Pollogu, një bankomat për 20 mijë banorë!

    Banorët e Komunës së Vrapçistit me mbi 19 mijë banorë, komunës së Bogovinës me mbi 23 mijë banorë, komunës së Tearcës me mbi 17 mijë dhe Zhelinës me mbi 19 mijë banorë, kanë në disponim vetëm nga një apo dy bankomate në komunat e tyre. Mirëpo në komunat e tjera në Pollog si në Jegunovcë me afër 9000 banorë dhe Brvenicë me afër 14 mijë banorë, nuk është në disponim të banorëve asnjë bankomat.

    Në Likovë me mbi 22 mijë banorë është në disponim vetëm një bankomat ngjashëm si në Haraçinë me afër 12 mijë banorë. Dy filiale të bankave punojnë në komunë e Sarajit, ku në disponim të banorëve ka edhe 6 bankomatë. Në Komunën e Studeniçanit me mbi 21 mijë banorë nuk funksionin asnjë bankomat.

    Të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë, tregojnë se mbulimi më i madh në komunat me mbi dhjetë mijë banorë, shënohet në komunën e Mavrovë Rostushës, Ohrit, Dojranit dhe Gjevgjelisë.

    Mbulimin më të madh me aparate për pagesa në vendet fizike të shitjes regjistrohen në Gjevgjeli ku me të madhe frekuentojnë banorët e Greqisë fqinje me 321 pika të shitjes, në Ohër me 285 si qendrën më të madhe turistike në vend dhe në Shkup me 269 pika të shitjes. Në kryeqendrën e Maqedonisë me numrin më të madh të banorëve, aktivitetin më të madh ekonomik, dendësinë më të madhe të popullatës, shënohet mbulimi më i madh me bankomatë dhe pika të shitjes ku mund të paguhet me kartela në komunat Qendër, Karposh dhe Aerodrom.

    Nga ana tjetër të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë rritje të vazhdueshme të përdorimit të benefiteve të transaksioneve pa para në dorë ose përmes rrugës elektronike

    Në tremujorin e dytë të vitit 2022, edhe më tej po rritet përdorimi i kartelave pagesore dhe rritjen e vlerës së pagesave me kartela. “Ndryshimi i shprehive të qytetarëve , apo përdorimi se vjen e më i shpeshtë i kanaleve digjitale për realizimin e pagesave , deri në fund të vitit 2022, ka sjellë në rritjen vjetore prej 13 për qind të pagesave me kartela pagesore në tregti dhe rritjen vjetore prej 8 për qind të pagesave me transferesh kredish të iniciuara në mënyrë elektronike”, thuhet në analizën e fundit të Bankës Qendrore.

    Në fund të vitit të kaluar në qarkullim ishin 2.1 milionë kartela pagesore, nga të cilat 70 për qind bazoheshin në teknologjinë pa kontakt. Nga ana tjetër, infrastruktura e pranimit të pagesave me kartela pagesore numëron 30.011 pajisje në pikat fizike të shitjes, tek 13.359 tregtarë në vend, prej të cilëve 86 për qind mbështesin teknologjinë pa kontakt. Njëherësh përdoruesit më të mëdhenj të kanaleve digjitale për qasjen ndaj faturave dhe kryerjen e pagesave elektronike janë grup moshat nga 25 deri në 54 vjeç, me 2.3 fatura për kohë banori. Shumica e llogarive që ato i posedojnë, apo mbi 51 për qind, ishin në dispozicion për qasje elektronike, ndërsa 24 për qind për kryerjen e pagesave elektronike. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çdo familje në RMV nga dy-tre vetura!

    Lajmi i rradhës

    Ndërtimet pa leje, problem madhor për komunat në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë