Prokuroria nuk jep asnjë rezultat nga hetimet për tragjedinë në Tetovë

    Foto: Emir H

    19 ditë pas zjarrit në spitalin e Tetovës, Prokuroria është ende në fazën e mbledhjes së dëshmive. Asnjë detaj i hetimit nuk komentohet ose aludohet. Edhe pse kanë kaluar gati tre javë, asnjë raport i vetëm nga ekspertiza të kërkuara nga Prokuroria e Tetovës, nga institucionet nuk ka arritur tek prokurorët. Prokuroria nuk i shpall zyrtarisht arsyet e hetimit të ngadaltë, ndërkohë që dilemat tashmë po përhapen në publik – nëse raporti mund të publikohet gjatë fushatës elektorale, dhe të përdoret politikisht në funksion të aktorëve të caktuar, të cilët përveç funksioneve të tyre profesionale që i kryejnë janë të lidhur edhe me partitë që i propozuan ata. Zyrtarisht, nga Prokuroria për Alsat thonë se megjithëse ka filluar fushata për zgjedhjet lokale, aktivitetet e procedurës para-hetimore janë duke vazhduar në mënyrë aktive. Ata hedhin poshtë dyshimet se raporti mbi tragjedinë mund të abuzohet politikisht, dhe nuk përjashtojnë mundësinë që pjesë të hetimit të formalizohen gjatë fushatës.

    Kryerja e procedurave në prokuroritë publike zhvillohen në mënyrë të pavarur, nga zhvillimi i njëkohshëm i fushatave zgjedhore në vend. Nëse gjatë procedimit në prokurori mund të ndahet informacioni me publikun në lidhje me cilëndo, përfshirë edhe këtë ngjarje në përputhje me ligjin, prokuroria do ta informojë publikun – njoftojnë nga Prokuroria Publike.

    Prokuroria e Tetovës vazhdon të mbledh dëshmi. Ajo dëgjon dëshmitarët dhe shqyrton dëshmitë materiale. Ndër dëshmitë janë dokumentet e projektit nga Banka Botërore dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, të cilat po shqyrtohen nga hetuesit e Prokurorisë së Krimit të Organizuar. As në këtë rast nuk ka pasur përparim. Pikërisht për ndërtimin e spitalit modular në Tetovë, dokumenti thotë se autoritetet lokale dhe drejtorët janë përgjegjës për spitalin. Hetimi i prokurorisë duhet të tregojë nëse ka pasur apo jo mbikëqyrje gjatë ndërtimit të spitaleve modulare. Sa i përket mbikëqyrjes, në dokumentet e Bankës Botërore dhe MPPS -së thuhet se kjo do të shtohet më vonë, por kjo nuk u bë. Spitali modular në Tetovë u dogj në vetëm pak minuta, duke lënë të pafuqishëm 12 pacientë dhe dy të afërmit e tyre, të cilët nuk arritën të shpëtonin në kohë dhe vdiqën. Pas zjarrit tragjik, Prokuroria lëshoi dy raporte mbi rrjedhën e hetimit – në 24 orët e para pas aksidentit dhe disa ditë më vonë, kur njoftoi se do të kryhej ekspertizë në elektrikë, por që atëherë ka pasur heshtje. Hetimi që u shpall si i shpejtë dhe efikas, tani duket se vendnumëron./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Avokatët e Kamçevit kërkojnë përjashtimin e prokurores Stefanova

    Lajmi i rradhës

    Turizmi në RMV nuk mund të zhvillohet pa Ligjin e menaxhimit të mbeturinave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë