Vrulli i fotovoltaikëve në RMV

    Kriza energjetike që goditi tërë Evropën e rriti përdorimin e energjisë së diellit edhe në Maqedoni. Sipas të dhënave të Entit Rregullator për Energjetikë në vitet e fundit dukshëm janë rritur kapacitetet solare apo diellore për prodhimin e energjisë elektrike. Nëse në të kaluarën janë lëshuar deri në 20 licenca për fotovoltaike, tani numri i tyre gati se është dhjetëfishuar. Bile sipas të dhënave zyrtare, centralet me diell në vitin 2021 kanë marrë pjesë me 3.1 për qind në prodhimtarinë e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme në raport me një për qind në vitin 2020.

    Të dhënat e fundit nga Komisioni Rregullator i Energjetikës tregojnë se tranzicioni energjetik në vitin 2023 po ndodh çdo ditë, ose çdo ditë pune kemi një mbi 1.5 megavat të ri të përfshirë në sistemin e energjisë elektrike në vendin tonë. Me këtë ritëm të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, pavarësia energjetike është forcuar dukshëm, përkatësisht importi i energjisë elektrike është zvogëluar për një të tretën.

    Komisioni Rregullator për Energjetikë vetëm në muajin shkurt ka lëshuar licencat për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme me kapacitet të instaluar prej 29.16 megavat orë, që do të thotë se kapaciteti total i instaluar për dy vite dy muaj nga privati dhe shtetit arrin mbi 616 Megavat orë.

    “Sa për krahasim, një bllok apo një e treta e Termocentralit të Manastirit ka një kapacitet të instaluar prej 233 Megavat, kurse Osllomeja ka 125 Megavat orë, ku energjia elektrike prodhohet nga thëngjilli, dhe këto janë kapacitete që janë ndërtuar me vite dhe ishin përcaktuar si shtylla në pavarësinë energjetike. Sot në dy vite e dy muaj janë ndërtuar dhe vënë në funksion objekte të reja energjetike me fuqi të instaluar 616.42 Megavat, që prodhojnë energji elektrike kryesisht nga Dielli, por edhe nga era, uji dhe biomasa. Nëse bëni një krahasim, sot kemi një central të ri të Manastirit të implementuar, ose tre teremocentrale të rinj Osllome – dhe pikërisht për këtë tranzicioni energjetik nuk është temë për diskutim këtu, është realitet”, thekson Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

    Ai shton se kapacitetet e reja të instaluara prodhojnë energji elektrike nga burime të rinovueshme të mjaftueshme për nevojat e 194.5 mijë familjeve me një konsum mesatar të energjisë elektrike.

    Njëherësh me rregulloren e re lejohet që të instalohen edhe bateri për magazinimin e rrymës së prodhuar nga dielli.

    Nga Komisioni Rregullator thonë se pronarët e ventraleve fotovoltaike do të mund të instalojnë bateri me kapacitet të barabartë me kapacitetin e centralit. Për shembull, nëse një prodhues ka një impiant fotovoltaik prej 1 megavat, ai do të jetë në gjendje të instalojë bateri me të njëjtin kapacitet prej maksimumi 1 megavat. “Me rregullin e ri të rrjetit nuk do të mund të prodhohen dhe mbushen bateritë nga rrjeti në të njëjtën kohë, por bateria do të sigurojë energji vetëm kur fotovoltaiku nuk funksionon”, thonë nga autoriteti energjetik.

    Bateritë kanë një rëndësi të madhe në prodhimin e energjisë elektrike nga centralet diellore, sepse ato prodhojnë gjatë kohës së ditës kur ka diell. Gjithashtu gjatë atyre periudhave çmimet në bursa shpesh janë më të ulëta për shkak të ofertës së lartë dhe kërkesës së ulët dhe energjia elektrike që ata prodhojnë nuk mund të konsumohet plotësisht. Kështu, energjia elektrike është e pakthyeshme dhe me bateritë do të mund të ruhet dhe më pas të përdoret në periudhat kur nuk ka diell dhe kur duhet dhe të shitet me çmim më të volitshëm.

    Kreu i komisionit rregullator Marko Bislimovski thotë se rritja e madhe e numrit të centraleve fotovoltaike nuk është problem për rrjetin e transmisionit dhe distribucionit, apo thënë ndryshe ai siguron se aktualisht centralet diellore nuk janë rrezik për ngarkesën e rrjetit.

    “EVN dhe MEPSO, njëri si operator i shpërndarjes dhe tjetri si operator i transmetimit, nuk lejojnë kyçje në një central të caktuar nëse nuk plotësohen kushtet teknike – domethënë nëse nuk ka vend për nënstacionin”, shpjegon ai.

    Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se në për herë të parë, më shumë se një e katërta e energjisë elektrike të BE-së (27 për qind ) erdhi nga era dhe dielli në vitin 2023, me 10 vende mbi këtë nivel. Era dhe dielli kaluan 40 për qind të energjisë elektrike të rinovueshme për vitin e parë në historinë e BE-së gjithashtu, duke arritur në 44 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në BE në 2023.

    Kjo arritje shënoi një rekord në shtimet vjetore të kapacitetit, me gjenerimin e kombinuar të erës dhe diellit që përjetoi një rritje të paprecedentë prej 90 Tera vat orë dhe kapacitetin e instaluar u rrit me 73 Gigavat orë.

    Veçanërisht, energjia solare shfaqi rritje të fuqishme, duke shtuar 56 gigavat orë kapacitet shtesë në 2023, krahasuar me 41 gigavat orë në vitin 2022. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Pse Maqedonia është atraktive për investimet e huaja!

    Lajmi i rradhës

    A do të hiqet vetoja në BE për Maqedoninë e Veriut?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë