Pesëshja e emisarëve në Kosovë e Serbi, në Beograd presin se do të ketë një ofertë “merre ose lëre”

    Ardhja e 5 emisarëve të BE-së e SHBA-së në Kosovë e pastaj edhe në Serbi, tek autoritetet e kësaj të fundit po shihet si vizitë e cila do t’i sjellë Beogradit kërkesa të reja në raport me Kosovën.

    Madje, një pjesë e opinionit në Beograd mendon se në tavolinë do të ketë një ofertë “merre ose lëre”.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha se pret të shoh se çfarë pako do të sjellin emisarët për të informuar më pas publikun.

    Ndërsa ekspertet vlerësojnë se kjo vizitë ka dy qëllime, bashkëpunimin e Beogradit në hetimin e ngjarjeve në Banjskë dhe zbatimin urgjent të marrëveshjeve të arritura.

    “A do të vijnë ata me ide të reja, nuk jam optimist nëse nuk ka ide të freskëta. Pas asaj që ndodhi më 24 shtator në Banjska, në rrethana të tilla u dëmtua dukshëm integriteti i njërës prej palëve negociuese, në këtë rast Beogradit, dhe tani duhet gjetur një mënyrë për ta rivendosur dialogun, duke pasur parasysh se nuk kemi parë rezultatet përfundimtare të kësaj qasjeje në dialog”, shprehet Srgjan Majstoroviq nga  Qendra për Politika Evropiane.

    Opozita pret diçka më konkrete për vizitën e pesëshes së madhe, e cila mendon se nga Vuçiq do të kërkohet bashkëpunim i pakushtëzuar për Kosovën, kthimi i serbëve në institucione dhe pranimi i hyrjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në këtë drejtim, analistet presin që emisarët të insistojnë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

    “Me shpërthimin e krizës në Lindjen e Mesme, këto zgjidhje nga marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i tyre po bëhen edhe më urgjente. Pra ndërmjetësit perëndimorë do t’i kërkojnë Beogradit që të mos ndërhyjë nëse Prishtina fillon me zbatimin e obligimeve rreth Asociacionit”, thotë Igor Novakoviq nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri.

    Një pjesë e opinionit në Beograd mendon se në tavolinë do të ketë një ofertë “merre ose lëre”. Megjithatë, janë të paktë ata që besojnë se do të ketë përparim të vërtetë nëse qasja e negociatorëve nuk ndryshon./RTK

    Lajmi Paraprak

    Mediat duhet të prijnë në ndërgjegjësimin e publikut për kancerin e gjirit

    Lajmi i rradhës

    Ndotja e Badocit me mangan – Çka e shkaktoi dhe çfarë pasojash mund të ketë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë