Pendarovski: Ndryshimet kushtetuese nuk janë të paarritshme

    Opozita bëri ndryshim prej 180 shkallëve lidhur me pohimet e veta në muajt e kaluar dhe në takimin e liderëve nga ana e tyre nuk u përmend diktati bullgar, as se kjo përbërje parlamentare nuk ka mandat për ndryshime kushtetuese dhe nëse vazhdojnë t’i përmbahen kësaj qasjeje të re, pa përmendje të pohimeve nebuloze se vetëm si bullgarë mund të hyjmë në BE, atëherë numri prej 80 deputetëve për miratim të ndryshimeve kushtetuese nuk është i paarritshëm, thotë presidenti Stevo Pendarovski në intervistën për “Faktor”, përcjell Nistori.

    Sipas tij nuk mund të ketë ndonjë dëm për identitetin maqedonas përfshirja edhe e 6 kombeve në Kushtetutë përderisa për 22 vite në të janë përfshirë 7 kombe apo pjesë të kombeve.

    “Për fat të keq opozita vendosi që më shumë të kujdeset për vlerësimet e saja sesa për interesat strategjike të shtetit, dhe kjo është e vetmja arsye për të cilën është e pasigurt nëse do të ketë ndryshime kushtetuese”, theksoi Pendarovski.

    Kur bëhet fjalë për qëndrimin e opozitës si dhe zërat se edhe në shumicën qeveritare ka persona të cilët do të shtypin butonin “jo” për ndryshimet kushtetuese, Pendarovski u shpreh se opozita në muajt e kaluar ka bërë ndryshim prej 180 shkallësh në pretendimet e veta.

    “As në mbledhjen e lidershipit nuk e kanë përmendur diktatin bullgar, e as që kjo përbërje parlamentare nuk ka mandat për ndryshimet kushtetuese. Në takimin e liderëve, ata pranuan të hyjnë në Qeveri dhe të udhëheqin me pesë dikastere, si dhe shprehën kundërshtimin e tyre për pjesëmarrjen në qeveri të partisë më të madhe të shqiptarëve. Nëse vazhdojnë t’i përmbahen kësaj qasje, pa përmendur pretendimet se vetëm si bullgar mund të hyjmë në BE, atëherë shifra prej 80 deputetësh nuk është edhe aq e paarritshme”, potencoi ai.

    Përderisa foli për punën e tij në mandatin presidencial, Pendarovski theksoi se në këto 4 vite ka pasur edhe situata që kanë shkuar përtej asaj që quhet rutinë politike të cilat në raste edhe e kanë lënë vendin në një provë shumë serioze, e që si raste të tilla ai përmendi periudhën me pandeminë e Kovid-19, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të shpërbërjes së Parlamentit, qeverinë me mandat teknik, luftën në Ukrainë, ku sipas tij përfshirja ishte aktive pasi ishim edhe vend anëtar i NATO-s, si dhe kornizën negociuese evropiane e cila u miratua në një atmosferë të tensionuar, por që siç tha ai, e njëjta ka mbrojtur interesat kombëtare të maqedonasve si identitetin dhe gjuhën, dhe e cila ka mundësuar që pas 17 vitesh të fillojnë negociatat me BE-në.

    “Por përsëri sa i përket punës time në këto katër vite, në këto kushte, fjalën e fundit duhet ta thonë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ajo që unë mund të them është vetëm se në kuadër të kompetencave të mia kam investuar sinqerisht me të gjitha njohuritë dhe aftësitë e mia për të marrë vendime që do të jenë në interes të gjithë qytetarëve tanë”, u shpreh Pendarovski.

          Lajmi Paraprak

          Grenell tha se ka pasur ide për largimin e KFOR-it, Surroi: Demonstrim i pabesueshëm i paaftësisë së diplomacisë Trump

          Lajmi i rradhës

          Tri pikëkalime kufitare me Serbinë vazhdojnë të jenë të bllokuara për kamionët dhe autobusët

          Lajme tjera

          Bashkohu

          Informohu në kohë