Pezullohet lëshimi i certifikatave me përkatësinë etnike shqiptare

    Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të nisë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Librat Amë, përkatësisht pjesët e ligjit që parashikojnë përkatësinë etnike në certifikatat e lindjes, të kurorëzimit dhe të vdekjes.

    Deri në miratimin e vendimit të formës së prerë, vlen “masa e përkohshme” e Kushtetueses për ndalimin e lëshimit të certifikatave nga institucionet përkatëse.

    Bëhet fjalë për një dispozitë të ligjit të vitit 1995, mbi bazën e të cilit, Ministria e Drejtësisë, më 29 maj, kishte miratuar një udhëzim administrativ që parashikonte lëshimin e certifikatave nga evidenca amë edhe me kolonën për përkatësinë etnike të qytetarëve.

    Kjo dispozitë ishte hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, më 27 shtator, pasi në Gazetën Zyrtare nuk ishte publikuar në afatet ligjore.

    Por, për të parandaluar një udhëzim të ri të Ministrisë së Drejtësisë, bazuar në afatet ligjore për shpalljen në Gazetën Zyrtare, partia politike, E Majta, ka ngritur nismë të re për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të ligjit, apo heqjen e neneve që parashikonin lëshimin e certifikatave edhe me kolonën e përkatësisë etnike.

    Kjo parti, nismën pranë Gjykatës Kushtetuese e ka arsyetuar me atë se “shprehja e identitetit kombëtar është ndjenjë individuale që nuk mund të theksohet në dokumente publike”.

    “Përkatësia kombëtare është ndjenjë personale e qytetarit dhe nuk mund të vërtetohet me dokument publik, d.m.th. me një dokument të lëshuar nga një autoritetet shtetërore, kryesisht për faktin se liria e shprehjes së kombësisë përfshin të drejtën për të ndryshuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare”, thuhet në nismën e dorëzuar para Gjykatës Kushtetuese.


    Nisma e ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, për vendosjen e kolonës etnike në certifikatat e Librit Amë ishte ndërmarrë për të parandaluar, sipas tij, keqpërdorimin e përkatësisë etnike gjatë punësimeve në institucionet shtetërore.

    Gjatë konkurseve për punësime që shpallen nga ministritë, drejtoritë, agjencitë shtetërore, fondet e ndërmarrjet tjera, aplikohet një mekanizëm elektronik i njohur si “balancues”, i cili përcakton se ata që punësohen cilës bashkësi etnike duhet t’i përkasin.

    Ministri Lloga më parë ka thënë se beson në një vendim refuzues të Gjykatës Kushtetues për nismën e partisë opozitare maqedonase dhe vazhdimin e lëshimit të certifikatave me përkatësinë etnike.

    “Pres që Gjykata Kushtuese të hedhë poshtë nismën e partisë E Majta, dhe ligji do të mbetet në fuqi. Sapo të kemi vendim të ri nga Gjykata do të kemi certifikata të reja. Që do të thotë se do të përsëritet e gjithë procedura për një udhëzim të ri. Do të kemi certifikata me kolonën etnike që t’i pamundësojmë keqpërdorimet gjatë punësimeve që kanë për bazë përkatësinë etnike”, ka thënë ministri Lloga.

    Denoncime për deklarimin e rremë të përkatësisë etnike ka pasur thuajse pas çdo konkursi për punësime të shpallura nga institucionet shtetërore dhe kjo kishte bërë që Ministria e Drejtësisë të ndërmarrë masa, siç ishte edhe ajo me certifikatat e Evidencës Amë që tani është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

    Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë kishte shkaktuar përplasje edhe në mesin e partive politike, në veçanti tek opozita maqedonase, e cila kishte dalë me akuza për “shkelje të Kushtetutës”, por sipas ministrit Lloga, reagimet e tilla më tepër kishin të bëjnë me “kundërshtimin e përkatësisë etnike shqipe” në certifikata. /REL/https://www.evropaelire.org/a/pezullohet-leshimi-certifikatave-me-perkatesi-etnike-/32740358.html

    Lajmi Paraprak

    Rreziqet për fëmijët online, “TikTok” kryeson në numrin e raportimeve diplomatike

    Lajmi i rradhës

    Bujqit në RMV në hall me shitjen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë