ka ndërruar parcelat për tri banesa të mëdha me sipërfaqe të përgjithshme mbi 700 metra katrorë. /Alsat/