Përplasje ndërmjet Grubit dhe Antikorrupsionit

    Komisioni për parandalimin e korrupsionit e konsideron si ushtrim presioni në punën e tyre dhe përpjekje për të defokusuar opinionin, deklaratën e fundit të zv/kryeministrit Artan Grubi i cili tha se anëtarët e Antikorrupsionit nuk kanë kapacitet për të çuar deri në fund lëndët.

    Nga Antikorrupsioni kujtojnë se deklarata e Grubit vjen vetëm pak ditë pasi ata u kritikuan edhe nga zv/kryeministrja për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska.

    “Keni të drejtë z. Grubi, Antikorrupsioni nuk ka kapacitet që të vozitet me vetura zyrtare 24/7 edhe për qëllime private, të keqpërdorë hapësira shtetërore, të përdorë kartela pagesore zyrtare dhe as të keqpërdorë para të buxhetit, por të jeni të sigurt se ka kapacitet t’i plotësojë detyrimet dhe kompetencat ligjore dhe të përpunojë shumë iniciativa dhe rekomandime të cilat presin radhën dhe kohën që të veprohet sipas tyre. Antikorrupsioni ka kapacitet të merret me sulmet tuaja të orkestruara,” thanë nga Komisioni për parandalimin e korrupsionit.

    Një ditë më parë, zv/kryeministri Grubi në intervistë për Sitel, duke folur për rastin e Ramiz Merkos dhe atë të nipit të Ali Ahmetit, Drin Ahmeti, tha se ky institucion nuk ka kapacitet për të përfunduar lëndët. Grubi beson se Antikorrupsioni kritikat ndaj tij i ka personale.

    “Nuk kanë asnjë sukses për gjithë këto vite. Unë i zgjodha. Unë isha anëtar i Komisionit që i intervistonte anëtarët… Institucionit sigurisht i besoj por tek kapacitetet e institucionit kam dyshime, tek njerëzit e këtij institucioni, jo tek vetë institucioni. Për këto 4-5 vite sa kanë mandat me ligj, a kanë një rast të vetëm që ka qenë i suksesshëm sa i takon procedurës që d.m.th. se nuk e kanë bërë punën deri në fund siç duhet,” deklaroi Artan Grubi, zv. Kryeministër i parë.

    Për Grubin dhe bashkëpartiakët e tij nga Antikorrupsioni ka pasur lëndë për keqpërdorim të veturave zyrtare dhe hapësirave të institucioneve për çështje personale. Megjithatë, ai duke ironizuar me lëndët e tyre edhe më herët ka thënë se anëtarët e këtij institucioni janë xhelozë se përse nuk kanë marrë hapësirat e objektit ku është e vendosur Ministria që drejton Grubi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Reagime të shumta për kritikat e Ambasadorit, Pendarovski i jep të drejtë

    Lajmi i rradhës

    Udhëzimi i Llogës për përkatësinë etnike, para gjyqtarëve kushtetues

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë