Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, në Click Plus ka folur për çështjen e emërimit të kryeshefit të qendrës rajonale në Ohër, e cila mbulon edhe Strugën, Kërçovën dhe Dibrën. Iseni pranoi se procesi i gjetjes së një kandidati adekuat për këtë pozitë ka qenë problematik, por theksoi se me sistematizimin e ri do të kërkohet që kjo pozitë sërish t’u takojë shqiptarëve.
“Kjo ka ndodhur para 8 muajsh, normalisht në pamundësi për të gjetur në atë sektor përfaqësues shqiptar, jemi dakorduar që në kombinim të ati pozicioni të marrim pozicione tjera, kështu që ndoshta kemi përfituar pozicione tjera siç janë sektor të tjerë”, tha Astrit Iseni në Click Plus në TV21.
Këto deklarata kanë nxitur reagime të ashpra nga opozita në nivel lokal. Këshilltari i koalicionit AKI në Këshillin Komunal të Strugës, Faton Pollozhani, e ka cilësuar deklaratën e zëvendësministrit si justifikim për dështimin institucional dhe përjashtimin e qëllimshëm të shqiptarëve nga pozitat udhëheqëse në polici.
“Deklarata e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, si përfaqësues i VLEN-it në MPB, se nuk ekzistojnë kuadro të përshtatshme për pozita udhëheqëse është një justifikim i ulët për dështimin dhe kapjen partiake të institucioneve. Sot, në Policinë e Ohrit dhe të Strugës nuk ka asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse, jo për shkak të mungesës së kuadrove, por për shkak të një politike të qëllimshme përjashtuese”, deklaroi Pollozhani.
Ai shtoi se ekzistojnë kuadro të kualifikuar shqiptarë që i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për këtë funksion.
“Janë të paktën pesë kuadro shqiptarë me përgatitje dhe përvojë të dëshmuar që i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për pozicionin e Kryeshefit të qendrës rajonale-perendim, për punë kufitare. Mohimi i këtij fakti tregon se zëvendësministri nuk vepron si garant i barazisë, por si filtër partiak që selekton kuadrot sipas bindjeve politike. Kjo është tradhti ndaj interesit publik dhe dëshmi e impotencës politike të atyre që, ndonëse flasin në emër të shqiptarëve, i përjashtojnë ata nga institucionet kyçe të shtetit”, theksoi Pollozhani.






