Ndërsa numri i nxënësve që regjistrohen në ciklin e ulët vazhdon trajektoren në rënie, gjithnjë e më shumë shtohen shkollat me nga një paralele e klasat ku numri i nxënësve nuk arrin më shumë se 4, apo 8-9 vetë. Sipas të dhënave zyrtare në këtë vit shkollor vërehet rënie e numrit të shkollave të rregullta fillore, numrit të paraleleve, nxënësve dhe mësimdhënësve në to, krahasuar jo më larg se viti i kaluar. Në vetëm një vit, numri i nxënësve të shkollave fillore është ulur për 1550, ndërsa i nxënësve të shkollave të mesme me 1791 më pak. Por nëse në këtë vit shkollor Ministria e Arsimit dhe Shkencës regjistroi 255 mijë nxënës në ciklin e mesëm e të ulët, po të bëhet një krahasim me dhjetë vjet më parë (në vitin shkollor 2012/2013) ku gjithsej figuronin mbi 285 mijë nxënës, do të thotë se gjatë një dekade shkollat kanë humbur rreth 30 mijë nxënës. Ose mesatarisht çdo vit regjistrohen rreth 3000 nxënës më pak.
NË FSHATRA KLASAT GJYSMË BOSH
“Në arsimin fillor, numri i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë po zvogëlohet nga viti në vit, po ashtu edhe numri i përgjithshëm i nxënësve. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit numri është më i ulët për 13.5 për qind”, thuhet në raportin e ESHS.
Kjo situatë është më e dukshme sidomos në zona rurale, si për shembull në shkollat e komunave të Likovës, ku regjistrat evidentojnë përgjysmim të numrit të nxënësve. Në reduktimin drastik kanë kontribuar sa migrimi, po aq edhe shifrat gjithnjë e në rënie të lindjeve në dekadat e fundit. Vetëm kështu e shpjegojnë përgjysmimin në shkollën Faik Konica në komunën e Likovës, ku nga 933 nxënës që numëronte në vitin shkollor 2009-2010 shifrat kanë zbritur në 586 nxënës gjithsej në këtë vit shkollor. Kjo shkollë mbulon pesë fshatra Orizare-Allashec-Sllupçan- Runicë-Izvor dhe mesatarisht gjatë 13 viteve të fundit janë regjistruar mesatarisht rreth 50 nxënës më pak çdo vit shkollor. Në klasat më të larta të një tjetër shkolle të kësaj zone – “5 Tetori” që mbulon fshatrat Ropalcë, numri i nxënësve është 9 apo 10 në një klasë. Nga drejtoria e shkollës thonë se nëse mesatarisht vite më parë çdo klasë kishte mbi 20 nxënës, tani përballen me shifra në rënie që bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Në shkolla të fshatrave të tjera funksionin vetëm nga një klasë në çdo paralele.
STIMUJ PËR NXËNËSIT, ASHTU SI PËR BEBET
Ulja e numrit të nxënësve ka qenë një prej arsyeve, krahas mbështetjes financiare, që komuna e Kumanovës në seancën e së enjtes të marrë vendimin për subvencionimin me 2 mijë denarë të çdo nxënësi që regjistrohet në klasë të parë. Kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski thotë për “KOHA” se kjo komunë është e vetmja për momentin që krahas kësaj ndihme që do të japë duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, po ashtu financon edhe transportin falas të nxënësve të kësaj zone. “Me këtë masë, përpiqemi që maksimalisht të ndihmojmë në këtë periudhë krize familjet në një muaj, si shtatori që rëndon buxhetin e tyre me shpenzimet për blerje e materialeve shkollore, të stimulojmë regjistrimin në një numër më të madh të nxënësve, por edhe për të kontribuar në përgjithësi me problemet shtesë siç janë sigurimi i librave”, thotë Dimitrievski. Sa i takon rajoneve, Rajoni i Shkupit ka numrin më të madh të nxënësve për shkollë në arsimin fillor (422), më pak nxënës sipas shkollës, janë të regjistruar në rajonin e Pollogut (192), dhe më së paku në rajonin e Pellagonisë.
ARSIMI FILLOR:
2010/ 2011: mbi 205 mijë nxënës
2015/2016: mbi 187 mijë nxënës
2020/2021: mbi 188 mijë nxënës
ARSIMI I MESËM:
2010/2011: mbi 95 mijë nxënës
2015/2016: mbi 80 mijë nxënës
2020/2021: mbi 72 mijë nxënës
TOTALI:
2012/2013: 285 mijë nxënës
2022/2023: 255 mijë nxënës /koha/