PRERJA E PALIGJSHME E DRUVE / “Masakrohet” Mali Sharr!

    Dy persona të cilët ditë më parë nga policia u raportuan se janë kapur duke prerë dru në atarrin e fshatit Brodec, të Malësisë së Tetovës, sipas Parkut Kombëtar, të njëjtit kanë prerë dru me moshë të vjetër nga 60 deri në 80 vjeç. Sipas informacioneve, dy personat e ndaluar janë banorë të fshatit Shipkovicë. Në një komunikim për opinion të Parkut Kombëtar Mali Sharr, bëhet e ditur se shërbimi i rojeve të këtij institucioni ka bërë kontroll më të gjerë të vendit, ku edhe janë  evidentuar dëme më të mëdha, pasi që është shkatërruar një pyll një gjendje të  mirë.

    “Sipas zonave mbrojtëse, vendi ndodhet në zonën e menaxhimit aktiv në kuadër të Parkut Kombëtar ‘Mali Sharr’. Përveç dëmeve aktuale nga druri i prerë në mënyrë të paligjshme, përfaqësuesit e krim teknikës kanë evidentuar dhe dokumentuar dëmet e shkaktuara në të gjithë zonën. Plantacioni në të cilin është kryer prerja ilegale është një pyll ahu në kushte të mira habitati, me moshë nga 60 deri në 80 vjeç”, kanë bërë të ditur nga Parku Kombëtar Mali Sharr.

    Më tej, nga ky institucion sqarohet se vendi ku janë gjetur personat duke prerë dru quhet “Maja e Zezë”, pronë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në menaxhim të parkut kombëtar.

    “Sipas specifikacioneve, në momentin kur janë gjetur në vend, personat kishin rrëzuar dhe po përpunonin 4 trungje ahu me masë totale drurore 2.07 metër kub, e cila masë drurore e përpunuar në asortimente 1 metër gjatësi, të përshtatshme për dru zjarri, gjendet në vendin e prerjes”, pohojnë nga Parku Kombëtar Mali Sharr.

    Sipas këtij institucioni, në këtë vend, në një hapësirë më të gjerë një kohë të gjatë janë prerë dru përpara se ky vend të shpallej park kombëtar.

    “Në hapësirë më të gjerë, e cila dikur përfaqësonte një kompleks pyjor cilësor me një sipërfaqe të madhe, është e dukshme që prerje të ngjashme të paligjshme janë kryer që nga disa vite më parë deri në disa dekada më parë, përpara se zona të shpallej për Park Kombëtar.

    Si rrjedhojë, kjo ka lënë një pyll të degraduar, strukturë të copëtuar, masë druri të papërpunuar e shpërndarë që është e papërdorshme dhe me cilësi të humbur teknike dhe kalorike. Nuk vërehen shenja për prerje të organizuara, që do të thotë se gjitha këto aktivitete janë kryer në mënyrë të paligjshme. Masa drusore e druve të prera ilegalisht në një radius prej 100 metrash është 77.18 metra katrorë ose 142 dru”, bëjnë të ditur nga Parku Kombëtar Mali Sharr.

    Ditë më parë, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka bërë të ditur se zyrtarët policorë kanë ndaluar personat M.R.(60) dhe Z.I.(58), të dy nga Shipkovica e Tetovës, të cilët janë gjetur në zonën “Reka e Ftohtë”, rajoni i Brodecit të Tetovës, pasi që kanë prerë ilegalisht drurë të ahut me sharrë motorike.

    ”Është kryer inspektimi në kuadër të të cilit është konstatuar se në atë vend janë prerë rreth 200 dru të tillë. Pasi çështja të jetë dokumentuar plotësisht, kundër tyre do të pasojnë parashtresat përkatëse”, njoftoi Policia e Tetovës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qasja në edukim të hershëm për fëmijët në RMV, sfidë për vendin

    Lajmi i rradhës

    Dibra pa inspektor të ndërtimit!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë