Partitë e kandidatët presidencial, përpjekje që sa më shumë ta njollosin kundërshtarin

    Po ashpërsohet atmosfera politike dhe retorika para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale, ku oponentët politik nuk po kursejnë akuzat dhe pohimet se cili është kandidat më i keq. Edhe vetë presidenti Stevo Pendarovski, në konventën e sotme të Partisë së pensionistëve të cilët në mënyrë të hapur i dhanë mbështetje, e shfrytëzoi mundësinë që të kritikojë kundërkandidaten Gordana Siljanovska-Davkova edhe atë për deklaratën që e dha ditëve të fundit, se nëse ajo bëhet presidente, do të amnistojë të dënuarit për rastin e 27 prillit.

    “Ata jo vetëm që nuk kërkuan falje, cilido prej tyre, në emrin e tyre ose kryetari i partisë i cili është trashëgimtar i vendosur në atë pozitë personalisht nga paraprijësi i tij, por ata gjithashtu propozojnë kandidat që paralajmëron amnisti për personat që hynë të vrasin dhe sulmojnë, me qëllimin kryesorë politik që të mos lejojnë bartje të qetë të pushtetit atyre që kanë shumicë të deputetëve në atë moment”, tha Stevo Pendarovski, president.

    Nga VMRO-DPMNE-ja as sot nuk e lëshuan mundësinë që të sulmojnë presidentin aktual dhe kandidatin e LSDM-së, Pendarovskin.

    “Pendarovski në vend që të sillet si president, sillej si korrier i Zaevit, e më pas i Kovaçevskit. Në vend që të përfaqësojë pozitat shtetërore, ai barte përshëndetje nga Zaevi në Bullgari dhe e quante Bojko Borisovin “dashuri”. Me “dashuri” për Bojkon arritëm deri te vetoja për BE nga Bullgaria”, pohoi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

    Nga LSDM-ja thonë se kandidatja e DPMNE-së, Siljanovska-Davkova, i ka ofenduar pensionistët.

    “Përderisa LSDM i rriti pensionet, i respekton dhe kujdeset për më të moshuarit, njerëz të DPMNE-së dhe Siljanovska i ofenduan pensionistët duke i krahasuar me “Muppet show”. Një sjellje e tillë ndaj pensionistëve është joadekuate dhe nënçmuese, plotësisht e papërgjegjshëm për një politikan, deputet apo kandidat për president”, theksoi Snezhana Kalleska vançeva, LSDM.

    E ngjashme është gjendja edhe në bllokun politik shqiptar. Nga VLEN akuzojnë se BDI-ja po përgatit parregullsi zgjedhore, për çka edhe OSBE/ODIHR ka paralajmëruar mbikëqyrje të përforcuar.

    “Bujar Osmani e ka për detyrim të sqarojë se pse është ky vlerësim i OSBE-së dhe, e dyta – po ashtu e rëndësishme – mbi bazën e cilave analiza dhe argumente e kishte vlerësuar Bujar Osmani në vitin 2023 se zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut mund të prodhojnë destabilitet? Kjo detyrimisht e shtron pyetjen se a po e përgatit BDI-ja terrenin për të shkaktuar krizë politike paszgjedhore, në mënyrë që qeveria teknike e Talat Xhaferit ta vazhdojë jetën e saj teknike? “, pohoi Amir Elezi, VLEN.

    Edhe përkundër gjendjes së tillë vazhdimisht me kritika të ndërsjella, fushata zyrtare për zgjedhjet presidenciale ende nuk ka filluar. Fushata fillon më 2 prill. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    LSDM: vota për VMRO-DPMNE, do të sjellë rrezik për vendin dhe popullin

    Lajmi i rradhës

    Vuçiq: pres lajme të këqija për Serbinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë