Bujqit në RMV në hall me shitjen

    Problemet e bujqve në vend nuk kanë të sosur. Përskaj shitjes së sigurt të prodhimeve të tyre edhe çmimet e ulëta grumbulluese nga ana e tregtarëve me vite paraqesin problem madhor për bujqësinë vendore. Çmimet më të ulëta shitëse karshi kostos së prodhimtarisë, mungesa e fuqisë punëtore dhe plakja e saj, ikja e popullatës jashtë shtetit, mosinteresimi për tu marrë me bujqësi dhe blegtori së bashku me shitjen me çmime jo të leverdishme, janë disa nga hallet e bujqve në vend. Së fundmi prodhuesit e duhanit nuk pranojnë ta shesin atë për 300 den për kilogram si rrjedhojë e inflacionit në vitin e kaluar dhe kërkojnë çmim prej 600 den, ndërsa nga Ministria e Bujqësisë kanë sugjeruar një çmim prej 400 den për kilogram.

    “Nga ana tjetër, plasmani jo i organizuar i produkteve bujqësore dhe çmimet e ulëta të blerjes janë vetëm një pjesë e problemeve me të cilat ballafaqohen fermerët e Maqedonisë. Për më tepër ky trend po vërehet në 10 vitet e fundit, që vendos në pozitë të cenueshme prodhuesit primar bujqësorë sa i përket aktiviteteve ekonomike dhe afariste, si dhe standardit të tyre jetësor”, thotë kryetarja e Federatës Kombëtare të Fermerëve, Vaska Mojsovska.

    Përskaj nivelit të dobët të organizmit të punës së përbashkët, mungesa e një zgjidhjeje ligjore për prodhimin me kontratë për të gjitha kulturat bujqësore të rëndësishme si shembulli i duhanit, emigracioni dhe shpërngulja nga fshati në qytet dhe shtetet evropiane sidomos të të rinjve dhe grave që arriti 50 për qind dhe si një nga problemet më serioze, mungesa kronike e fuqia punëtore për të cilën kompani të caktuara nga sektori i bujqësisë kanë paraqitur kërkesë për import të fuqisë punëtore, janë ankesat e tjera të fermerëve.

    Si një nga gjërat tek të cilat fermerët do të fokusohen më shumë vitin e ardhshëm është futja ligjore e llogaritjes së çmimit të prodhimit si garanci që të mos ketë tregtar që përfitojnë nga kurrizi i atyre që prodhojnë ushqim, diçka që do të zbatohet fillimisht nga vitin e ardhshëm për blerjen e rrushit.

    Edhe shoqatat bujqësore kërkojnë ngritjen e një institucioni të pavarur, si Instituti i Bujqësisë apo departamente të veçanta të Fakultetit të Bujqësisë, për të përcaktuar çmimin e prodhimit të kulturave individuale përpara fillimit të vitit prodhues. Ata thonë se kjo do të ndihmojë fermerët të planifikojnë prodhimin dhe të ardhurat.

    Risto Velkov nga Sindikata e Fermerëve mendon se ideja është e vështirë për t’u realizuar, por thotë se formimi i çmimit të prodhimit para shitjes së kulturave individuale do të reflektojë të gjithë vitin e prodhimit për një kulturë.

    “Ndoshta për kulturat bujqësore mund të llogaritet një lloj çmimi prodhimi paraprakisht, sepse dihet se si po shkon mbjellja, ushqimi dhe korrja, por për kopshtarinë dhe kulturat e tjera do të jetë më e vështirë sepse llogaritjet mund të jenë të pasakta. Në fillim të një viti prodhimi për këto kultura, nuk mund të parashikohet se sa do të shpenzojë fermeri, sepse ndryshimet klimatike bëjnë të nevojshme përdorimin e më shumë plehrave apo më shumë mjeteve mbrojtëse në vite të caktuara. Kjo është arsyeja pse është shumë më mirë të përcaktohet çmimi i prodhimit përpara se të tregtohet i produkteve bujqësore. Do të jetë e sigurt që fermerët të dinë kufirin e poshtëm gjatë negociatave për vendosjen e çmimit të blerjes. Ata e dinë çmimin e prodhimit edhe tani, por kur bëhet fjalë për blerjen dhe shitjen e të korrave, sikur asgjë nuk vlen sepse blerësit kanë kalkulime të tjera”, thotë ai.

    Nga Federata e Fermerëve theksojnë se vendi po përballet me një pabarazi të theksuar rajonale të popullsisë midis zonave urbane dhe rurale ku popullsia urbane dominon me gjithsej 1.131.356 banorë, pra 61.6 për qind, ndërsa në zonat rurale jetojnë 705.357 banorë, pra 38.4 për qind. Njëherësh se 36 për qind e atyre që jetojnë në zonat rurale përballen me probleme të aksesit në shërbimet bankare, 24 për qind aksesin në shërbimet postare dhe 20 për qind aksesin në objektet kulturore. Shërbimet bazë të transportit nuk janë të disponueshme ose janë të vështira për t’u aksesuar për popullatën në zonat rurale, ndërsa komunat e vogla rurale kanë probleme të konsiderueshme në ruajtjen e cilësisë dhe qasjes në shërbimet bazë si shëndetësia, arsimi dhe shërbimet sociale.

    Një nga problemet më të mëdha në sektorin e bujqësisë në vend është edhe plakja e fuqisë punëtore dhe mungesa e punëtorëve. Vlerësohet se në të gjithë sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë ka mungesë të fuqisë punëtore. I tillë është trendi i imponuar ku bujqësia është punë jo tërheqëse dhe nuk preferohet puna në këtë sektor.

    Kërkohet që t’i kushtohet një rëndësi e veçantë ndryshimeve klimatike, që janë realisht një problem i madh për fermerët që duhet të përshtatin prodhimin me kushtet e reja klimatike.

    Nga Federata e Fermerëve thonë se vitin që po kalon janë shënuar edhe ndryshime pozitive si miratimi i Ligjit të ri për Verën, në kuadër të të cilit do të përcaktohet çmimi i prodhimit të rrushit dhe shpresohet që të funksionojnë këto dispozita ligjore, të çilat në një mënyrë do të vendoset rregull në blerjen dhe vendosjen e rrushit. Në fakt, ky është edhe angazhimi i Federatës në sektorët e tjerë që thjesht të llogarisim çmimin e prodhimit dhe në këtë mënyrë të eliminojmë manipulimet në pjesën e çmimeve të blerjes. Prodhimi me kontratë është gjithashtu angazhimi ynë ku ne punojmë për të vendosur marrëdhënie kontraktuale dhe partneriteti midis blerësve dhe fermerëve.

    Si trend pozitiv theksohet se një pjesë e madhe e fermerëve që realisht jetojnë nga bujqësia janë të regjistruar si operatorë të vegjël ushqimorë dhe kanë shtuar vlerën e produkteve të tyre. Këtë e kanë mbështetur edhe rregulloret për operatorët e vegjël me origjinë bimore dhe jobimore që kanë rezultuar të jenë një politikë e suksesshme.

    Nevojitet edhe përmirësimi i statusit ekonomik dhe social të fermerëve. Po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje të duhur sistemore e për fermerët që kanë statusin e fermerit të siguruar-individ sipas Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor për të ushtruar të drejtën në pushim të lehonisë dhe pushim mjekësor. Për momentin është në fuqi një zgjidhje e përkohshme që synohet të jetë e përhershme. Ligji për Shërbimet Këshillimore në Bujqësi dhe Zhvillim Rural është gjithashtu një lajm i mirë. Me këtë zgjidhje ligjore është i mundur profesionalizimi i shërbimeve këshillimore dhe po krijojmë një sistem përmes të cilit fermerët do të afrohen me përvojat dhe njohuritë e praktikave dhe teknologjive më të fundit në prodhim, të cilat duhet të ndikojnë drejtpërdrejt në të paturit e një prodhimi të qëndrueshëm dhe konkurrues. sipas standardeve evropiane.

    Lajmi Paraprak

    Pezullohet lëshimi i certifikatave me përkatësinë etnike shqiptare

    Lajmi i rradhës

    NIS GARA PËR PUNËSIME! Shpallje gjithandej para zgjedhjeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë