Prishtina pyet “Qysh je?”

    “Qysh je?”, “Kush paguan për terapi?!” e “Nuk ka shëndet pa shëndet mendor” ishin ndër thirrjet që kumbonin jashtë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës më 15 maj – në ditën e parë të shënimit të Javës së Shëndetit Mendor në Kosovë.

    Për ta shënuar nisjen e kësaj jave, një grumbull i njerëzve, kryesisht të rinj, u mblodhën në sheshin Zahir Pajazati në Prishtinë për t’iu bashkuar marshit të parë të organizuar në Kosovë për ndërgjegjësim lidhur me rëndësinë e shëndetit mendor.

    Elona Bytyqi ishte njëra ndër pjesëmarrësit. Me një pankartë në duar, studentja e vitit të tretë në Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se dëshiron ta promovojë idenë që shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik.

    “Ajo që më bën përshtypje më së shumti këtu në vendin tonë është që nuk i japim rëndësi [shëndetit mendor] aq sa shëndetit fizik, edhe pse janë të barasvlershëm. Nuk mund të ketë shëndet fizik pa pasur shëndet mendor, apo anasjelltas”, thotë Elona për Radion Evropa e Lirë.

    Elona Bytyqi mban një pankartë me mesazhin "Nuk është kurrë vonë me kërku ndihmë".
    Elona Bytyqi mban një pankartë me mesazhin “Nuk është kurrë vonë me kërku ndihmë”.

    Për t’u kujdesur për shëndetin e vet mendor, ajo tregon se u kërkon të afërmve dhe shoqërisë që t’i rrinë afër – ashtu siç bën edhe ajo për ta.

    Ndërsa, Mumin Sadiku, i cili punon si psikoterapeut që rreth 30 vjet, shpreson që ky marsh të nisë një epokë të re, kur problemet e shëndetit mendor nuk do të stigmatizohen në shoqëri.

    “Nuk dëshiroj ta fajësoj askënd se pse kemi ardhur deri te kjo pikë. Por, duhet të merren hapa për ta ndryshuar”, thotë ai.

    Studentja e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Fjolla Hoxha, i bashkohet kërkesës së organizatorëve për financim të hulumtimeve për çështjet e shëndetit mendor.
    Studentja e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Fjolla Hoxha, i bashkohet kërkesës së organizatorëve për financim të hulumtimeve për çështjet e shëndetit mendor.

    Ai gëzohet që përreth vetes ka shumë të rinj, por thotë se as të rinjtë nuk e kanë arritur nivelin e duhur të vetëdijesimit për shëndetin mendor.

    “Të rinjtë ndonjëherë dëshirojnë të marrin ndonjë shërbim të shëndetit mendor, por familja e stigmatizon, e kufizon. Kjo nuk duhet të ndodhë”, thotë ai.

    Sadiku tregon se lënia anash e shëndetit mendor e bën punën më të vështirë për psikologët, pasi që ata konsultohen vetëm atëherë kur problemet e shëndetit mendor janë përkeqësuar ndjeshëm.

    Sfidat që vijnë nga stigmatizimi i personave me probleme të shëndetit mendor theksohen edhe njëra ndër organizatoret e marshit, Anduena Kelmendi.

    Anduena Kelmendi, njëra ndër organizatoret e marshit mban një pankartë me mesazhin "Vetëvrasja është e parandalueshme".
    Anduena Kelmendi, njëra ndër organizatoret e marshit mban një pankartë me mesazhin “Vetëvrasja është e parandalueshme”.

    “Ka persona që shkojnë te psikologu, por nuk e pranojnë. E shohim pak ashtu që… mundet dikush t’i pyes ‘Pse çka ki?’”, thotë Kelmendi, koordinatore e projekteve në Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM).

    Por, ajo thekson se shumë personave u limitohet qasja në shërbime të shëndetit mendor shkaku i çmimeve të larta të seancave.

    "Kush pagun për terapi?!" shkruhet në pankartën që mban një pjesëmarrëse në marshin për shëndetin mendor.
    “Kush pagun për terapi?!” shkruhet në pankartën që mban një pjesëmarrëse në marshin për shëndetin mendor.

    Për këtë arsye, organizatorët e marshit i parashtruan disa kërkesa për institucionet kosovare, si përfshirjen e mësimeve për shëndetin mendor në shkolla, rritjen e fondeve të ndara nga buxheti për shërbimet e shëndetit mendor, zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për parandalimin e vetëvrasjeve, etj.

    Në Kosovë gjenden disa Qendra të Shëndetit Mendor – në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Deçan – në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

    "Shëndeti mendor nuk është luks, është domosdoshmëri", shkruhet në një pankartë që mbajnë tri pjesëmarrëse të marshit.
    “Shëndeti mendor nuk është luks, është domosdoshmëri”, shkruhet në një pankartë që mbajnë tri pjesëmarrëse të marshit.

    Brenda dy vjetëve të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, në Kosovë është hapur vetëm një Qendër e Shëndetit Mendor (QSHM), ajo në Deçan.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pandemia COVID-19 çoi në rritje prej 25 për qind të rasteve me probleme të shëndetit mendor, si ankth dhe depresion. Gjatë kësaj periudhe, ishte raportuar për përkeqësim të situatës me shëndetin mendor edhe në Kosovë.

    Një mik në anën tjetër të telefonit  

    Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, një numër më i madh i vetëvrasjeve ishte vërejtur në vitet 2020 dhe 2021 në krahasimet me vitet paraprake.

    Në programin qeverisës të Kosovës për vitet 2021-2025, shëndeti mendor përmendet vetëm dy herë. Qeveria premtoi t’i rrisë kapacitetet për t’u ndihmuar pacientëve pas infektimit me COVID-19 edhe me shërbime të shëndetit mendor, si dhe premtoi fushatë ku do t’i kushtohej “kujdes i veçantë shëndetit mendor”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Besëtytnitë shqiptare për miqtë dhe miqësitë

    Lajmi i rradhës

    Kripa është një nga “vdekjet e bardha” | Mos e teproni dhe me çfarë mund ta zëvendësoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë