Projekti që mund të përafrojë ekonomikisht Kosovën e Shqipërinë

    Nëse realizohet projekti për ndërtimin e një porti të thatë në Prishtinë, që do të lidhej me Portin e Durrësit, Kosova dhe Shqipëria do të përfitonin shumë ekonomikisht.

    Ato “do të operonin si një lloj sistemi i përbashkët doganor” dhe “nuk do të kishte më prezencë doganore mes dy vendeve”, thotë ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica.

    “Procedurat që do të kryheshin në Kosovë, do t’i plotësonin ato në Shqipëri dhe anasjelltas”, sqaron ai.

    Rrjedhimisht, do të uleshin kostot doganore dhe do të zvogëlohej koha e pritjes në pika të dyfishta.

    Projekti, në fakt, parasheh ndërtimin e dy porteve të reja tregtare: Porto Romano në Durrës dhe Porti i Thatë në Prishtinë.

    Lidhja midis tyre do të bëhet përmes hekurudhës Durrës-Prishtinë.

    Projekti është prezantuar në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila është mbajtur më 20 qershor në Prishtinë.

    Sipas udhëheqësve të të dyja shteteve, projekti synon të transformojë infrastrukturën e zhvillimit tregtar dhe të marrëdhënieve tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe më gjerë.

    “Për këtë [projekt], çdo ditë do të bëj fushatë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, realizimi i këtij projekti do të vendoste Shqipërinë dhe Kosovën “në qendër të një graviteti rajonal”, ndërsa Durrësin do ta bënte “një nga portet më strategjike ekonomike të Mesdheut”.

    Sipas prezantimit të bërë nga Eric Smit, drejtor i kompanisë holandeze “Royal Haskoning”, e cila ka bërë projektin, porti i thatë në Prishtinë do të shfrytëzohet për zhdoganimin e mallrave, gjë që do ta lehtësonte pastaj ngarkesën në portin detar të Durrësit.

    Porti i thatë është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejnerë deri në vitin 2050.

    “Porti i thatë jep shumë mundësi dhe është një infrastrukturë ideale për ta hequr stresin nga portet detare. Kjo i lehtëson disa pjesë shumë thelbësore të portit detar”, ka thënë Smit.

    Projekti i investimit në Porto Romano llogaritet se do të ketë ndikim pozitiv në bruto prodhimin e brendshëm të Shqipërisë, nga 3% deri në 6%, ndërsa për Kosovën ende nuk ka një përllogaritje të saktë.

    Porto Romano do të ketë një sipërfaqe prej 400 hektarësh, me kapacitet prej 2 milionë kontejnerësh deri në 50 milionë tonelata.

    Afat për realizimin e projektit nuk ka dhe Smit ka thënë se duhet fillimisht një studim i fizibilitetit.

    Sfidë, me sa duket, mund të paraqesë transporti i dobët hekurudhor i Kosovës, si për nga infrastruktura, ashtu edhe nga mënyra e operimit.

    Tash për tash, trenat e Kosovës kryesisht qarkullojnë në vetëm dy linja: Prishtinë – Han i Elezit dhe Prishtinë – Pejë.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sasia e mallrave të transportuara me trena në tremujorin e parë të vitit 2022 ka qenë rreth 114 mijë tonë. Ndërsa, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi në këtë periudhë ka qenë rreth 13 mijë.

    Hekurudha e Kosovës është e izoluar dhe nuk ka asnjë linjë ndërkombëtare.

    E vetmja linjë rajonale që ka funksionuar deri vonë, ka qenë ajo me Shkupin në Maqedoni të Veriut, por, prej vitesh, as kjo linjë nuk është funksionale.

    Para luftës së viteve 1998/99, qytetarët kanë shfrytëzuar hekurudhat e Kosovës për në shumë vende perëndimore, pasi trenat e Kosovës kanë qenë të lidhur me linjat ndërkombëtare. /REL/

    Fotografi arkivi nga Porti i Durrësit.
    Lajmi Paraprak

    Pse Rusia nuk po mund ta paguajë borxhin e saj të jashtëm?

    Lajmi i rradhës

    Milloshoski reagon ndaj deklaratës së Azirit i cili shkroi: “Milloshoski ka merituar më shumë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë