PARTITË DHE JOSHJA NDAJ VOTUESVE / Premtime pa detyrime!

    Apatia dhe zhgënjimi i madh në shoqëri është më së shumti për shkak të premtimeve të rrejshme të partive politike dhe politikanëve gjatë këtyre tre dekadave e gjysmë të pavarësisë, kur u paraqitën para qytetarëve përmes disa kuazi-programeve, kur premtuan një gjë ndaj elektoratit para zgjedhjeve, dhe ata bënë krejtësisht diçka tjetër kur erdhën në pushtet, ndërsa në shumë raste, premtimet e dhëna kanë mbetur vetëm në letër. E gjithë kjo ka ndikuar që me kalimin e viteve qytetarët të humbasin plotësisht besimin e tyre tek politikanët, kështu që tani në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare me të drejtë po kërkojnë nga kandidatët për poste që të dalin me një program të qartë në të cilin do të tregojnë me saktësi qëllimet për të cilat do të përpiqen dhe për të cilat kërkojnë besimin e tyre.

    Ajo që është një marrëdhënie e drejtë, është që qytetarët të dinë gjithmonë për çfarë votojnë dhe të kenë siguri politike për politikat që do të zbatohen nga një strukturë e ardhshme qeverisëse në katër vitet e ardhshme. Të gjithë duhet t’i përmbahen asaj që ka ofruar në programin e tyre, edhe nëse nuk e fitojnë qeverinë, por nga pozicioni i opozitës t’i imponojnë qeverisë programin e tyre si një garë konkurruese e koncepteve më të mira, në mënyrë që modeli më i mirë të jetë gjithmonë i zgjedhur në interes të qytetarëve dhe shtetit.

    Në të gjitha këto, qytetarët do të njohin parimet, respektimin e pikëpamjeve të tyre dhe premtimet e dhëna për ata që i votuan. Gjithçka tjetër është manipulim, shprehen njohësit e proceseve politike në vend. Sipas tyre parimi i parashikueshmërisë, si në ekonomi, duhet të ekzistojë edhe në politikë. Votuesit duan të dinë se çfarë do të marrin në katër vitet e ardhshme, nëse janë taksa më të ulëta, programe më të mira arsimore, kujdes më të mirë mjekësor dhe furnizim të rregullt me ​​barna, çmime të qëndrueshme, më pak korrupsion, të ardhura të mira dhe partitë janë të detyruara t’i vendosin këto në programet e tyre dhe t’i përmbahen të njëjtave.

    “Premtimet e politikanëve tashmë janë bërë një zhargon në vete dhe pothuajse të njëjtat përsëriten në çdo cikël zgjedhor. Por unë mendoj se politikanët aspak nuk e ndjejnë si detyrim atë që i premtojnë opinionit për vetë faktin se premtimet janë jashtë çdo limiti normal dhe shihen si të pamundura. E dyta ka të bëjë me faktin se premtimet janë pothuajse të njëjta tash e disa vite duke nisur nga inkuadrimi në BE, përmirësimi i ekonomisë dhe infrastruktura në fushë kjo që është top temë e premtimeve dhe e zhgënjimeve. Vite me radhë janë premtuar ndërtime të rrugëve, por në fakt janë premtime të dështuara dhe aspak serioze”, ka deklaruar Berat Azizi, analist.

    Ai shton se këtë vit kemi një ndryshim të kursit të premtimeve nga ana e politikanëve që sipas tij, nuk është një sinjal i mirë.

    “Premtimet tashmë janë transferuar në një gjeopolitikë më madhore për të cilën ne nuk kemi kapacitet e as fuqi që të ndikojmë ose të nisim realizimin e tyre. Premtimi për një Maqedoni të Veriut të inkuadruar në BE më duket një temë e harxhuar dhe e keqpërdorur tash e disa vite nga politikanët. Nuk mund të inkuadrohesh në BE nëse ke dështuar me reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, sundimin e Ligjit dhe barazisë dhe këto janë elemente të cilat që në fillim të bëjnë të mos shpresosh në premtimet boshe të politikanëve. Zgjedhjet e 2024 në sferën e premtimeve kanë shkuar më larg duke e ndarë popullatën në dy tabore Pro Evropës dhe Pro Rusisë, një ndarje kjo mjaft e rrezikshme për qytetarët e vendit”, ka deklaruar për Koha, Berat Azizi, analist.

    Ndërkaq, analisti politik Ivo Rangelloviq thotë se faji për politikën dhe rezultatet e saj në të gjitha sferat e shoqërisë i atribuohet vetë shoqërisë.

    “Domethënë, në këtë vend një numër i madh njerëzish, me vetëdije apo nga halli, drejtpërdrejt apo tërthorazi, burimin e ekzistencës personale e shohin te partitë dhe politikën, duke zbehur thelbin e shtresës së mesme, por edhe rëndësinë e masës kritike. Shumica e votuesve të varur nga partitë nuk janë të kënaqur me ndonjë ndryshim thelbësor për sa kohë që partia e tyre është në pushtet. Abstinenca e pjesës tjetër të shoqërisë është rezultat i kësaj praktike, ndaj shuhet dhe prushi i fundit për një ndryshim drastik në këtë vend. Konkluzioni është se e vetmja mundësi për të përmirësuar rendin politik dhe shoqëror në vend është një ndryshim drastik, vendimtar i ndërgjegjes publike dhe raportit të shumicës, dhe si rrjedhim sakrifica e disa brezave”, ka deklaruar për Koha, Ivo Rangelloviq, analist.

    Lajmi Paraprak

    Sa jemi larg nga kryerja e pagesave me kriptovaluta

    Lajmi i rradhës

    Shenjat e xhelozisё te fёmijёt – Çfarë mund të bëjnë prindërit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë