Privatët në RMV para administratës

    Produktiviteti i administratës publike është më i ulët se ai i sektorit privat. Këtë e tregojnë analizat e fundit të Institutit Fajnens Think, sipas të cilit, Prodhimi i Brendshëm Bruto i llogaritur në milion denarë në vitin 2021 është afër 0.60 për të punësuar tek privati, karshi afër 0.50 për të punësuar në sektorin publik. Produktiviteti është përllogaritur si vlerë e shtuar për të punësuar, me ç’rast vlera e shtuar për sektorin publik merret proporcionalisht me numrin e të punësuarve në sektorin publik. Njëherësh, analizat e këtij Instituti tregojnë se në periudhën 2011-2018 shënohet rënie e madhe e produktivitetit të administratës publike për 13.3 për qind në raport me produktivitetin e përgjithshëm që është rritur për 1 për qind. Nga ana tjetër, në një periudhë shtatëvjeçare, numri i të punësuarve në sektorin publik u rrit me 17.2 për qind, përderisa punësimi total në ekonomi u rrit pothuajse po aq për të njëjtën periudhë, pra 17.6 për qind, tregojnë të dhënat e Institutit për Analiza Ekonomike “Finance Think”.

    “Administrata publike nuk u rrit më shumë se rritja e totalit të ekonomisë, por vlera që krijonte ishte gjithnjë e më vogël e më vogël. Rezultati nuk është një administratë shumë e gjerë, por një administratë që prodhon rezultate/vlera që nuk janë të cilësisë së mjaftueshme. Arsyet mund të jenë të shumëfishta, por arsyeja kryesore mbetet punësimi dhe avancimi pa respektuar parimin e kualifikimeve, kompetencave dhe meritave”, tregon analiza e Finance Think.

    Në ndërkohë, edhe biznesi kërkon një administratë të reformuar. Efikasiteti i administratës publike nevojitet të përmirësohet që tregohet edhe nga matjet e ndryshme të institucioneve relevante të jashtme. Megjithatë kjo nuk nënkupton se ato janë dembelë, por se mungon një sistem menaxhimi. Andaj edhe nevojitet reforma thelbësore në këtë drejtim, thotë Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit. Ekspertët angazhohen për të shpërblyer punonjësit që angazhohen më shumë në administratë.

    “Administrata publike duhet të reformohet në një drejtim që do të shpërblejë administratorët që janë produktivë , që do dekurajojë dëshirën për të punuar në sektorin publik sepse atje nuk punohet asgjë apo sepse puna është e lehtë. Pra duhet të motivohen më shumë ato që punojnë më shumë , gjenden në pozita të rëndësishme që ndërlidhen me reformat dhe atë dukshëm mbi nivelin e tanishëm të pagesave”, thotë Marijan Petrevski, profesor i ekonomisë.

    Nga Instituti për Politika Evropiane thonë se procesi i vlerësimit të nëpunësve administrativ nuk po realizohet në mënyrë sistematike dhe përkatëse. Për më tepër shtojnë se për çdo vit po përsëritet refreni se vendi duhet të ketë administratë të vogël , efikase dhe llogaridhënëse , por vështirë se mund të thuhet se është arritur diçka e tillë, për shkak se bëhet fjalë për një provë të vazhdueshëm. “Aktualisht administrata nuk është reformuar aq sa duhet për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe për të ofruar shërbime cilësore. Gjithashtu, nuk është reformuar as nga brenda , që nënkupton edhe shpërblimin e vetë punonjësve në administratë e që janë profesionistë , të përgjegjshëm dhe që e meritojnë të motivohen”, shtojnë nga ky Institut. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndryshimi i emrave në Tetovë, ende pret rrugën institucionale

    Lajmi i rradhës

    Si t’i pastroni dredhëzat për të shmangur hepatitin A

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë