PISA nxjerr në pah krizën në arsim: shumica e nxënësve në RMV nën nivelin bazë

    Rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, i njohur si PISA, tregojnë se 15-vjeçarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë nën mesataren e vendeve të zhvilluara në tri fushat kryesore: matematikë, lexim dhe shkencë.

    Në matematikë, nxënësit nga Maqedonia e Veriut kanë arritur mesatarisht 369 pikë, ndërsa në lexim 342 pikë. Në shkencë, e cila ishte edhe fusha kryesore e vlerësimit në këtë cikël të PISA-s, rezultati mesatar është 378 pikë.

    Vetëm 32 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut kanë arritur nivelin bazë të njohurive në matematikë, ndërsa në lexim këtë nivel e kanë arritur vetëm 26 për qind. Në shkencë, nivelin minimal të kompetencës e kanë arritur rreth 36 për qind e nxënësve.

    Të dhënat e PISA-s për vitin 2025 tregojnë një rënie drastike të rezultateve në lexim dhe matematikë në mbarë botën.

    Gjashtë vendet e para në renditjen për lexim i zënë vendet aziatike, si Singapori, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani. Gjermania është pak mbi mesataren dhe renditet në vendin e 23-të. ShBA-ja renditet në vendin e 13-të, Polonia në të 14-tin dhe Turqia në të 16-tin.

    Në matematikë, Gjermania është nën mesataren dhe renditet në vendin e 26-të, vetëm një vend mbi SHBA-në. Shtatë vendet e para të renditjes i zënë vendet aziatike, ndërsa Estonia renditet e teta.

    Në shkencat natyrore, Gjermania është vetëm dy pikë mbi mesataren dhe renditet në vendin e 23-të. Turqia ka shënuar përparim të konsiderueshëm në këtë fushë dhe tani renditet në vendin e 19-të, me një rritje prej 18 pikësh krahasuar me studimin e vitit 2022.

    Kjo do të thotë se në fushën e shkencës nxënësit kanë probleme me interpretimin e të dhënave të thjeshta ose me deshifrimin e grafikëve. Sa i përket leximit, ata kanë vështirësi në nxjerrjen e informacionit nga tekste të thjeshta. Në matematikë, kanë vështirësi të kuptojnë marrëdhënien ndërmjet njësive dhe çmimit, pra aftësi themelore që nevojiten edhe gjatë blerjes së produkteve ushqimore.

    Si një nga faktorët që mund të ketë ndikuar në këtë rënie, autorët e studimit përmendin mbylljen e shkollave gjatë pandemisë së COVID 19. Gjithashtu, inteligjenca artificiale dhe shpërqendrimet e tjera digjitale mund të kenë ndikuar te nxënësit, krahas rënies së interesit për leximin e librave.

    PISA, i realizuar për herë të parë në vitin 2000, konsiderohet një nga instrumentet më me ndikim në botë për vlerësimin e performancës së sistemeve arsimore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Diplomacia e inteligjencës

    Lajmi i rradhës

    Çarshia e Vjetër josh turistët, por institucionet e lënë pas dore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë