Jetesa në Maqedoninë e Veriut shtrenjtë e më shtrenjtë

    Rritja e çmimeve assesi të ndalet. Të dhënat e publikuara nga enti për statistika për inflacionin prej 17.1% në janar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë një sinjal shqetësimi serioz dhe një tjetër konfirmim se masat e marra nga autoritetet nuk po japin efektin e dëshiruar.

    Statistikisht, rritja më e madhe e çmimeve është tek ushqimet. Konkretisht buka është më e shtrenjtë me 39.1%, mishi me 28.3%, qumështi, djathi dhe vezët me 36.2%, vaji i gatimit me 18.4%, frutat me 11.4%. Trendi nuk ndalet pavarësisht masave të qeverisë për kufizimin e marzhit dhe masës për çmim preferencial të energjisë elektrike për prodhuesit. Ekspertët paralajmërojnë se çmimet e pazarit janë si në vendet e BE-së. Ata kritikojnë se Qeveria nuk po bën sa duhet për të përballuar sfidën dhe për të mbrojtur qytetarët.

    “Është fakt që kemi inflacion të importuar, por është fakt edhe që Qeveria mund të bëjë më shumë për të mbrojtur standardin e qytetarëve. Nëse shikojmë çmimet e produkteve bazë në krahasim me vendet anëtare të BE-së, ato janë në një nivel më të lartë. Mund të flasim për përqindje, për shifra, por qytetarët e ndjejnë inflacionin kur dalin në treg. Për shembull, qumështi, i cili një vit më parë kushtonte 42 denarë, tani është mbi 80 denarë. Ky është inflacion për qytetarët. Madje ajo që është tronditëse është se kemi raste kur qytetarët tanë bëjnë pazar në Greqinë fqinje, duke blerë produkte të caktuara sepse atje janë më të lira”, thekson ish-ministri i Financave, Kiril Minovski.

    Për disa ekspertë, është iluzore të priten efekte pozitive nëse masa e kufizimit të çmimit nuk kthehet.

    “Çmimet mund të ulen vetëm nëse Qeveria merr vendim për kufizimin e tyre, siç ka bërë në fund të vitit 2021, por shohim që nuk ka vullnet për një gjë të tillë. Prandaj do të thoja që fokusi kryesor i qytetarëve në periudhën e ardhshme duhet të jetë rritja e të ardhurave, pagave, pensioneve, ndihmave sociale. Ato duhet të rriten të paktën po aq sa inflacioni vitin e kaluar, pra të paktën 14%, për të parandaluar që njerëzit të varfërohen për shkak të çmimeve më të larta. Nëse nuk bëhet kjo, mijëra njerëz do të bien në varfëri edhe këtë vit”, thotë në një paraqitje televizive Branimir Jovanoviç, ekonomist.

    Qeveria tashmë ka paralajmëruar se të ashtuquajturat “përfitimet në krizë” nuk do të tolerohen. Ai u bëri thirrje kompanive të mbajnë premtimet e tyre dhe kërcënoi se do të heqin subvencionet për energjinë elektrike për ata që nuk ulin çmimet e produkteve.

    “Nëse nuk do të ketë ulje të mëtejshme, do të jemi në një situatë që do të shfuqizohet si mbështetje, sepse qëllimi i mbështetjes që ka dhënë Qeveria me kërkesën e dhomave të tregtisë ka qenë të ndikojë në uljen e çmimeve të produkteve bazë. Nëse nuk reduktohen në përqindjen e dakorduar ndërmjet kompanive dhe Qeverisë dhe sipas pritshmërive të konsumatorëve, është mirë që ato mjete t’i jepen qytetarëve përmes masave të ndryshme”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

    Sindikatat reagojnë se rritja e pagës minimale është minimale dhe tashmë është ngrënë nga inflacioni. Llogaritja e tyre për nevojat mujore të një familjeje katër anëtarëshe tregon se sa është e mjaftueshme. Sipas të ashtuquajturës shporta sindikale e Lidhjes së Sindikatave, në muajin janar arriti në 50.799 denarë, ose pothuajse tri paga minimale aktuale. Më së shumti para ose 19.206 denarë janë shpenzuar për ushqim dhe pije, ndërsa 13.313 denarë për shpenzime të përgjithshme. Për higjienë nevojiteshin minimalisht 3.097 denarë, për transport 3.668 denarë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Partitë në Maqedoni duan “drejtësi” për vete!

    Lajmi i rradhës

    Filmi më “kuller” i realizuar ndonjëherë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë