Qasja në edukim të hershëm për fëmijët në RMV, sfidë për vendin

    Edukimi në fëmijërinë e hershme vendos themelet e një të ardhme prandaj është e rëndësishme që fëmijët të kenë qasje në të pasi ai i ndihmon fëmijët në të gjitha fazat e zhvillimit. Njohësit e kësaj çështje edukimin e hershëm e cilësojnë si diçka thelbësore për shoqërinë.

    Sipas tyre, edukimi i hershëm më nuk duhet të shihet si opsion, por një rrugë e cila medoemos duhet ndjekur në mënyrë që të kemi një shoqëri të mirëfilltë. Ligji për mbrojtjen e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, thekson se kopshtet e fëmijëve mund të themelohen si kopshte publike, të cilat i themelon Qeveria dhe këshilli i Qytetit të Shkupit me vendim për themelimin e tij pas marrjes së mendimit nga MASH, dhe me propozim të MPPS, dhe kopshte private, të cilët themelohen nga persona fizik apo juridik, vendas apo të huaj.

    Bazuar në hulumtimin e kryer nga Instituti për Demokraci “IDEA”, në Maqedoninë e Veriut momentalisht ka 81 kopshte publike për fëmijë të cilat janë të ndara në objekte kopshtesh, apo 63.1% (210) objekte kopshtesh në komunat urbane dhe 36.9% (123) objekte në komunat rurale. Ndërsa sa i përket kopshteve private, gjithsej ekzistojnë 38 kopshte private, 5 prej të cilave janë në komunat shqiptare edhe atë (një në komunën e Çairit, dy në komunën e Tetovës dhe dy në komunën e Gostivarit). Numri i komunave që nuk kanë asnjë kopsht është 13, prej tyre 5 janë shqiptare.

    Sipas hulumtimit, në vitin 2022 janë bërë gjithsej 42 aplikime në MPPS nga ana e komunave në Maqedoninë e Veriut për hapjen ose përmirësimin e kushteve në kopshtet ekzistuese, megjithatë nga këto aplikime vetëm 4 janë pranuar, ndërsa përgjatë periudhës 2018-2022 nga ana e komunave janë dërguar 223 kërkesa, kurse nga ana e qeverisë janë realizuar vetëm 65 prej tyre, investime të cilat thuhet se kanë krijuar 7,599 vende të reja në kopshte.

    Në dhjetor të vitit 2022 numri i fëmijëve të regjistruar në kopshte ishte 40.777, ndërsa numri i fëmijëve në pritje për tu regjistruar në kopshte ishte gjithsej 5.695 fëmijë.

    “Ky numër ka rënë për 97 fëmijë që është një shkallë tepër e ulët e zvogëlimit të listës së pritjes (1.7%). Me këtë shkallë të zvogëlimit të listës së pritjes, do të duhet përafërsisht edhe 57 vite që lista e pritjes të arrijë në zero”, thuhet në hulumtimin e këtij instituti.

    Në bazë të hulumtimit, numri i të punësuarve në kopshtet e vendit është 3,604, ku 1,322 janë edukatore dhe 2073 janë kujdestarë.

    “Numri i të punësuarve profesional është gjithsej 150 të punësuar, ku 27 janë defektolog, 37 logoped, 34 pedagog, 33 psikolog, 14 punonjës social, 4 mjek, dhe 1 stomatolog. Numri i bashkëpunëtorëve profesional të punësuar është 59, prej tyre 3 janë mësues të artit, 26 mësues të muzikës, 10 mësues të edukimit fizik, 7 profesor të gjuhëve të huaja, dhe 13 motra medicinale”.

    Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor (55%) dhe vendet e BE-së (98%), Maqedonia e Veriut ka nivelin më të ulët të regjistrimit në kopshte, me vetëm 41%.

    “Faktorë për nivelin e ulët të regjistrimit janë qasja në çerdhet publike, politikat arsimore, faktorët socio-ekonomik, ndërgjegjësimi i prindërve rreth rëndësisë së edukimit të hershëm”, thuhet në hulumtim. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ikja vjen nga qeverisja e keqe!

    Lajmi i rradhës

    PRERJA E PALIGJSHME E DRUVE / “Masakrohet” Mali Sharr!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë