Partia Socialiste propozon ushtarakun Bajram Begaj për president

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Bajram Begaj është kandidati që do të propozohet për t’u zgjedhur presidenti i ri i Shqipërisë nga Partia Socialiste (PS) që udhëheqë vendin.

    Emri i tij është përzgjedhur përmes një votimi në selinë e kësaj partie, siç është bërë e ditur, mes 26 emrave që janë diskutuar. Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama ka thënë se emri i Begajt u propozua për shkak të profilit të tij ushtarak dhe dedikimit e shërbimit të tij ndaj shtetit të Shqipërisë.

    Ai gjithashtu theksoi se Begaj është figurë jopartiake dhe unifikuese, si dhe “shëmbëlltyra e normalitetit” për Shqipërinë.

    “Sot e kemi ridiskutuar dhe dakordësuar që PS-së i takon që në këtë moment të shkojë dhe shohë përtej vetes që t’u japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë në PS”, u shpreh Rama.

    Seanca e Kuvendit për të zgjedhur të parin e shtetit do të mbahet të shtunën, më 4 qershor, pas dështimit të tre rundeve të mëparshme, ku partitë opozitare nuk propozuan asnjë kandidat, duke i hapur rrugën PS-së që ta zgjedhë e vetme presidentin.

    Sipas Kushtetutës, vetëm në tre nga pesë runde në Kuvend kërkohet mbështetja e 84 deputetëve, mirëpo në rundin e katërt të votimit, president mund të zgjidhet kandidati që siguron një shumicë të thjeshtë të votave, përkatësisht 71 vota. Partia Socialiste i ka 74 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, që do të thotë si ka votat për ta zgjedhur zotin Begaj president të ardhshëm të Republikës.

    Begaj, mjek në profesion, mori detyrën si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, në vitin 2020.

    Që nga viti 1998 ai ka shërbyer në disa poste administrative ushtarake, si Komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, Kryeinspektor, dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

    Nëse të shtunën votohet në Kuvendin e Shqipërisë, Bajram Begaj do të jetë Presidenti i shtatë i Shqipërisë pas rënies së komunizmit.

    Presidenti i ri i vendit pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti – ditën kur largohet nga zyra presidenti aktual, Ilir Meta. /REL/

    Lajmi Paraprak

    A i bën më jetëgjatë ruajtja në frigorifer disa ushqime

    Lajmi i rradhës

    U transferua nga Zvicra në Kosovë për të vuajtur dënimin me burg përjetshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë