Prindërit kërkojnë vendosjen e kamerave në çerdhen e Dibrës

    Për herë të parë në institucionin parashkollor çerdhja “Breshia”, në Dibër nga ana e një grupi të prindërve është kërkuar vendosja e kamerave respektivisht videovëzhgim të sipërfaqeve të brendshme në hapësirat e çerdhes “Breshia”. Nga iniciativa tani për tani nuk japin sqarime për shkakun e kërkesës, por që janë të bindur se video vëzhgimi në çerdhe është një nevojë e kohës. Kërkesat kanë arritur edhe në pushtetin vendor ku është debatuar në lidhje me këtë çështje edhe në nivel të Këshillit të komunës. Çerdhja “Breshia”, zyrtarisht ka informuar se objekti vëzhgohet në hyrjen e saj por jo edhe në objektin brenda tij.

    Në debatin që u zhvillua në Këshillin e komunës Dibër, këshilltari Shkëlzen Çanka i cili poashtu është prind i fëmijëve në këtë çerdhe, ka theksuar se patjetër duhet të vendosen kamera në pjesët ku realizohet aktiviteti edukativ i fëmijëve.

    “Jam i bindur se të gjithë prindërit kërkojnë që të ketë kamera. Ne si prindër duam që të dimë se si trajtohen fëmijët në përgjithësi por edhe si realizohet procesi edukativ. Prandaj kërkoj nga drejtoria e çerdhes ‘Breshia’, të zbatoj kërkesën tonë si prindër meqë ajo është në interes edhe të prindërve por edhe të udhëheqësisë. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt. Mendoj se është një situatë dhe kërkesë objektive që ka të bëjë me transparencën të kësaj çerdhe”, tha Çanka dhe shtoi se nuk ka informata se si është në çerdhet e tjera, por mendon se është shumë objektive kërkesa në fjalë.

    Kjo kërkesë mori përkrahje nga pjesa më e madhe këshilltarëve dhe prindërve. Në këtë çerdhe ku ka mbi 370 fëmijë të ndarë në tetë grupe, vëzhgimi i procesit edukativ është nevojë. Duke dhënë sqarime rreth kërkesës drejtoresha e çerdhes “Breshia”, Ajrie Daçi informoi se nuk ka asgjë kundër vendosjes së video vëzhgimit në hapësirat e çerdhes, por duhet të konsultime me institucionet kompetente, e veçmas Ministrinë për Punë dhe Politikë sociale se a ka mundësi ligjore për këtë kërkesë. Ajo thotë se objekti i çerdhes “Breshia”, ka video vëzhgim në hyrje por edhe në një pjesë ku ka një hyrje plotësuese.

    “Kërkesën e kam parasysh dhe si të tillë do të fillojë ta transmetoj tek institucionet qendrore për të marrë një përgjigje që ka të bëjë me ligjshmërinë të vendosjes së video vëzhgimit në hapësirat ku janë fëmijët. Shpresoj se përgjigje do të keni shumë shpejtë në përputhje me normat ligjore”, tha drejtoresha e çerdhes.

    Vendosja e kamerave është një nevojë pozitive, thotë Daçi dhe sqaron se në pjesën e objektit të dytë të çerdhes “Breshia” që quhet “Kolezia”. Ka patur disa vjedhje të produkteve ushqimore nga kuzhina, por me vendosjen e kamerave tanimë kjo dukuri nuk është përsëritur. Për kërkesën të grupit të prindërve që kërkojnë vendosjen e kamerave për vëzhgim, siç tha drejtoresha, do të debatohet në një takim me të gjithë prindërit por edhe përfaqësues të pushtetit vendor. /koha/

    Lajmi Paraprak

    DAP: në tetor 8462 punëtorë kanë mbetur pa paga

    Lajmi i rradhës

    Plan për rritje ekonomike të rajonit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë