PERIUDHË PARAZGJEDHORE | Partitë në “gjah” të kandidatëve!

    Përkundër faktit që koha po ftohet dhe po shkojmë drejtë dimrit, skena politike në vend ka filluar të nxehët. Aktorët politik po planifikojnë organizimin paralel të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare në vend. Në opinion flitet se vetëm se është filluar të bëhet përllogaritje pasi edhe në fillim të vitit 2024 vijnë edhe afatet e rregullta për të dy ciklet zgjedhore.

    Në anën tjetër, partitë politike kanë filluar të bëjnë diskutime dhe anketa të brendshme se kush duhet të jetë bartës liste në njësitë zgjedhore por edhe cili kandidat do të kishte qenë më i përshtatshëm për president të vendit.

    Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, do të jetë bartës i listës së kandidatëve në Njësinë zgjedhore 1. Ai nuk i zbulon bartësit për njësitë tjera zgjedhore.

    “Kam lindur në Shkup, jam rritur këtu, jetoj në komunën e Karposhit dhe është pjesë e njësisë zgjedhore 1. Është e logjikshme që të jetë njësia në të cilën do të prija listën e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një intervistë për media.

    LSDM është në dijeni të premtimit të BDI-së për kryeministër shqiptar në qeverinë teknike, pra në 100 ditët e fundit para zgjedhjeve. Ka shumë gjasa që të jetë një shqiptar që nuk është anëtar i BDI-së, ku Fatmir Bytyqi nga radhët e LSDM-së nuk do ta refuzonte një ofertë të tillë.

    “Nëse konsensusi dhe momentumi do të më kërkonte të shërbeja në postin e kryeministrit, do ta pranoja sfidën, por ky nuk është çmimi i vetëm që kam hyrë në politikë. Të gjithë do të thonë se duhet të keni ambicie, unë them që ambicia ime është t’i shërbej qytetarëve. Nëse më kërkohet të jem kryeministër, jam i gatshëm të përgjigjem në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha ministri Fatmir Bytyqi në një intervistë për media.

    Të dyja partitë po shqyrtojnë intensivisht një kandidat për president. VMRO DPMNE pret një shans të dytë për profesoreshën Gordana Siljanovska-Davkova, por zyrtarisht një kandidat do të zgjidhet tradicionalisht në një konventë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

    Në LSDM po zhvillohet edhe një sondazh i brendshëm partiak. Shanset më të mëdha opinioni i jep ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili do të ishte kandidat i përbashkët i koalicionit qeverisës, ndonëse nuk përjashtohet që Stevo Pendarovski t’i ofrohet mandat i dytë.

    “Lidhja Evropiane për Ndryshim” i tre partive opozitare shqiptare synon t’i bashkohet garës presidenciale.

    “Shqiptarët si komunitet i dytë meritojnë të kenë kandidatin e tyre dhe të hyjnë në betejë për postin më të lartë në vend. Me një kandidat të mirë që do të jetë një vlerë e shtuar për atë garë zgjedhore, do të jetë kontributi ynë në proceset demokratike në vend dhe mendoj se do të jenë vota kyçe si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare”, tha kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.

    Ndryshe, ende nuk dihen datat e zgjedhjeve. Qeveria beson se duhet të kemi zgjedhje presidenciale në pranverë dhe zgjedhje parlamentare në verë. Opozita kërkon një emërim të përbashkët në maj. Kryeparlamentari Talat Xhaferi u dha afat deri në Vitin e Ri që të arrijnë marrëveshje. Më pas, ai bëri të ditur se do të marrë vetë përgjegjësinë dhe do t’i shpallë zgjedhjet në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. /koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, si ndikon divorci te fëmijët?

    Lajmi i rradhës

    Vajzat në RMV nuk vaksinohen me HPV, shkak mitet dhe stereotipet, të pambështetura shkencërisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë