Partitë në Maqedoni duan “drejtësi” për vete!

    Numër rekord i ndërrimit të ministrave në tre dekadat e fundit në dikasterin e Drejtësisë. Që nga mëvetësia e shtetit e deri më sot në këtë karrige ministrore janë ulur 19 persona të cilët kanë pasur për detyrë reformimin e sistemit juridik në vend. Ministrat ishin profesorë në Fakultetin Juridik, anëtarë të ASHAM-it, gjykatës dhe juristë. Ministri i 19-të që do të ulet në këtë karrige, është Krenar Lloga, i cili vjen nga partneri i ri i koalicionit qeveritar, Aleanca për Shqiptarët. Ai  është jurist i diplomuar dhe magjistër i diplomacisë. Mesatarisht, ministrat e drejtësisë në këto tre dekada qëndruan në detyrë për rreth dy vjet. Kohën më të gjatë të kaluar në Ministrinë e Drejtësisë e shënon vetëm ish-ministri i VMRO-DPMNE-së, Mihajllo Manevski, mandati i të cilit ishte 5 vjet, ndërsa mandatin më të shkurtër prej një viti e kishte Bilen Saliji nga BDI. Me propozime nga radhët e LSDM-së në pushtet, në karrigen ministrore u ulën 6 ministra të cilët drejtuan Ministrinë e Drejtësisë për gjithsej 10 vjet, ndërsa nga BDI-ja në pushtet u zgjodhën 7 ministra me kohëzgjatje prej 9 vitesh.

    Nga opozita VMRO-DPMNE, në tre dekadat e fundit këtë pozitë e kanë udhëhequr dy me mandat gjithsej 8 vite. Njëri u emërua me propozim të PDSH-së, dhe një ekspert i pavarur.
    Statistikat e tilla tregojnë se ministri i Drejtësisë është posti më tërheqës për partitë politike. Profesori universitar, Gordan Kallajxhiev thotë se kjo në vetvete është paksa e çuditshme, sepse nga njëra anë tregon se partitë politike janë të interesuara të ushtrojnë ndikim në Prokurori dhe në gjyqësor dhe një pjesë e këtij ndikimi ndoshta ushtrohet edhe në ministri, e cila ende ka kompetenca të kufizuara, ndërsa një pjesë i kryejnë përmes posteve drejtuese në këshillin gjyqësor dhe prokurorial. Edhe pse vetë ministri ka relativisht pak hapësirë ​​për ndikim të drejtpërdrejtë në rastet dhe lëvizjen e tyre apo në vendimet e gjykatave dhe prokurorive, shpjegon Kallajxhiev.

    “Por ka edhe përfitime të tjera. Ministria ka një autorizim të madh për të dhënë licenca të ndryshme për funksione në gjyqësor si ekspertë, përmbarues, noterë, kanë ndikim në sistemin e burgjeve dhe këto janë fusha ku ka mundësi për ndikime korruptive. Supozoj se është një pjesë e tortës që partitë politike e kanë përvetësuar si një fitim të rregullt nga i cili do të nxirrnin disa përfitime dhe privilegje, madje edhe burime materiale. Mendoj se kjo është pjesë e atraktivitetit të këtij posti ministror”, thotë ai.

    Gjithashtu, praktika aktuale e ndërrimeve të shpeshta të ministrave të drejtësisë tregon se asnjë koalicion qeveritar nuk ka krijuar ende një sistem të vazhdimësisë në zbatimin e reformave kyçe në drejtësi. Në çdo zgjedhje parlamentare paralajmërohen ndryshime serioze në të gjithë sistemin e drejtësisë, siç është, për shembull, premtimi i vettingut ndër vite, të cilin ende askush nuk e ka vënë në jetë. Sipas Kallajxhiev, problemi qëndron në raportin e pabarabartë ndërmjet dëshirave të politikanëve për sukses të shpejtë me reformat dhe situatës reale në praktikë.

    Raporti i fundit i “Transparency International” tregon se mungesa e integritetit në përzgjedhjen e figurave kyçe në gjyqësor dhe trajtimi joefektiv i rasteve të vazhdueshme kundër korrupsionit po minojnë përpjekjet në drejtimin e duhur nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut për hapjen e rasteve të reja të korrupsionit. Se besimi tek gjyqësori nuk është në nivel të lartë ka treguar edhe sondazhi i fundit i Institutit Republikan Ndërkombëtar – IRI, i publikuar më 20 dhjetor 2022. Sipas tij, 76 për qind e qytetarëve kanë mosbesim të madh ndaj gjyqësorit apo prokurorisë dhe se ky numër ka vite që po thellohet. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Tetova dhe Gostivari, kronika e zezë përplot me raste kur qytetarët kafshohen nga qentë endacakë

    Lajmi i rradhës

    Jetesa në Maqedoninë e Veriut shtrenjtë e më shtrenjtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë