Kah po shkon drejtimi i politikës së jashtme të vendit pas votimit të përmbajtur të dy rezolutave për Ukrainën, a po shkon drejt izolimit apo po thellon partneritetet strategjike me SHBA. Në këtë vijë kanë vijuar polemikat dhe kundërshtimet politike mes pushtetit dhe opozitës apo konkretisht mes kryeministrit Mickoski me kreun e LSDM-së opozitare, Venko Filipçe. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka akuzuar qeverinë për qasje të paqëndrueshme dhe mungesë të një drejtimi të qartë “Vendimet e fundit dhe votimi në Kombet e Bashkuara treguan qartë se Qeveria po e udhëheq politikën e jashtme plotësisht pa busull, në mënyrë impulsive dhe jashtë prioriteteve të përcaktuara qartë strategjike”, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një konferencë për shtyp.
Ai paralajmëroi se, ndërsa shtetet më të mëdha evropiane balancojnë në mënyrë taktike midis fuqive globale, Maqedonia, me paqëndrueshmërinë e saj, rrezikon të margjinalizohet nga qarqet politike evropiane.
“Me votimin e përmbajtur për rezolutën evropiane për Ukrainën, vendi ynë u gjend në një grup të papërshtatshëm, bashkë me Ganën, Bangladeshin dhe Zambinë. Të gjithë fqinjët tanë votuan ‘pro’, ndërsa vende si Italia dhe Polonia, të cilat kanë marrëdhënie të ngushta me administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, gjithashtu votuan ‘pro’”, vlerësoi kryetari i LSDM-së.
Kjo qasje, tha Filipçe, hap pyetjen – çfarë kërkon Maqedonia e Veriut në këtë grup dhe a jemi një vend evropian apo duam të mbetemi në një izolim gjeopolitik? “Harta që po qarkullon këto ditë në internet, ku Maqedonia është e vetme dhe e izoluar në këtë vendim, tregon shumë për situatën tonë në politikën e jashtme. Me këto vendime kaotike dhe të pakuptueshme, Maqedonia e Veriut po dërgon mesazhin se politika e saj e jashtme është improvizim. Në politikën globale, ku çdo lëvizje ka rëndësi, një papërgjegjësi e tillë nuk kalon pa u vënë re”, theksoi Filipçe.
Kryetari i LSDM-së vlerësoi se Qeveria e thelloi edhe më shumë konfuzionin duke pranuar të jetë bashkësponsore e rezolutës amerikane, por më pas votoi e përmbajtur. Do të kishte qenë shumë më e mençur nëse Maqedonia e Veriut do të kishte votuar “pro” për të dyja rezolutat, tha Filipçe, duke shtuar se kjo do të ishte një pozicion i parimshëm dhe i qëndrueshëm që do të forconte mbështetjen tonë si ndaj Bashkimit Evropian ashtu edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Për herë të parë një qeveri maqedonase që bashkësponsorizon një rezolutë nuk voton për të. Kjo tregon se nuk ka strategji, nuk ka koordinim dhe se politika e jashtme po drejtohet përmes improvizimeve, bazuar në vlerësime personale të kryeministrit. Këto rezoluta nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, ato plotësojnë njëra-tjetrën. Franca, Gjermania, Italia dhe shumë vende të tjera evropiane votuan ‘pro’ rezolutës amerikane. Nëse kemi qenë bashkësponsorë, pse nuk kemi votuar për të? Nëse jemi plotësisht të harmonizuar me politikën e jashtme evropiane, siç pretendon Mickoski, pse kemi votuar ndryshe nga të gjitha vendet evropiane?”, theksoi Filipçe në konferencën për shtyp.
“Përgjigje për këto pyetje nuk kemi marrë nga Qeveria, përveç një përgjigjeje të vetme – ‘sepse kryeministri kështu vendosi’. Votimi për të dyja rezolutat do të kishte treguar një qëndrim të qartë se mbështesim arritjen e paqes në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha kryetari i LSDM-së. Filipçe u ndal edhe te vizitat intensive të përfaqësuesve të qeverisë në SHBA dhe tha se LSDM i përshëndet këto përpjekje për të thelluar partneritetin strategjik me SHBA-në, por mbetet e paqartë me çfarë qëllimi po zhvillohen këto vizita dhe çfarë mund të presim si rezultat prej tyre. Ai theksoi se përshtypja nga këto nëntë muaj të qeverisjes së VMRO-DPMNE është se flasin shumë, por nuk tregojnë rezultate konkrete.
MICKOSKI: VEPRUAM NË KOORDINIM ME SHBA
Nga ana tjetër kryeministri Hristijan Mickoski tha se LSDM dhe kreu i saj nuk kanë aspak kredibilitet për të diskutuar për politikë të jashtme, me vet faktin që sipas Mickoskit gjatë qeverisjes së tyre e kanë turpëruar vendin me vendimet e tyre në dëm të shtetit.
“Është koalicion i cili gjatë shtatë viteve të kaluara nuk zgjidhte mjete dhe mënyra që të nënçmojë dhe turpërojë Maqedoninë dhe nuk zgjidhte mënyrë dhe mjete për tu pasuruar vet në kurriz të qytetarëve dhe këta njerëz kanë më së paku kredibilitet për të diskutuar për aktivitetin tonë ndërkombëtarë dhe posaçërisht me raportet tona me administratën e presidentit Trump. Tu rikujtoj se më kanë akuzuar se jam anti-amerikan, pro-rus, çfarë u pengon tani që kemi marrëdhënie të shkëlqyera me administratën e presidentit Trump”, tha Mickoski, i cili sqaroi se vendimi për të abstenuar është marrë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në kohën kur erdhi momenti që ajo rezolutë të votohet, në vet parlamentin ishin të dorëzuara disa amendamente, pjesa më e madhe kanë qenë të refuzuara dhe një u pranua dhe atëherë propozuesi e ka atë të drejtë, SHBA, me të cilën kemi qenë tërësisht të koordinuara, votoi kundër dhe ne votuam kundër”, theksoi kryeministri Mickoski, i cili tha se ndjen keqardhje që disa nga opozita ende nuk janë zgjuar nga gjumi se janë në opozitë dhe për shumë kohë do të jenë në opozitë, ndërsa qytetarët kanë besim të plotë te kjo qeveri.
PARTITË PËRPLASEN EDHE PËR GJYQËSORIN
Pushteti dhe opozita ka mos-pajtime sa i përket iniciativave të ndryshme në gjyqësor, si propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Koceski. Reformat në sistemin e drejtësisë duhet të bëhen nëpërmjet një konsensusi të gjerë politik, vlerëson kreu i LSDM-së Venko Filipçe. Duke akuzuar qeverinë se po tenton të partizojë sferën e gjyqësorit. Sipas Filipçes nëse duam me të vërtetë reforma atëherë në parlament të miratohen edhe disa ligje që janë të nevojshme për të siguruar një gjyqësor efikas dhe të pavarur.
“Ka listë të ligjeve që duhet të miratohen, ligji për prokurori publike, ligji për gjykata, ligji për paga të gjykatave. Ato ligje të jenë në parlament, të gjitha partitë politike ti mbështesim, ndërsa ne si LSDM do ti mbështesim të gjitha që kanë të bëjnë me reforma në gjyqësor, që është në kontekst të përafrimit të gjyqësorit tonë me atë të BE-së dhe gjithçka që është në kundërshtim me këtë është tentim për partizim të gjyqësorit dhe prokurorisë dhe një gjë e tillë nuk është e nevojshme”, tha Filipçe.
Duke komentuar deklaratat e LSDM-së për gjyqësorin, kryeministri theksoi se gjithçka që flet LSDM është një motiv shtesë për qeverinë që të veprojë në mënyrë të kundërt “Atë që LSDM e mbron Koceskin dhe BDI është arsye kryesore dhe kusht kryesor për të vepruar në atë drejtim. Ajo do të thotë se kemi sistem të partizuar që ka për qëllim të jetë mbrojtësja e fundit e ish-qeverisë, LSDM dhe BDI, edhe pse ato së bashku me të Majtën funksionojnë shkëlqyeshëm në opozitë. Por vet, fakti që ato theksojnë se nuk duhet të ndërrohet Koceski, na jep arsyen që ne të veprojmë në kundërshtim me fjalët e tyre, të bëjmë gjithçka që është në anën tonë për të ndërruar Koceskin”, theksoi kryeministri Mickoski.
Përndryshe qeveria në seancë miratoi propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Koceski. Për propozimin e Qeverisë në afat prej 15 ditëve do të duhet të prononcohet Këshilli i Prokurorëve, pas çka pavarësisht mendimit të tyre, fjalën e fundit e kanë deputetët. /Koha/