PERSONAT FANTOM | Ndryshimet e reja ligjore po lindin shpresa të reja

    Vezire Shabanovska, një nënë e dy fëmijëve pa shtetësi, ka rrëfyer se si janë vështirësitë e rritjes së fëmijëve që nuk janë pajisur me shtetësi. “Stojani 17 vjeçar dhe Rafaela 15 vjeçare, nuk janë të pajisura me asnjë dokument persona. Stojani ka lindur në kushte shtëpiake derisa Rafaela është lindur në spital por përsëri as ajo nuk është pajisur me një certifikate të lindjes nga libri amzë”, ka thënë ajo. Shabanovska ka rrëfyer vështirësitë e rritjes së fëmijëve pa shtetësi.

    Ajo ka thënë se Stojani është detyruar të ndërpresë shkollimin për shkak mungesës së dokumentacioneve, derisa Rafaela vazhdon shkollimin edhe pse me vështirësi të mëdha dhe me pikëpyetje për të ardhmen.  

    “Djali im para pak kohësh kishte një fatkeqësi në komunikacion dhe shërimi i tij i gjithi është bërë me pagesë private dhe ka qenë një barrë shtesë për familjen tonë. Gjithashtu edhe vajza kishte një grip dhe vetëm një ilaç ka kushtuar 500 denarë, derisa terapitë tjera kanë kushtuar edhe më shtrenjtë”, është shprehur Shabanovska me mllef dhe e lodhur nga beteja e përditshme me institucionet e vendit.

    Siç tha ajo, MPB dhe institucionet tjera kompetente vazhdimisht thonë se vendimi do të bëhet shumë shpejtë gati dhe ta presë në shtëpi por edhe pse kanë kaluar vite të tëra një vendim i tillë ende nuk ka arritur në adresën e saj.

    “Unë luftoj për fëmijët e mi që të kenë një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Tani djali dëshiron edhe që të punoj por një e drejtë e tillë i mohohet për shkak mungesës së dokumentacioneve. Derisa djali edhe shpesh është kapur nga policia për shkak mungesës së dokumentacioneve dhe derisa është vërtetuar nga ne dhe organizatat që na ndihmojnë nuk është lëshuar. Kjo situatë na shqetëson të gjithëve si familje”, deklaroi ajo.

    Në fund Shabanovska shtoi se shpreson që shumë shpejt të zgjidhet kjo problematikë, jo vetëm për djalin e saj por për të gjithë personat që kanë këtë problematikë. 

    Problematika me personat “fantom” vazhdon ende të jetë një nga çështjet kryesore në vendin tonë. Pavarësisht se kanë lindur ose jetojnë më shumë se 10 vite në Maqedoninë e Veriut.

    Një grup prej deputetësh kanë propozuar ligj për ndryshim dhe plotësimin e ligjit për regjistrimin në librin amë. Në propozim ligjin thuhet se përmes këtij propozim ligjit do të krijohet një bazë ligjore dhe mundësi për regjistrimin e 700 personave të paregjistruar në regjistrin e librit amë të të lindurve në përputhje me Ligjin për personat e paregjistruar. “Me kalimin e këtij ligji personat që do të marrin shtetësi do gëzojnë të drejtat e garantuara me kushtetutë. Ky ligj gjithashtu rregullon dhe përpunon dispozitat që kanë të bëjnë me regjistrimin e fëmijëve në librin amë të të lindurve dhe ofron mundësinë e regjistrimit shtesë të të njëjtit”, thuhet në propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim për regjistrim në librin amë.

    Gjatë rrugëtimit të zgjidhjes ligjore kishte pengesa burokratike

    Deputetja Monika Zajkova, ka deklaruar se kur kanë propozuar zgjidhje ligjore për t’u mundësuar qytetarëve marrjen e nënshtetësisë, kanë hasur në disa sfida që kërkonin konsideratë të kujdesshme dhe qasje strategjike. Sipas saj, një nga sfidat kryesore me të cilat u përballëm ishte harmonizimi i kuadrit kompleks ligjor rreth ligjeve të shtetësisë.

    “Mendimet politike gjithashtu luajtën një rol të rëndësishëm. Balancimi i interesave të aktorëve të ndryshëm dhe adresimi i shqetësimeve të sigurisë kombëtare gjatë menaxhimit të opinionit publik ka qenë një sfidë gjatë gjithë procesit të vendimmarrjes. Angazhimi me aktorë të ndryshëm, duke përfshirë institucionet qeveritare, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetet e prekura, ishte kritik për ndërtimin e konsensusit dhe sigurimin e zbatimit efektiv.U morën parasysh edhe kufizimet kushtetuese”, deklaroi ajo.

    Zajkova shtoi se janë të përkushtuar të mësojmë nga përvojat e vendeve fqinje dhe të adoptojmë strategji efektive.

    “Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përkatëse është më i rëndësishmi. Vizioni ynë është që Maqedonia e Veriut të njihet si vendi i parë në rajon dhe në Evropë që zgjidh problematikën e personave pa shtetësi. Për të arritur këtë qëllim ambicioz, ne kemi përcaktuar një udhërrëfyes të qartë. Deri në fund të vitit 2023, është thelbësore regjistrimi i personave të padeklaruar në regjistrin e rregullt të të lindurve. Kjo kërkon procedura administrative efikase, menaxhim të saktë të të dhënave dhe pajtueshmëri me kërkesat ligjore”, ka nënvizuar ajo.

    Në fund, Zajkova ka shtuar se si përfundim, synimi i tyre është të zgjidhim problemin e kahershëm me personat e paregjistruar në librin amzë, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në vende të tjera të Evropës.

    Nga ana tjetër, Aleskandra Efermova nga Shoqata Juristët e Rinj, ka deklaruar se gjatë muajit të kaluar është miratuar ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të dhënat e lindjes. “Me këtë ligj parashihet të zgjidhen të gjitha rastet e evidentuara më parë që nuk janë të regjistruara në librin amë, por në të njëjtën kohë ligji përmban edhe një dispozitë që zbatohet në vazhdimësi dhe duhet konstatuar nga Drejtoria për menaxhimin me librin amzë, e cila pret që në të ardhmen të mos ketë raste të mosregjistrimit të personave në librin amë”, ka thënë ajo. Sipas saj, gjithçka varet nga ajo nëse shtetasi do të forcojë kapacitetet e Drejtorisë për Menaxhimin e regjistrimit në librin amë dhe nëse Drejtoria do ta zbatojë ligjin.

    Ligji parasheh zgjidhje deri në dhjetor

    Disa muaj më parë kishim dhe një rast tragjik ku fatkeqësisht dhe një djalë 19-vjeçar, Memet Kamberit, i vdiq për shkak të diabetit të padiagnostikuar. Ai nuk kishte mundësi të merrte sigurim shëndetësor dhe shkoi në spital kur gjendja e tij shëndetësore  ishte përkeqësua dukshëm  me librezën e shëndetit të dikujt tjetër. Edhe pas vdekjes, ai nuk mund të varrosej pasi nuk kishte dokument identifikues, kështu që procedura zgjati më shumë se tre javë. Deputetja Sonja Mirakovska, koordinatore e grupit punues për ndryshime në Ligjin për regjistrim në librin amë, sqaron për Meta.mk, përcjell Koha, se gjetja e zgjidhjes për 700 personat pa shtetësi ka qenë një proces i gjatë dhe i gjerë dhe se zbatimi ende nuk ka përfunduar. Ajo pret që deri në tetor të përfundojë i gjithë procesi i regjistrimit të këtyre personave pa shtetësi.

    “Këta 700 persona janë ata që kanë qenë më problematikë. Bëhet fjalë për persona të cilët në vitin 2017 janë regjistruar në një listë të veçantë regjistrimi, por nuk kanë pasur asnjë dokument dhe ligji ekzistues nuk ka ofruar zgjidhje adekuate. Pas miratimit të ndryshimeve ligjore, grupi punues do të vazhdojë të punojë për zbatimin, do të fillojmë me rastet më të vështira dhe presim që deri në tetor të përfundojmë procesin edhe pse ligji e parasheh deri në dhjetor”, thotë Mirakovska.

    Storja u realizua në kuadër të programit të mentorimit për gazetarë të rinj të Forumit Arsimor Rinor në partneritet me UNHCR-në, Agjencinë e OKB-së për refugjatë, financuar nga Fondi i Mirëbesimit për Migracionin me më shumë Partnerë, në projektin e përbashkët të zbatuar nga UNHCR-ja dhe agjenci të tjera të OKB-së. Përmbajtja e storjes nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondit, UNHCR-së dhe agjencive të tjera të OKB-së.

    Lajmi Paraprak

    Pse gjithnjë e më shumë njerëz mbi 70 vjeç po vazhdojnë të punojnë?

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët në RMV mezi kalojnë muajin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë