Pendarovski: Tempoja e ngadalshme e procesit të integrimit në BE është një prej kërcënimeve për demokracinë e Ballkanit

    Në dy dekadat e fundit nisma SHBA-Karta e Adriatikut (A-5) u tregua si një mekanizëm i suksesshëm rajonal për përforcimin e besimit ndërmjet vendeve anëtare, por edhe më gjerë, vlerësoi ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në Konferencën e sotme të 26-të të shefave të Shtatmadhorive (SHSHM) të armatave nga vendet anëtare të SHBA-së-Karta e Adriatikut (A-5), shkruan AIM, përcjell Nistori.

    Ajo në fjalën e saj theksoi se rezultatet e veprimit dhe bashkëpunimit të kësaj nisme janë më se të dukshme dhe të njohura gjerësisht.

    “Katër nga anëtarët e saj ekzistues janë anëtarë të plotë të aleancës së NATO-s, por ne bashkërisht kontribuojmë në mbështetjen e paqes ndërkombëtare dhe operacioneve ndërkombëtare, kontributi ynë i përbashkët në misionin ISAF dhe “Mbështetje e shkëlqyer” u njohën gjerësisht dhe u vlerësuan nga aleatët tanë. Gama e ideve dhe projekteve për bashkëpunim vazhdon në zhvillimin e aftësive mbrojtëse në kuadër të NATO-s, në procesin e planifikimit të mbrojtjes dhe përmbushjen e detyrimeve nga qëllimet e kapaciteteve dhe synimet e partneritetit, ndërsa pastaj  në kuadër të trajnimit dhe ushtrimit të përbashkët të forcave, menaxhimit të krizave dhe shumë fusha tjera”, theksoi Petrovska.

    Ministrja tha se në dy dekadat e fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin motivuesit dhe mbështetësit më të mëdhenj të agjendave evropiane dhe euroatlantike të vendeve anëtare të Kartës.

    “Pa mbështetjen tuaj vetëmohuese, ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Jam e bindur se mbështetja do të vazhdojë me intensitet të pazvogëluar edhe në periudhën e ardhshme dhe në realizimin e projekteve të ardhshme të planifikuara në kuadër të Kartës”, tha Petrovska.

    Sipas saj, dy dekadat e fundit treguan se bashkëpunimi i ndërsjellë, besimi dhe mbështetja e padyshimtë janë shtytëse të postulateve të bashkëpunimit rajonal.

    “Bashkëpunimi me ju më jep të drejtën të jem e sigurt se me sukses ballafaqoheni me të gjitha sfidat dhe se do ta bëni ende më me sukses në periudhën e ardhshme. Por, është koha që një vendosmëri dhe mençuri e tillë të njihet edhe te lidershipi politik në vendin tonë dhe vendet e rajonit dhe energjinë ta drejtojmë kah zgjidhja e problemeve, ndërsa jo ndezjes së tyre dhe krijimin e të rejave”, porositi Petrovska.

    Komandanti i Komandës së Armatës së SHBA-së për Evropë, gjeneral Kavoli tha se pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë tregon vlerën dhe rëndësinë e sigurisë kolektive  dhe integritetin kolektiv territorial.

    “Të gjitha vendet që janë të pranishme këtu kanë programe të rëndësishme për bashkëpunim të përbashkët dhe marrin pjesë si partnerë dhe aleatë në modernizimin e NATO-s në suaza të konceptit për mbrojtje kolektive. Pushtimi i Rusisë, gjithashtu na përkujton se duhet të punojmë për stabilitet çdo ditë dhe ngjarjet në këtë rajon që ndodhën së fundmi tregojnë se të gjithë duhet të kontribuojmë për stabilitetin çdo ditë”, theksoi Kavoli.

    Në konferencë u drejtua edhe presidenti Stevo Pendarovski i cili shprehu kënaqësi që këtë vit kryesimin me grupacionin A-5 e ndërmori vendi ynë, dhe atë për herë të parë pasi është anëtare e NATO-s. 

    Theksoi se nga formimi e deri më sot, Karta e Adriatikut në shkallë të madhe e ka realizuar qëllim-promovimin inicial dhe implementimin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s, për çka edhe ishte themeluar.

    “Gjatë tërë viteve të kaluara Maqedonia e Veriut pa hamendje investoi në promovimin e qëllimeve të Kartës dhe do të vazhdojë ta bëjë atë me qëllim në mënyrën më të mirë të kuptohen dhe pranohen përparësitë e partneritetit dhe integrimit në Aleancën e NATO-s, në atë kontekst dëshiroj posaçërisht ta theksoj rëndësinë e mbështetjes së përgjithshme nga ana e SHBA-së e cila edhe sot vazhdon ta ofrojë për aspiratat euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, ndërkaq në funksion të sigurimit të paqes dhe prosperitetit të mbarë rajonit”, tha Pendarovski.

    Vlerësoi se pushtimi rus ndaj Ukrainës si asnjëherë më parë e ka imponuar nevojën që BE-ja të fokusohet në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, proces, për të cilin vlerësoi se do ta përforcojë stabilitetin, sigurinë dhe demokratizimin e rajonit.

    “Për fat të keq, prolongimi i eurointegrimeve për shkaqe të ndryshme, praktikisht i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor e luhatë kredibilitetin e Unionit. Tempoja e ngadalshme e procesit të integrimit në Union është një prej kërcënimeve për demokracinë e Ballkanit. Disa  hulumtime të mendimit publik tregojnë se po bie mbështetja për organizatatat dhe vendet e orientuara perëndimore, dhe për herë të parë pas tre dekadave rritet mbështetja për disa organizata të tjera dhe modele të ndryshme të menaxhimit”, porositi Pendarovski.

    Në konferencë ishin të pranishëm edhe shefat e SHM të forcave të armatosura (FA) të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë dhe Ushtrisë së Malit të Zi, si dhe kryesues të lartë ushtarak nga Komanda e bashkuar e NATO-s nga Napoli dhe nga Komanda e SHBA-së për Evropë.

    Si vëzhgues në konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit ushtarak nga SHM i FA të Sllovenisë, SHM të Ushtrisë së Serbisë dhe Forcave të Sigurisë të Kosovës (FSK), ndërsa si mysafirë në konferencë ishin komandantët e gardave nacionale të shteteve federale amerikane, të cilat janë partnere të vendeve nga A5 dhe atë nga Vermonti, Minesota, Ajova, Merilendi, Ohajo, Kolorado, Nju-Xhersi dhe Mejni. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mbi 45 mijë libra mungojnë në shkollat e Tetovës, viti shkollor ka filluar qe një muaj

    Lajmi i rradhës

    Rama kritikon Borrell: Deklarata për Kosovën nuk i përgjigjet realitetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë