Për çfarë dhe sa u dënua ish-kryeministri Nikolla Gruevski?!

    10 vjet e gjysmë burg. Ky është dënimi total me burg, që i është shqiptuar ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

    Dënimet e Gruevskit për rastet “Tanku” dhe “Shuplakat në Qendër” tashmë janë përfundimtare, ndërsa i fundit për “Parcelat në Vodno” është e shkallës së parë.

    Ish-kryeministri, tani azilant politik në Hungari, Nikolla Gruevski po gjykohet në mungesë në katër raste të tjera – “Titanik”, “TNT”, “Talir” dhe “Talir 2”.

    Karriera 18-vjeçare politike e Nikolla Gruevskit, përfundoi në vitin 2017 me një sërë akuzash për krime të kryera si kryeministër dhe lider i VMRO-DPMNE-së. Karrierën e tij si ministër i Financave e filloi në vitin 1999 dhe e udhëhoqi këtë departament deri në vitin 2002, kur u zgjodh kryetar i VMRO-DPMNE-së. Ai drejtoi partinë për tre vitet e ardhshme si opozitar dhe që nga viti 2006 bëhet kryeministër.

    Ambiciet e Gruevskit fillojnë që atëherë. Akuzat ndaj tij tregojnë se që atëherë Gruevski ka kryer vepra penale. Sipas rastit “Parcela në Vodno”, i cili dje i solli Gruevskit edhe shtatë vite burg, ai që nga viti 2006 në mënyrë të paligjshme ka mbledhur para nga VMRO-DPMNE. Ai ka mbledhur 1,3 milionë euro nga donacionet partiake për të blerë parcela në Vodno. Paratë i ka mbledhur nga viti 2006 deri në vitin 2012, kur i ka blerë pronën, e cila i është konfiskuar me vendim të Penales.

    Pas kësaj ai filloi të ndërtojë Pallatin e Bardhë – selinë e re të partisë për të cilën do të akuzohet gjithashtu.  Sipas aktakuzës, e dyshimtë është mënyra e grumbullimit të parave nga viti 2009 deri në vitin 2015, sërish vitet kur ishte në pushtet, nga biznesmenë dhe nga burime anonime, të cilat dyshohet se janë paguar nga simpatizues dhe anëtarë të partisë. Ai po gjykohet në mungesë edhe për financim të paligjshëm të VMRO-DPMNE-së, në rastin “Talir”. Gruevski është gjithashtu i akuzuari kryesor për parregullsitë zgjedhore në rastin “Titanik”, për ciklet zgjedhore mes viteve 2011 dhe 2014. Në këtë rast, disa nga ish-bashkëpunëtorët e Gruevskit e pranuan fajësinë.

    Ish-kryeministri akuzohet edhe se ka urdhëruar rrënimin e kompleksit “Cosmos” të Fiat Canoskit, për shkak të hakmarrjes politike pasi Canoski doli nga koalicioni me VMRO-DPMNE dhe iu bashkua LSDM-së. Kompleksi u shkatërrua në verën e vitit 2011. Vitin e ardhshëm, pra në vitin 2012, ai do të porosisë një Mercedes luksoz në vlerë prej 600 mijë eurosh – për të cilin është dënuar me dy vite burg. Por, kur u desh të paraqitet për vuajtje të dënimit me burg u arratis, ndërsa bashkëpunëtorët porositësit e automjetit Gordana Jankulovska dhe Gjoko Popovski janë në burg.

    Në rastin “Trajektorja” për ndërtimin e autostradës kineze Miladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër, vepër e vitit 2013, Gruevski akuzohej edhe për marrjen e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm, por kjo vepër e Gruevskit u vjetrua. Në të njëjtin vit ai do të urdhërojë dhunën në Qendër, për të cilën do të dënohet me një vit e gjysmë burg.

    Duke përdorur lidhje të ngushta me autoritetet hungareze, Gruevskit iu dha shpejt azil politik, duke minimizuar shanset e tij për t’u ekstraduar në atdheun e tij. Ai është në listën e zezë amerikane, që prej dy javësh. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Petkoviq: Beogradi po bllokon gënjeshtrat e Prishtinës dhe jo dialogun

    Lajmi i rradhës

    Partitë politike pa qëndrim për propozim ligjin e ri për falje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë