LSDM-ja akuzon qeverinë për përkeqësimin e sigurisë nëpër rrugët e kryeqyteit. Duke komentuar plagosjen e 19-vjeçarit mbrëmë në Çair, socialdemokratët thonë se vendi është bërë si “Perëndimi i Egër”. LSDM-ja kërkon dorëheqje nga Ministri i Brendshëm.
“Me Toshkovskin dhe VMRO-DPMNE-në rrugët janë bërë Perëndim i Egër, ka të shtëna pothuajse çdo ditë, në çdo hap. Qërimi i hesapeve mes kriminelëve janë në rritje, në vend të rendit mbretëron kaosi. Mosndëshkimi dhe joefikasiteti i Ministrisë së Punëve të Brendshme është festë për kriminelët që nuk kanë frikë nga Toshkovski dhe bëjnë çfarë të duan. Me Toshkovskin në krye të MPB-së, deri më tani ka pasur mbi 20 raste të përdorimit të armëve të zjarrit, rreth 10 vrasje dhe tentim vrasje”, tha Bogdanka Kuzeska – Zëdhënëse e LSDM-së.
Por VMRO DPMNE-ja u kundërpërgjigj se pikërisht LSDM-ja ka përgjegjësi për incidentet e tilla, të cilat siç thonë datojnë që moti.
“LSD-ja bëri magnatë nga bandat në Shkup duke paguar borxhin për zgjedhjet e vitit 2016 kur po këta banditë ishin kryesorët në selitë e LSD-së në gjithë Shkupin”, theksojnë nga VMRO-ja.
Edhe zv.kryeministri i parë Mexhiti tha se LSDM-ja nuk ka kredibilitet të flet për këtë temë ndërkohë që kërkoi nga institucionet kompetente ta zbardhin rastin.
“LSDM nuk kanë kredibilitet moral të bën kësi akuza sepse kanë lënë një qeverisje ku ka pasur shumë të vrarë të ri dhe shumë qytetarë të rinj janë plagosur në tetë vitet e fundit por përgjigjën adekuate do t’ia lëmë Ministrisë së Punëve të Brendshme për të arritur sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Izet Mexhiti, zv.kryeministër. /Alsat/