POROSIT APARAT TEKNIK, TË VJEN LODËR! Mashtrimet në tregtinë në internet

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po e përdorin gjithmonë e më shumë internetin edhe për blerjet online. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit, ata shpenzuan 221 milionë euro në dyqanet virtuele. Kjo paraqet një rritje aq të madhe dhe të paimagjinueshme në raport me pesë milionë të harxhuara për tregti elektronike në gjashtë muajt e parë në vitin 2014. Mirëpo lulëzimi i tregtisë online shoqërohet edhe me problematika të tjera shqetësuese si tregtia informale, blerja nga tregtarët jolegal apo marrja e prodhimit të dëmtuar. Disa prej blerësve përmes faqeve të internetit ranë pre e mashtrimeve dhe nuk e morën produktin që porositën, ai u dëmtua, ose u zëvendësua me diçka tjetër.

    Nga gjithsej 600 ankesa të ardhura nga Organizata e Konsumatorëve në periudhën janar- korrik, 153 janë për blerje online. Ndodh që qytetarët të porosisin një gjë dhe marrin diçka tjetër. Apo në vend të mallrave teknike, atyre shpesh ju dërgohen lodra. Njëherësh nëse kemi parasysh se vetëm një përqindje e vogël e qytetarëve vendosin të ankohen dhe të denoncojnë mashtrimin, numri i atyre që “kanë rënë” në ofertat joshëse të mashtruesve është shumë më i lartë se shifrat zyrtare. Numri një i Organizatës së Konsumatorëve Marjana Llonçar, thotë se një ndër rreziqet më të mëdha të blerjes elektronike është shitblerja përmes rrjeteve sociale , andaj konsumatorët duhet të bëjnë kujdes të blejnë në dyqanet e ndryshme apo platformat e sigurta që edhe janë regjistruar për këtë lloj tregtie.

    Nga Shoqata e Tregtisë elektronike të Maqedonisë thonë se kanë ndërmarrë më shumë masa për të ndihmuar konsumatorët që të marrin vendime për blerje online. Si pjesë e platformës ecommerce4all.eu, ata kanë prodhuar edhe manualin Mbrojtja e të Drejtave të Konsumatorit në Maqedoni, përmes të cilit qytetarët fillimisht mund të familjarizohen me të drejtat e tyre si konsumatorë dhe mbrojtjen që ofron ligji. Ata kanë krijuar gjithashtu edhe një regjistër të tregtarëve elektronik të regjistruar, përmes të cilit është e lehtë të kontrollohet nëse kompania nga e cila është bërë blerja është person juridik i regjistruar dhe ofron pagesa elektronike.

    Mbi 100 dyqane elektronike në vend kanë fituar Shenjën e Verifikuar E-Tregtar, e cila mbështet kultivimin e politikave dhe praktikave që përfitojnë konsumatorët.

    Në ndërkohë analizat e Shoqatës së tregtisë elektronike tregojnë se po rritet trendi i blerjeve online. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se vlera totale e transaksioneve onlajn të realizuara nga qytetarët e Maqedonisë në gjashtëmujorin e parë të 2023-ës, brenda dhe jashtë shtetit është 328 milionë euro që paraqet një rritje prej afër 18 për qind në raport me vitin e kaluar. Vetëm në dyqanet vendore janë shitur mallra me vlerë prej afër 221 milionë euro.

    Në vitin e kaluar janë realizuar shitblerje elektronike prej 550 milionë euro me një rritje prej 25 për qind në raport me vitin 2021. Tek tregtarë t vendor janë harxhuar 394 milionë euro, ndërsa jashtë shtetit janë blerë prodhime me vlerë prej 156 milionë euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Dua të qëndroj në Barcelonë përgjithmonë”

    Lajmi i rradhës

    Parti të vogla me ambicie të mëdha!  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë