“Për punëtorët qebapë, për Qeverinë biftek!”

    Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë gjatë ditës së djeshme protestuan me rastin e 1 Majit – Ditën e punëtorin me moton “Punëtorët janë shteti”. Të shtypur nga problemet, kriza, mungesa e parave, në sindikatat e punëtorëve të Maqedonisë së Veriut përsëri ka nisur të fryjë konstruktiviteti dhe bashkimi. Sipas tyre, protestat e 1 majit nuk do jetë thjeshtë një dekoratë tradicionale, por një proces i tillë do të vazhdoj  edhe në periudhën në vijim.

    Nënkryetari i LSM-së Slobodan Trendafilov tha se është e rëndësishme që të gjithë qytetarët të dalin në rrugë. “Të gjithë do fillojmë nga një vend tjetër por në fund të gjithë do mblidhemi para Qeverisë, pasi në parim jemi dakord që diku duhet të qëndrojmë bashkë dhe ajo është para Qeverisë. Kjo do të nënkuptoj fillimin e bashkëpunimit që e kemi paralajmëruar dhe që u vërtetua që para një muaji. Duke pasur parasysh që ne bëmë atë që po bëjmë tash e 5 vite mund të shihni se në njëfarë mënyrë po ndodh një bashkim. Dallime se kush dhe si ka, por sapo jemi në rrugë ju tregojmë atyre që krijojnë politika se dicka nuk po shkon në këtë shtet”, u shpreh Trendafilov.

    Pavarësisht se marshuan në rrugë me orare të ndryshme, sindikatat kanë kërkesën e përbashkët që është mos-kalimi i rritjes së pagave të zyrtarëve me 78%, si dhe ndryshimet ligjore për punë 60 orëshe në javë. Për Trendafilov e rëndësishme është që pavarësisht se si shprehen, mesazhet që duan të dërgojnë janë të njëjta. Dora e shtrirë e sindikatës më të madhe në vend ndaj sindikatave tjera është ajo që jep shpresë, që është nxjerrë mësim nga lëvizjet e gabuara në të kaluarën e sidomos vitin e kaluar, kur në mes të grevës LSM-ja lëshoi pe për rritjen e pagave. “Nëse janë të sinqertë, le të ngulmojnë këtë herë. Ne do jemi para qeverisë ku në shenjë simbolike për punëtorët do të shpërndajmë qebap ndërsa për zyrtarët në qeveri biftek. Ne nuk mund të pranojmë që pagat e deputetëve të rriten në 78% ndërsa pagat e gjysmës së administratës mos të përshtaten as sipas rritjes minimale të pagës”, u shpreh kryetari i Konfederatës së Sindikatave të lira.

    Për nevojën e bashkimit flasin pothuajse të gjithë përfaqësuesit e sindikatave, e disa prej tyre besojnë që tashmë nuk është koha për të provuar, por është mirë që në kërkesat e tyre të ketë unitet. Sipas kryetarit të Konfederatës së Sindikatave të Lira Marjan Ristevski, është koha që ata të bashkohen. “E shihni se sa ashpër po sillen Qeveria dhe punëdhënësit. Nuk po zgjedhin më fonde, janë të bashkuar dhe ne duhet ta kuptojmë, të bëhemi serioz pasi në anën tjetër kemi njerëz që nuk kanë pardon por që duan të aktrojnë edhe qeverinë edhe punëdhënësit dhe me një fjalë marrin edhe rolin e sindikatës”, u shpreh Ristevski.

    Nga ana tjetër për njohësit e çështjes uniteti është e vetmja mënyrë e të qenit efikas në luftën për të drejta më të mira në punë. Profesori universitar Lazar Jovevski paralajmëroi se ky aspekt i veprimtarisë së sindikatave ka munguar ndër vite. Sipas tij nëse LSM-ja do të mund të përshkruhej me një fjalë ajo do ishte që në të vërtet sindikatat nuk luftojnë me njëra-tjetrën, por as nuk kanë unitet sindikal. “Situata është e tillë që edhe pse kanë interesa të përbashkëta, synime dhe platforma për veprim që është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës, në praktik ende u mungon aspekti i vetëm i veprimit. Të bashkëpunosh dhe të veprosh në unitet janë dy gjëra të ndryshme. Bashkëpunimi është vetëm një hap themelor që nevojitet për të arritur në unitet”, tha Jovevski.

    Sipas tij arsyet e ndarjes janë të llojeve të ndryshme e ndonjëherë duhet të kapërcehen mosmarrëveshjet personale të drejtuesve të sindikatave pasi një situatë e tillë është në favor të punëdhënësit dhe shtetit. Një sfidë e madhe është aspekti i udhëheqjes reale sindikaliste që ka kapacitetin dhe pjekurinë për të bashkëpunuar dhe vepruar si një. Sipas Jovevskit kjo duhet të manifestohet në mënyrën dhe kohën e duhur, pasi siç thuhet kohët e vështira janë ato kur njihen heronjtë, kështu që kur ka situata ata duhet të dalin nga rehatia personale dhe mosmarrëveshjet dhe të veprojnë në mbrojtje të idesë në të cilën besojnë dhe luftojnë.

    Për Drage Jovanovskin ekspert i të drejtave të punës, sindikatat tona nuk kanë as fuqi dhe as anëtarësi të mjaftueshme. Pagat, kontratat kolektive, të drejtat e punës, janë vetëm disa nga çështjet për të cilat sindikatat, qeveria, dhe punëdhënësit po luftojnë brenda këshillit socio-ekonomik. Seancat mbahen rregullisht ndërsa mungojnë rezultatet e dëshiruara, ose të paktën ato që duan punëtorët. Rritja e pagave të zyrtarëve me 78%, plani për ndryshime ligjore 60 orë punë në javë si pjesë e parashtruar në kontratën me “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d, janë arsyet që  derdhën kupën e pakënaqësive. Sindikatat reagojnë duke thënë se qeveria pa turp dhe ndjenjë përgjegjësie dëshiron që nga punëtorët të bëjë skllevër që punojnë nga 12 orë në ditë vetëm për të përmbushur interesat personale të biznesit të dikujt. Nga ana tjetër nga qeveria thonë se ligj nuk përmend 60 orë punë në javë por që opozita po krijon kaos duke shpërndarë lajme të rreme dhe manipulime. Ministrja e MPPS Jovana Trençevska tha se të drejtat e punëtorëve mbrohen me ligjin për marrëdhënie pune dhe se qeveria dhe ministria përkatëse do të mbrojnë të drejtat e tyre. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Sa duhet të përfshihen prindërit në edukimin e fëmijëve?

    Lajmi i rradhës

    Ariu shkatërron kosheret me bletë në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë