RMV, si ndikon divorci te fëmijët?

    Kur një martese i vjen fundi shqetësimi më i madh që mund të kenë prindërit është për mënyrën se si do ta përjetojnë fëmijët gjithë këtë periudhë, pasi edhe pse divorci mund të jetë stresues për gjithë familjen, ai më së shumti ndikon tek fëmijët. Psikologja Fatime Ziberi vlerëson se mosha më e prekur që më vështir e përballon divorcin padyshim është fëmijëria e hershme pasi zhvillimi i tyre psiko-social konceptin e familjes e sheh si mjedis të sigurt dhe mbështetës për nevojat e tyre.

    “Duke mos qenë në gjendje të kuptojnë se divorci është vendim i prindërve dhe jo pasojë e veprimeve të tyre, prishja e konceptit të familjes nga fëmijët shihet si një situatë traumatizuese dhe pikërisht për këtë shpeshherë e zhvillon ndjenjën e fajit dhe turpit”, thotë ajo.

    Sipas saj divorci në kohët e fundit po merr përmasa shqetësuese dhe akoma më shumë kur flitet për pasojat që shkakton në familje. Edhe pse duket e pabesueshme, studiuesit, mjekët, prindërit e divorcuar, dhe fëmijët e tyre tashmë të rritur pohojnë se është e mundur të rriten fëmijë të lumtur dhe të shëndetshëm edhe në familjet ku prindërit nuk janë më bashkë.

    Sipas Ziberit, në rastet e tilla prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos-përfshijnë fëmijët në problemet dhe interesat e tyre personale, por të vendosin çka është më e mira për fëmijën, me qëllim që ata mos ti shohin zënkat dhe divorcin si burim i ngjarjeve traumatike.

    “Pavarësisht se nuk kishim dashur të vinte deri tek divorci, kur ajo është më e drejta që duhet bërë, prindërit duhet të lënë mënjanë mllefet dhe inatet personale për t’ua ofruar fëmijëve ndjesinë e sigurisë, kujdesit, dhe dashurisë, pavarësisht se ndërpritet rrugëtimi i tyre i përbashkët”, theksoi Ziberi.

    Një studim i LAMB ka treguar se në fakt fëmijët janë mirë kur kanë marrëdhënie të kënaqshme me të dy prindërit, dhe kur ata kanë marrëdhënie të mirë mes vete, por kjo nuk nënkupton që ata të jetojnë në një banesë. Të dhëna shqetësuese sa i përket divorcit zbuloi drejtori i Qendrës Sociale-Shkup Izeir Memedi, sipas të cilit vetëm në Shkup çdo ditë paraqiten nga 30 deri në 40 lëndë për divorc.

    “Është diçka që shumë pak qytetarë janë të informuar dhe ajo është dhuna familjare, ndarja familjare, e drejta mbi pasurinë, kujdesi ndaj fëmijës. Për fat të keq, unë jam duke u habitur se nuk kemi një ardhmëri të shëndosh. Çdo ditë, nga 30-40 lëndë vijnë për ndarje. Po flas vetëm për Shkupin”, deklaroi ai në një paraqitje televizive para pak javësh.

    Ndërsa qytetarët shprehen se ekonomia është shkaku kryesor që të dërgon drejt ndarjes, si dhe disa vese të meshkujve të cilat i detyrojnë gratë të largohen.

    Sipas tyre kot që ke dashuri kur nuk ke të holla çfarë ke për të ngrënë. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se numri i divorceve për vitin 2022 ka shënuar rënie prej 17.0%, krahasuar me vitin 2021 dhe arriti në 1.631 martesa të prishura. Sipas moshës, numri më i madh i divorceve (18.5% femrat dhe 17.4% meshkujt), ka ndodhur në të njëjtën grup-moshë 30-34 vjeç, ndërsa sipas kohëzgjatjes, shumica e divorceve 360 ose 22.3% kanë ndodhur nga 5 deri në 9 vjet pas martesës.

    Sipas ligjit për familjen e drejta prindërore u takon njëjtë si nënës edhe babait. “Ata kanë për detyrë që të kujdesen për personalitetin, të drejtat dhe interesat e fëmijës së mitur, dhe fëmijëve mbi të cilët është zgjedhur e drejta prindërore”. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KOMISIONI EUROPIAN I JEP NOTË TË DOBËT RMV PËR EKONOMINË

    Lajmi i rradhës

    PERIUDHË PARAZGJEDHORE | Partitë në “gjah” të kandidatëve!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë