Diplomacia e inteligjencës

    LEONARD DEMI

    “Qëllimi dhe synimi i spiunazhit… është njohja e armikut.” Klasike

    PARAFJALË

    Ndërsa lufta në Ukrainë po zvarritet në vitin e saj të pestë, ritmi i sulmeve hibride të Rusisë kundër Evropës është shpeshtuar dhe intensifikuar. Ekspertët e sigurisë mendojnë se Moska mund të jetë duke planifikuar një lloj inkursioni ushtarak ose provokimi përgjatë krahut lindor të NATO-s me qëllim që të zvogëlojë mbështetjen e aleatëve për Ukrainën dhe të prishë status quo-në politike në Evropë nëpërmjet ndërhyrjes në zgjedhje.

    Vendet e NATO-s në Evropën Lindore, veçanërisht shtetet baltike, janë alarmuar se Presidenti Putin mund të rritë trysninë ose të autorizojë veprime gjithnjë e më provokuese kundër tyre. Këto shqetësime u përforcuan edhe më tej nga një ligj i miratuar nga Rusia më 13 maj 2026, i cili e autorizon atë të ndërhyjë ushtarakisht jashtë vendit për të mbrojtur popullsitë rusishtfolëse, kur në të tre republikat baltike, Estoni, Letoni dhe Lituani, ka komunitete të konsiderueshme rusishtfolëse.

    DREJTORI I CIA-S NË MOSKË

    Mediat amerikane kanë raportuar se më 25 gusht drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, vizitoi Moskën për t’u takuar me kreun e Shërbimit të Zbulimit të Jashtëm (SVR), Sergei Naryshkin, dhe Alexander Bortnikov, drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), agjencia kryesore e sigurisë së brendshme dhe e kundërzbulimit të Federatës Ruse, njëherësh pasardhësja e KGB-së. Udhëtimi i drejtorit të CIA-s u parapri nga të dhëna të reja të inteligjencës amerikane, që sinjalizojnë se Rusia mund të përshkallëzojë veprimet kundër interesave të aleatëve amerikanë në Evropë. Siç kam theksuar edhe në shkrimet e mia të mëparshme (Ankara dhe Pre kibernitike), Kremlini do të përpiqet të testojë vendosmërinë e NATO-s përmes një sulmi të kufizuar kundër ndonjë vendi anëtar.

    Sipas personaliteteve të njohur me këtë çështje, Ratcliffe i ballafaqoi drejtuesit e inteligjencës të Presidentit Putin me realitetin e zymtë të luftës në Ukrainë dhe me gjendjen e rënduar të ekonomisë ruse. Ai u kërkoi bashkëbiseduesve t’i përcjellin Putinit një paralajmërim të prerë: Rusia të mos sulmojë asnjë vend të NATO-s, të shmangë provokimet e qëllimshme dhe të synojë një marrëveshje paqeje me Ukraninë, pasi përshkallëzimi i mëtejshëm do të jepte efektin e kundërt për vetë Moskën.

    Besohet se drejtori i CIA-s ngriti, gjithashtu, çështjen e ndihmës që Moska i ofron Iranit për t’iu shmangur sanksioneve, si dhe temën e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit. Uashingtoni mbetet i shqetësuar se shërbimet ruse mund t’i ofrojnë Teheranit mbështetje me inteligjencë ushtarake dhe të dhëna satelitore. KËNDVËSHTRIMI I KREMLINIT DHE GJENDJA NË TERREN Kremlini i hodhi poshtë si “histori alarmuese” raportet e mediave amerikane, sipas të cilave vizita e pazakontë e drejtorit të CIA-s në Moskë kishte për qëllim të paralajmëronte Rusinë kundër çdo sulmi ndaj NATO-s. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i quajti këto pretendime “histori që nuk kanë të bëjnë fare me realitetin dhe me qëllimet e Rusisë,” duke shtuar se Moska, po përballet me “agresion” nga vendet evropiane. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Sergei Naryshkin, i cili e cilësoi takimin si “asgjë të pazakontë, por pjesë integrale të punës sonë”.

    Megjithatë, ai refuzoi të jepte hollësi mbi temat e diskutuara me John Ratcliffe, duke vërejtur se ato i përkisnin “fushëveprimit të shërbimeve të inteligjencës”, dhe se Rusia po vazhdon operacionin e saj të posaçëm ushtarak për të garantuar sigurinë dhe interesat e veta. Në vitin e pestë të luftës, vështirësitë për Presidentin Putin po shtohen, megjithatë, ka pak shenja se lodhja e publikut, rëndimi i ekonomisë apo sulmet e shtuara ukrainase po ia luhatin bindjen se në fund do të dalë fitimtar. Kësisoj, ai u ka kërkuar rusëve të bashkohen kundër kundërshtarëve të huaj, të cilët, sipas tij, janë të vendosur të shkatërrojnë kombin. Gjatë muajit gusht, në mbështetje të kësaj filozofie, ai vizitoi një ishull të largët të pretenduar nga Japonia për të rikonfirmuar sovranitetin e Moskës. Ai vizitoi, gjithashtu, varrin e Dmitri Donskoy-t, një shenjtor ortodoks rus i shekullit të 14-të, i njohur për kryqëzatën e tij kundër sundimtarëve mongolë-tatarë.

    Ndërsa në kongresin e partisë “Rusia e Bashkuar”, Putini deklaroi se situata është vështirësuar për shkak të suksesit rus, gjë që e shtyn Ukrainën të sulmojë më brutalisht:”Sa më e vështirë të bëhet situata për armikun në vijën e frontit, aq më barbare bëhen sulmet e regjimit të Kievit”, duke i krahasuar autoritetet ukrainase me nazistët. “Tani, shumë varet nga uniteti ynë, nga guximi i ushtarëve dhe oficerëve rusë, si dhe nga të gjithë ata, që punojnë me zell në rolet e tyre për të kontribuar në fitore.” Informacionet e inteligjencës vënë në dukje se Putin i shikon SHBA-të si të dobësuara nga lufta gjashtëmujore në Iran. Ai beson se rezervat ushtarake amerikane të armatimeve kryesore janë varfëruar. Megjithatë, burimet që kanë siguruar këto të dhëna nuk japin hollësi mbi metodat e grumbullimit të informacionit apo shkallën e saktësisë së tij.

    Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, si dhe zyrtarë të tjerë të administratës kanë mohuar publikisht praninë e mungesave serioze të municioneve, edhe pse i kanë kërkuar industrisë ushtarake të përshpejtojë prodhimin. Në fushën e betejës, përparimi i trupave ruse është ngadalësuar. Sipas të dhënave të OJQ-së finlandeze Black Bird, nga 1 qershori e deri më sot, ushtria ruse ka mundur të marrë vetëm 176 km². Njëkohësisht, sulmet e profilit të lartë ukrainas brenda territorit rus, që synojnë nyjet kryesore të energjisë dhe tregtisë online, kanë zbehur aftësinë e Presidentit rus për të demonstruar kontroll të plotë. Shpenzimet për luftën kanë tejkaluar parashikimet dhe popullsia po shfaq frikë në rritje për të ardhmen. Rusët kanë filluar të tërheqin më shumë para nga bankat, pasi ndërprerjet e shpeshta të internetit pengojnë pagesat digjitale, ndërsa disa përpiqen t’i shmangen barrës së re tatimore ushtarake.

    Pavarësisht këtyre vështirësive ekonomike, investimet për ushtrinë po arrijnë rreth 9-10% të PBB-së ruse. Ukraina, përveç pakësimit të trupave dhe fondeve, po përballet me mungesa të mëdha në mbrojtjen ajrore, përfshirë interceptorët e raketave. Kjo situatë e lë territorin ukrainas të pambrojtur ndaj raketave balistike ruse dhe, veçanërisht, ndaj dronëve të rinj, që arrijnë shpejtësi deri në 600 km/h. Për këtë arsye, Moska po prodhon çdo muaj dhjetëra raketa balistike dhe armë të fuqishme që Ukrainës i mungojnë. Kohët e fundit, Rusia ka miratuar një strategji të re për goditjen e kryeqytetit ukrainas: dërgimin sporadik të dronëve kamikazë ditë e natë, duke ushtruar trysni psikologjike e ushtarake mbi mbrojtjen ajrore dhe popullsinë civile. Një nga shënjestrat e këtj çekuilibri ishte dhe selia e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës (SBU), një nga aktorët kryesorë që ka dëmtuar rëndë rafineritë e naftës, terminalet dhe aeroportet ruse.

    Ky sulm u bë në një kohë kur SBU ka një përplasje të ashpër me inteligjencën ushtarake, GUR, që shkoi deri atje sa agjentët e të dy institucioneve shkëmbyen zjarr në rrugët e Kievit. Kreu i këshillit antikorrupsion në Ministrinë e Mbrojtjes ukrainase vëren se, në pikën më të nxehtë të këtij konflikti të hapur, rusët vendosën “ t’i hedhin benzinë zjarrit”. Sipas analistëve, ky çekuilibër mund ta bindë z. Putin se po fiton një avantazh kritik, pavarësisht sfidave të brendshme, duke e nxitur atë të kërkojë ta “thyejë” Ukrainën këtë dimër, duke shkatërruar infrastrukturën e saj civile dhe objektet e prodhimit ushtarak.

    REKRUTIMI

    Në korrik, Ushtria ruse zhvilloi një stërvitje mobilizimi në rajonin e Kaliningradit, i cili kufizohet me detin Baltik dhe dy anëtarë të NATO-s, Poloninë dhe Lituaninë. Gjatë kësaj stërvitjeje, oficerët rusë mbikëqyrën planifikimin e gatishmërisë dhe procedurat e hollësishme për mobilizimin e banorëve vendas, përkatësisht mënyrën se si do t’i strehonin, t’i ushqenin dhe t’i armatosnin.

    Kjo stërvitje ishte pjesë e një planifikimi më të gjerë në nivel kombëtar. Në muajt e fundit, Moska nuk ka arritur të rekrutojë mjaftueshëm ushtarë të rinj për të zëvendësuar të rënët dhe të plagosurit në fushën e betejës. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë vërejnë se mungesa e efektivit në front mund ta shtyjë Putinin të urdhërojë një valë të re mobilizimi. Kremlini nuk ka marrë ende ndonjë vendim për mobilizim, por vendosmëria e Putinit për të marrë të gjithë rajonin e Donbasit (sidomos Kramatorskun dhe Slovianskun, që kontrollohen nga Ukraina), mund ta detyrojë atë të veprojë pas zgjedhjeve parlamentare të fundshtatorit.

    Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë efekti praktik do të kishte ky mobilizim po të thirrej kaq vonë, para se dimri të ngadalësojë luftimet. Kremlini i ka hedhur poshtë këto raportime duke i cilësuar si “sajime informative”, me pretendimin se ushtria kryen rregullisht stërvitje rutinë dhe se nuk ka kryer teste në lidhje me mobilizimin. Sipas burimeve të inteligjencës perëndimore Kalinigradi mund të luajë një rol kyç në planifikimin ushtarak të Moskës.

    Në rast të një përshkallëzimi me Perëndimin, Rusia mund të tentojë të pushtojë një pjesë të Korridorit të Suwalki, i cili lidh Kaliningradin me Bjellorusinë përmes territorit të Polonisë dhe Lituanisë. Sot, në rrethet e oligarkëve apo të zyrtarëve të lartë rusë si Herman O. Gref, kreu i Sberbankës apo Sergei S. Sobyanin, Kryetari i Bashkisë të Moskës, po vihen re shenja lodhjeje dhe kërkojnë që lufta të mbarojësa sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, shumica e rusëve e mbështesin publikisht luftën, ndaj çdo mobilizim masiv nuk ka gjasa të përballet me trazira të mëdha. Sidoqoftë, entuziazmi fillestar është zbehur, duke nxitur tensione të reja politike brenda vendit.

    PËRMBYLLJE

    Drejtori i CIA-s, Ratcliffe, fluturoi drejt Moskës pesë vjet pas vizitës së fundit të paraardhësit të tij, William J. Burns, në nëntor 2021, i cili, megjithëse i tha presidentit rus se SHBA-ja e kishte zbuluar plotësisht planin e pushtimit të Ukrainës, nuk arriti ta parandalonte atë. Vizita e tanishme ruan një kanal konfidencial mes shërbimeve të inteligjencës në një kohë kur negociatat për Ukrainën kanë ngecur dhe rreziku i përshkallëzimit po rritet. Ajo synon t’i dërgojë një paralajmërim presidentit rus. Megjithatë, mbetet ende për t’u parë nëse ky mesazh do të mjaftojë për ta penguar atë nga pushtimi i vendeve të tjera apo nga kryerja e akteve të sabotimit. Sidoqoftë, paralajmërimi i Drejtorit të CIA-s është jetik, sepse thekson angazhimin amerikan për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund konfliktit. Ka pak tregues se bisedimet e paqes do të ringjallen plotësisht së shpejti, por edhe nëse Putini planifikon të luftojë gjatë dimrit, kjo vizitë hap rrugën që të arrihet një marrëveshje përfundimtare në pranverë.

    Gjithsesi, nuk duhet të nënvlerësohet fakti se Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut mund të jenë duke bashkëpunuar për të ekspozuar dobësinë e Perëndimit. Kësisoj, edhe pse Drejtori i CIA-s i ka kërkuar Moskës të ndërpresë ndihmën ndaj Iranit, por ka gjasa që nuk do të ndodhë. Presidenti kinez Xi Jinping vështirë se dëshiron një krizë në prag të vizitës të tij në Uashington, më 24 shtator. Megjithatë, në takimin me Putinin, më 31 gusht, ai rikonfirmoi bashkëpunimin me Rusinë, d.m.th.: partneritet strategjik me Rusinë dhe stabilitet konkurrues me SHBA-në.

    Në këtë ekuilibër, Rusia mbetet partneri më i dobët, ndërsa Kina ka nevojë të madhe për tregtinë, kapitalin dhe teknologjinë perëndimore, çka do të thotë se Pekini kërkon rivalitet pa konfrontim të pakontrollueshëm. Ndërkohë, në Uashington ka pasur mesazhe të përziera rreth asaj, që mund të jetë në horizont dhe vet Presidenti tha se nuk priste ndonjë veprim të menjëhershëm nga Rusia. Panorama

    Lajmi Paraprak

    35 vjet pavarësi, politika me mesazh të përbashkët: institucione më të forta, barazi dhe sundim të ligjit

    Lajmi i rradhës

    PISA nxjerr në pah krizën në arsim: shumica e nxënësve në RMV nën nivelin bazë

    Lajme tjera

    Ky regjim duhet shembur

    DR.SC.LIDA SHOSHA SHËRIMI I NJË KOMBI NGA KANCERI Shpesh në gjuhën mjekësore, fjala kancer nënkupton një sëmundje të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë